Hetuesit e EULEX-it kanë filluar t’i marrin në pyetje disa persona në lidhje me vrasjen e Xhemajl Mustafës.
Disa burime kanë konfirmuar se tashmë janë intervistuar disa persona në lidhje me vrasjen e ish-këshilltarit të Presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova.
“Po, janë marrë në pyetje disa njerëz, por edhe personat që dyshohen se kanë gisht në vrasjen e tij”, tha burimi i gazetës në kushte anonimiteti.
Përveç tyre më herët është marrë në pyetje edhe Bahrije Mustafa, bashkëshortja e Xhemajl Mustafës.
E bija e Mustafës, Beriana konfirmon se Prokuroria Speciale e EULEX-it e ka ftuar më herët në intervistë nënën e saj.
“Prokuroria ka marrë në pyetje nënën time, por prej asaj kohe më nuk kemi asnjë informatë nga EULEX’i”, tha e bija e Xhemajl Mustafës.
Një burim i gazetës mirë i informuar ka thënë se EULEX tashmë posedon disa emra që dyshohen si të përfshirë në rastin e vrasjes.
“Njëri nga ta është deputet aktual në Kuvendin e Kosovës. Njëri po ashtu është zyrtar i lartë në Policinë e Kosovës. Por nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe të dyshuar të tjerë të përfshirë në këtë vrasje e cilësuar si politike”, ka thënë burimi i gazetës./exp/kohaislame