Edhe një delegacion i Kongresit amerikan po viziton Tajvanin, teksa tensionet me Kinën vazhdojnë të jenë të larta rreth pretendimeve mbi këtë ishull vetëqeverisës.
Tensionet janë të larta qëkur kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, vizitoi Tajvanin më herët gjatë gushtit. Kina u kundërpërgjigj duke mbajtur stërvitje ushtarake pranë ishullit.
I udhëhequr nga demokratja Stephanie Murphy, delegacioni amerikan më 8 shtator u takua me presidenten tajvaneze, Tsai Ing-wen.
Duke iu referuar kërcënimeve ushtarake të Kinës, Tsai tha se vizita e delegacionit amerikan “tregon mbështetjen e palëkundur për Tajvanin nga Kongresi amerikan”.
“Tajvani nuk do të përkulet para presionit”, tha Tsai. “Ne do të mbrojmë institucionet tona demokratike. Tajvani nuk do të nënshtrohet”, shtoi ajo.
Ndërkaq, kongresistja Murpy tha se Kongresi amerikan “duhet të avokojë për pjesëmarrje më të madhe tajvaneze në organizatat ndërkombëtare”.
“Tajvani ka treguar se është anëtar i përgjegjshëm i komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht sa i përket çështjeve të shëndetit publik, dhe meriton të jetë pjesë e organizatave ndërkombëtare”, tha ajo.
Murphy është në mesin e ligjvënësve amerikanë që kanë prezantuar një ligj që lejon SHBA-në t’i japë armë dhe mbështetje Tajvanit. Javën e kaluar, administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, miratoi 1 miliard dollarë shitje të armëve për Tajvanin.
Murphy tha se thellimi i raporteve ekonomike me Tajvanin është “një prej gjërave kryesore që Kongresi mund të bëjë tash për tash”, veçanërisht duke shtyrë përpara “një marrëveshje për tregti të lirë” mes palëve. Tajvani dhe SHBA-ja janë duke diskutuar për arritjen e një marrëveshjeje të tillë.
Ndryshe, Nancy Pelosi është politikania më e lartë e Qeverisë amerikane që vizitoi Tajvanin në 25 vjetët e fundit. Kina u kundërpërgjigj ashpër ndaj vizitës së Pelosit në gusht, duke mbajtur stërvitje ushtarake dhe duke dërguar avionë e anije në Ngushticën e Tajvanit.
Tajvani është ishull vetëqeverisës dhe është ndarë nga Kina në luftën civile të vitit 1940. Mirëpo, Pekini insiston se ishulli do t’i kthehet atij.