9.5 C
Pristina
Wednesday, October 9, 2024

Ishe Ti ﷺ që vije atë natë

Më të lexuarat

Kemi hyrë në muajin hënor të Rebiu’l Euel, vlera e të cilit është vulosur me lindjen e Krenarisë së Njerëzimit, Muhamed Mustafasë (s.a.s.). Ishte kjo datë e shënuar e këtij muaji, ajo që do të përkufizonte pikën e nisjes së kalvarit të dritës në këtë botë, e që do të zgjerohej prej asaj pike, si mëshirë e paanshme e Krijuesit të gjithësisë, duke nisur me Emrin e Tij, Bismillah- بسم الله, si pika poshtë shkronjës “B – ب” në gjuhën arabe e cila nis këtë fjali, prej Urdhrit dhe Vullnetit të Allahut, i cili zgjodhi të sillte Profetin e Fundit, përmbyllësin e vargut të profetëve, si mëshirë për botët. Në fakt, falë mirësisë së Allahut, Krijuesit të botëve, i cili na dërgoi Muhamedoin a.s. si të Dërguar, për të na njohur me dituritë e njohjes së Zotit, në mësuam, kuptuam dhe përvetësuam njohjen e Atij që ka fuqi të pafundme, dhe gjithë botës mbarë i mjafton vetëm një pikë, një grimcë prej mëshirës së Tij që të ndriçohemi e të gjallërohemi.

Ishte Ai  ﷺ  që vinte atë natë, agimi i së cilës do të shndriste për gjithë njerëzimin dhe botët mbarë, e që rrezet shndritëse të atij dielli do të zbardhnin freskinë e shekujve gjer në Kiajmet.

Lindja e të Dërguarit të Allahut do të kishte një impakt të jashtëzakonshëm në historinë e të gjithë botës, duke nisur si një dallgë përmirësuese që do të shkundte prej padrejtësive e injorancës, së pari, Mekën e rrethinat e saj, më pas Medinen e më pas tërë Gadishullin Arabik, e gjer sa do të tejkalonte kontinentet, duke përçuar mëshirën dhe përgëzimet e bukura që vinin prej Zotit, për të udhëzuar shpirtat kërkues e të etur për dritë.

Bota kishte nevojë për të. Lindja e tij, në një farë mënyre, është rilindje e njerëzimit, sepse me të, do të nderohej vlera e dinjitetit njerëzor dhe do të gjelbëronin moralet e larta, drejtësitë të gjitha, si dhe do të forcoheshin sistemet e vlerave që mbajnë gjallë e të shëndoshë individin dhe shoqërinë.

Kështu, pas kaq kohësh, përtej shekujsh, mirësia e Allahut na bëri të njohim më të mirin e njerëzimit, profetin e mëshirës dhe dashurisë ﷺ. Përmes ndjekjes së Tij, Allahu kanalizoi dashurinë e Tij  për tek njerëzit, duke e bërë Muhamed Mustafanë s.a.s. si shembull të plotësuar e të mrekullueshëm dhe e përmbylli kështu vargun e profetësisë, duke i vënë vulën me të.

Profeti i fundit është krijesa më e dashur tek Allahu (xh.sh.) dhe, duke qenë i tillë, ashtu duhet të jetë edhe për ne që pretendojmë se ndjekim rrugën e tij. Dashuria për profetin a.s. është njëkohësisht dhe dashuri për bukurinë e fisnikërinë e karakterit të tij, për drejtësinë, modestinë dhe forcën e brendshme të njeriut, të cilat profeti i zotëroi në shkallën më të lartë. Myslimanët obligohen që dashurinë ndaj tij ta vendosin mbi dashurinë ndaj çdo krijese tjetër, përfshi këtu veten dhe të dashurit e tyre. Për këtë, në hadithin e transmetuar nga Enesi (r.a.), Profeti (a.s.) ka thënë: “Askush prej jush nuk do të jetë besimtar i vërtetë, derisa të bëhem për ju më i dashur se prindërit tuaj, fëmijët tuaj dhe të gjithë njerëzit e tjerë.”[1]

E si mos ta duash… Ai na deshi para se ta duam! Allahu e dërgoi atë si mëshirë për mëkatarët e të devotshmit, për burrat e gratë, për fëmijët e të moshuarit, për besimtarët e mohuesit, për njerëzit e xhindet. Madje, Allahu praninë dhe ekzistencën e Muhamedit a.s. në tokë, e bëri garanci dhe siguri për të gjitha krijesat, kur thotë: “Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët.”[2]

Lusim Allahun (xh.xh) që atë që më i miri i njerëzimit, Muhamedi (a.s.) bëri me Qaben duke e pastruar nga idhujt dhe kotësitë, të njëjtën gjë ta bëjë edhe me zemrat tona, duke i pastruar ato nga lidhjet e kota dhe të dëmshme të kësaj dynjaje, për t’i lartësuar drejt horizonteve të larta të vlerave shpirtërore!”

Mehmet Disha


[1] Buhariu-Muslimi.

[2] Kur’an, Enbija, 21:107.


Post Views: 3

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit