Ndërmarrja ndërkombëtare për veshmbathje me qendër në Suedi, H&M, ka shkaktuar reagime për shkak të figurave të ngjashme me shkrimin “Allah” në gjuhën arabe në çorapet e fëmijëve të cilat i kishte ofruar për shitje, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pasi disa konsumatorë të H&M në këtë vend theksuan se nën çorapet e fëmijëve gjendet një figurë e cila ka kuptimin “Allah” në gjuhën arabe, kompania duke njoftuar se janë keqkuptuar kërkoi falje.
Sipas lajmit të televizionit shtetëror suedez, SVT, kompania në një deklaratë ka kërkuar falje për shkak të ngjashmërisë. Kompania njoftoi se i ka mbledhur këto çorape.
Ndërkohë, H&M para një kohe kishte kërkuar falje pas reagimeve ndaj publikimit në faqen e saj të internetit të një fotografie të një fëmije model me ngjyrë, në bluzën e të cilit shkruante “Majmuni më tërheqës në xhungël”.