Redi Shehu
Karakteristika e veçantë e kohës në të cilën jetojmë, është se e mira dhe e keqja, e drejta dhe e gabuara, e moralshmja dhe e paturpshmja, nuk janë më nocione të pastra e të kulluara, të ndara nga njëra-tjetra në atë formë sa të bëjnë dallimin kategorik dhe absolut mes tyre. Sot, ne nuk e kemi këtë luks. E mira dhe e keqja, me të gjitha derivatet e tyre, janë të ndërthurura brenda vetë fenomenit në atë soj forme, sa që është vështirë të dallosh kufinjë mes njërës dhe tjetrës. Pra, sot nuk mund të thuash për një ngjarje, fenomen apo veprim, se ai është ekskluzivisht i mirë apo ekskluzivisht i keq. E mira dhe e keqja janë shkrirë brenda të njëjtit kallëp, dhe e vetmja gje që mund të bëhet, është orvatja për të gjetur se sa janë raportet e të mirës dhe të keqes brenda një ngjarjeje. Ky definicion laraman mbi ndërtimin e të vërtetës, na shoqëron gjithnjë kur duam të marrim një pozicion politik, kur duam të vlerësojmë një lider, kur duam të shprehim qëndrimin tonë moral për një ndodhi. Pra, duket se ka ikur koha kur lehtësia e gjykimit mbi gjënë ishte e bazuar mbi kritere të qarta dhe konsensuale.
Në vlerësimin e figurës së kryeministrit, të ndonjë lideri, të ndonjë partie politike, të një veprimi opozitar, apo të një copëze realiteti mbarshqiptar, je gjithmonë i detyruar të mos japësh definicion absolut mbi të mirën apo të keqen e tyre, sepse të ndodh…. “what the fuck”… që veprime të mira të përzihen me njërëz jo edhe aq të mirë dhe veprime të këqija të përzihen me njerëz jo edhe aq të këqinj. Kam qenë që në krye të herës i bindur në tezën se copëtimi i Shqipërisë ka qenë një ekuacion i gabuar politiko-historik dhe se rivendosja në vendin e duhur e elementëve të këtij ekuacioni, do të ishte e vetmja mënyrë që rezultati pozitiv i tij të bashkëshoqëronte të gjitha përpjekjet e Shqipërisë së andej-këndej kufirit. Të ndarë në dy llokma territoriale, politike dhe konceptuale, Shqipëria dhe Kosova kanë vazhduar gjatë gjithë kësaj kohe të vendosin dhe rinvendosin elementët e ekuacionit të tyre historik, gjithnjë në vendin e gabuar duke respektuar besnikërisht këtë ndarje.
Pas pothuaj dy dekadash nga lufta dhe një dekadë nga pavarësia, Kosova, e ndjen se sakrifica e bërë prej saj për të kënaqur aleatët dhe për të ruajtur të ashtuquajturat ekuilibra gjeopolitikë në rajon, kanë rezultuar me një rikthim prapa në kuptimin politik, ekonomik dhe kulturor që ajo ka në raport me Shqipërinë dhe të gjithë rajonin. Politikisht, Kosova është hapa larg synimeve të saja integruese, me një bojkot të hapur nga BE për çështjen e liberalizimit të vizave dhe proçeset e tjera integruese. Bisedimet me Serbinë kanë qenë një fasadë e bukur për të legjitimuar me shumë integrimin e Serbisë ne proçesin e anëtarësimit evropian. Sa herë që në bisedimet me Serbinë është dashur të shkohej drejt një dakortësimi, kjo është bërë me sakrifica të mëdha nga ana e Kosovës në terma territoriale, ligjorë dhe ekonomikë, që nga Zajednica, Demarkacioni dhe deri tek insinuatat e fundit për shkëmbime territori me Serbinë. Në këmbim, Kosovës i është kërkuar që të mbajë nën presion revoltën e brendshme politike dhe popullore që shpërthente herë pas herë nga çekuilibrimi politik i shkaktuar pikërisht si pasojë e këtyre marrëveshjeve.
Ekonomikisht, Kosova është kthyer në një koloni të Serbisë e dënuar të blejë produktet e saj dhe të përcaktojë vizionin e saj ekonomik nisur nga premisa e Serbisë. Një shtet dhe jo-shtet në të njëjtën kohë, Kosova është luhatur shpesh nga pengesa për zhvillim ekonomik dhe gjetja e partneritetit të duhur, sepse mospërcaktimi i entitetit të saj territorial, e ka lënë në mënyrë të vazhdueshme në gjendje eksperimenti. Ndërsa kulturalisht, Kosova dhe kosovarët luhaten sot më shumë se sa kurrë në prehrin e papërcaktueshmërisë dhe krizës së identitetit.
Sigurisht që kusuret dhe dështimet e politikës kosovare në terma të vendosjes së shtetit të së drejtës, korrupsionit, kriminalitetit etj., kanë qenë dhe janë pengesa reale, por ama, mos të harrojmë se një shtet ndërtohet së pari nga fakti dhe bindja se është vërtet shtet; ai nuk mund të ndërtohen nga një fabul e supozuar, sado bukur që ajo të tregohet. Aksionerë në dështimet e Kosovës nuk janë vetëm kosovarët dhe establishmenti i tyre politik, por janë edhe arkitetët e kësaj që sot quhet Kosovë me fusnotë.
Pak ditë para se festat kombëtare të Nëntorit të vinin, një veprim politik mes dy qeverive, asaj të Tiranës dhe Prishtinës, habiti të gjithë me firmosjen e disa marrëveshjeve të guximshme të cilat çojnë ujë në mullirin e bashkimit kombëtar. Dy personazhe në petkun e dy kryeministrave dhe një ngjarje pozitive. Debatet që lindën u përqëndruan mbi atë se si mundet një veprim i mirë të ndërmerret nga dy personazhe të përceptuara nga shumë veta si jo edhe aq të mirë. Debate që vazhduan dhe do vazhdojnë duke u munduar për të gjetur se sa raportet e të mirës dhe të keqes janë mpleksur në këtë ngjarje, për të mos arritur, të paktën për momentin, në një të vërtetë të madhe.
Nuk është hera e parë që retorika nacionaliste është përdorur nga liderët politik shqiptarë. Ajo ka qenë aq e zbehtë, e në disa raste edhe qesharake, saqë e ka fikur atë zjarrmin kombëtar ende pa u ndezur mirë. Kësaj radhe patëm disa vendime, të cilat kanë plot gjashtë muaj kohë për t’u parë se sa raportet e të mirës dhe të keqes do të mpleksen në këtë akt politik. E shkuara e afërt na ka mbushur plot pesimizëm në këtë drejtim. Paaftësia për ta kërkuar të drejtën, mosdëshira për ta promovuar atë ka qenë e pranishme rëndom. Çfarë e bën këtë Nëntor më ndryshe se të tjerët? Këtë do ta shohim. Por ama, një gjë dihet se ky komb do të përparojë e do të bashkohet, kur dilema të këtij lloji do të zhduken, dhe kur e mira dhe e keqja, e drejta dhe e gabuara, e moralshmja dhe e paturpshmja, të jenë qartësisht të ndara nga njëra-tjetra, dhe kur veprime të mira të bëhen nga njerëz përfundimisht të mirë.