Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu, i cili udhëtoi të mërkurën drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për kontakte zyrtare, realizoi në Nju-Jork një takim me investitorët e drejtpërdrejtë të Goldman Sachs, një nga institucionet financiare më në zë të SHBA-ve.
Ahmet Davutoglu vuri në pah se Turqia është një ishull i sigurt në rajon dhe apeloi për investime në vendin e tij.
Me kalimin e kohës, vijoi shefi i ekzekutivit turk, Stambolli do të fitojë edhe më shumë peshë në ekonominë globale.
Ai foli gjithashtu për zhvillimet e fundit në lidhje me Procesin e Zgjidhjes për t’i dhënë fund terrorit në Turqi, duke vënë theksin mbi kontributin, që klima e sigurisë në rritje garanton për ekonominë dhe demokracinë.
Pas mbledhjes me investitorët e drejtpërdrejtë të Goldman Sachs, Kryeministri Davutoglu pati një takim edhe investitorët institucionalë të Citibank, ku u bëri thirrje përfaqësuesve të shoqatave turko-amerikane për bashkim dhe më shumë solidarizim.
“Ligjësia me baza demokratike dhe stabiliteti i mbështetur në fuqinë ekonomike të Shtetit të Republikës së Turqisë po përshëndetet gjithandej”, tha numri 1 i Ankarasë zyrtare në këtë takim, ku të pranishëm ishin gjithashtu zv/kryeministri Ali Babacan, ministri i Financave, Mehmet Simsek dhe shumë drejtues të shoqatave turko-amerikane.
Kryeministri Davutoglu u ndal edhe tek ngjarjet e 1915-s, duke potencuar se divergjencat në lidhje me çështjet kombëtare duhet të lihen mënjanë dhe të bashkëpunohet fuqishëm. Ai rikujtoi se 100-vjetori i ngjarjeve të vitit 1915 është një shans i rëndësishëm për këtë dhe shtoi: “Në kulturën tonë nuk ekziston ndjenja e urrejtjes dhe hakmarrjes. Por nëse kombi ynë ofendohet dhe poshtërohet pa të drejtë, atëherë, në atë atmosferë, është detyrë për të gjithë ne që të bëjmë përpjekjet e nevojshme kundër këtyre fyerjeve dhe akuzave të padrejta.kohaislame