-0.8 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Fëmijët e kthyer nga Siria, në kopshte dhe në shkolla këtë shtator

Më të lexuarat

Javën e ardhshme, më 2 shtator, pritet të fillojë procesi mësimor në shkollat e Kosovës. Bashkë me fëmijët e tjerë, në bankat shkollore do të ulen edhe fëmijët të cilët u kthyen nga zonat e konfliktit në Siri dhe Irak.

Prej 74 fëmijëve sa u kthyen me familjet e tyre në Kosovë në prill të këtij viti, 10 prej tyre i takojnë nivelit të kopshteve, 5 janë parashkollorë, 25 do të vazhdojnë arsimin fillor dhe 34 nivelin e mesëm të ulët dhe të lartë të arsimit.

Afërdita Jaha nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), tha për Radion Evropa e Lirë se kjo ministri në bashkëpunim me drejtoritë komunale të arsimit, kanë bërë të gjitha përgatitjet për regjistrimin e nxënësve në shkolla.

“Në bashkëpunim me drejtoritë komunale dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, më 2 shtator, do të fillojnë mësimin të gjithë fëmijët e kthyer nga vatrat e luftës. Mësimi do të fillojë për fëmijët prej moshës 6-vjeçare. Në arsimin fillor do të kthehen 25 nxënës, derisa në arsimin parashkollor do të kthehen 5 nxënës”, tha Jaha.

Kthimi i 110 kosovarëve dhe procesi i gjatë i ri-integrimit

Ajo ka treguar se kanë siguruar kuadro për ofrimin e mësimit të përshpejtuar për nxënësit, mosha e të cilëve është më e madhe se mosha e paraparë për të qenë nxënës të rregullt. Këta fëmijë janë nga Prishtina, Suhareka, Lipjani, Ferizaj, Mitrovica, Klina dhe Gjilani.

Në prill të këtij viti, 110 qytetarë të Kosovës, duke përfshirë 32 gra, 74 fëmijë dhe katër luftëtarë u kthyen nga Siria në Kosovë.

Kthimi i tyre, megjithatë kishte hapur një sfide tjetër për shtetin e Kosovës, përkatësisht, riintegrimi i tyre. Koordinatori Nacional për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm, Fatos Makolli, kishte deklaruar kohë më parë për Radion Evropa e Lirë se institucionet e sigurisë janë duke kryer punën e tyre. Ai kishte veçuar si sfidë “fazën e rehabilitimit, për faktin se të kthyerit kanë kaluar periudha të vështira në zona të konfliktit, qoftë në vendet ku kanë jetuar, por edhe në kampe të ndryshme, ku ka familje që ka qëndruar për kohë të gjatë”.

“Rehabilitimi dhe riintegrimi i personave që kthehen nga zonat e konfliktit ku kanë qëndruar për një kohë të gjatë, do të jetë i vështirë, do të ketë sfida të mëdha”, kishte deklaruar Makolli.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit