-3.2 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Alma Lamën e kisha çu ambasadore në Arabi

Më të lexuarat

Pse jemi ndarë!

Kimete Berisha

1. Po kam qejf me ia nis shkrimit me stilin ma të ri të Armend Zemajt, por s’po di a do të di masandej me dalë prej thonjëzave.
Se pramë në Kuvend, kur ia zunë kryet e ia numëruan harxhimet e mëdha që i ka ba në udhëtime për viza, në përpjekje m’i arsyetu veten, ndër të tjera Armendi, duke lexuar fjalimin e tij, neve ose vetes i tha, se s’kish kujt tjetër, ‘Hape thojzën’ por e përfundoi fjalinë pa dalë prej thonjëzavd.

Dikush nuk del prej thonjëzave, prej kllapave, prej situatës, prej ndjenjës, prej rolit, zagllavitet, e keni pa, qysh i teket dikujt sidomos psikopatëve u teket diçka e nuk munden ma me dalë kah janë hy.

Si Alma Lama, e cila nuk del prej Romës, sepse të gjitha rrugët të çojnë në Romë. E kujton se asnjë rrugë nuk e kthen nga Roma. Almën u dasht me çu në Arabi ambasadore, pata propozuar atëbotë, sepse i urren arabët e as nuk është e mençur me fsheh urrejtjen për ta.
Edhe për t’i bë për vete katolikët kujton se urrejtja ndaj arabëve mjafton.

Vatikani nuk udhëhiqet me urrejtje, por besoj me Bibël ushëhiqet, që e promovon dashurinë edhe për armikun, se le më për popullin e Kosovës. Ti thuash n’ditë t’sotit Papës se shqiptarët e Kosovës janë ekstremistë kurse Kosova është shtet islamik është humbje kohe, sepse Papa e di më mirë se ne se Kosova është në krizë të besimit e jo në krizë të besimit të tepërt. Shqiptarët janë tepër dembelë për të qenë ekstremistë.

Pastaj ka gabu që nuk i ka kthy e-mailat zyrtar. Edhe komentin lexuesit presin t’ua kthesh (dhe është mirë me ua kthy komentet se gjë borxh s’të kanë, se lë më e-mailat zyrtar). Almës ia kanë bë mirë, apet le t’urren, se urrejtja dhe neveria e saj për fenë myslimane është e kërditshme më shumë për Romën sesa për shqiptarët…është urrejtje që s’krynë punë.

2. Urrejtja po lulëzon n’tana anët. Jemi bë magnet për urretje.
Mos është ky ndoshta ‘fundi’, mos është ajo dita që edhe para se me ardh duhet t’i frikësohemi, ajo dita kur askush-askujt s’mundet m’i ndihmu.

Tash as s’po ju vjen keq, po na urrejnë direkt, sy më sy, pa rreh çerpikë.
Komisionerit Hahn ku me ditë qysh i dukemi ne, idiota pa dyshim, se ia nisi fjalës me frazën më të konsumuar n’botë, që se përdorin më as katundarët e Balzakut: ‘Për tango nevojiten dy veta’ tha. Po kujt po i tregon sa veta nevojiten për tango? Ne kemi kujtu se tango kcehet me vetveten.
Komisioneri ka qenë i akuzuar për plagjiat po s’di çka ka pas ba masandej, ia doli ‘e mbuloj’ hajninë e tij intelektuale.
Kulmi ishte kur tha se puna e lodhshme ja ka zbardh flokët, a jo që i ka 60 e kusur vjet.

3. Sa herë ndodhin krizat e forta e nuk shihet rrugëdalje del n’penxhere Veton Surroi dhe ata si ai që Serbia i merr për ‘gradjanë’, se edhe janë…
Mohuesi i luftës për liri, Veton Surroi, pasi me një libër i ka treguar Serbisë dhe botës se UÇK s’ishte ushtri por formacion paramilitar, tash do me qëllu aty kur t’përmbyllet dialogu me Serbinë. Kurrqysh s’bën ky pa qenë aty. U bë gati, frizi në gjendje gatishmërie, kurrgjë s’bën që nuk ju hyn edhe vetullave tetovazh. E ka kuptu Vetoni se s’ti lshon kush sytë pa u duk i bukur.

Vjosa Osmani, më ka zhgënjy një ditë me varfërinë e saj, kur e propozoi Blerim Shalën në ekip të dialogut. Pse Blerim Shalën oj zojë? Me ia këndu Vuçiçit ‘Lažu, llažu me, da vrijeme leči sve…’ a çka? Çfarë oratori është Blerim Shala! Kur e more vesh ti çka tha ai ndonjëherë në jetën e tij!

E sa për Luanin, veç Jezusi kish mujtë me kuptu se si mundet z.Shllaku t’ia kthejë faqen tjetër Kadri Veselit. A ishte Kadri Veseli, njeriu i ngushtë i tij, që e largoi vrazhdtë, pa paralajmërim, pa arsye dhe pa asnjë koment nga Këshilli Drejtues i Galerisë Kombëtare, thjesht për ta zëvendësuar me ‘paramilitarë’ të partisë’!

4. Mjafton me pa seancën e fundit të Kuvendit për me kuptu pse na urrejnë.
Do pa krehë, do pa ly, do ly tepër, donme zyluf të bardhë e kapak të kresë t’zi, do me atkija krahëve e do me papuqe, njani pas tjetrit, rren pas rrene, krejt pasanika, krejt me viza, krejt me pare t’shtetit tuj punu kundër shtetit.

Dikush tha se Evropa nuk e do Kosovën shkaku se është myslimane.
Dikush tjetër tha se për gjithçka faj ka qeveria; Glauku ka faj që u shku ju ka thanë evropianëve ‘mos i liberalizoni vizat, se ne jemi kriminelë’. Por u dasht me thënë edhe se ne mundemi tek e fundit me jetu edhe pa BE. Njerëzit po jetojnë pa shpresë jo pa BE. Nëse na duan, byjrum, nëse jo, duhet me angazhu naj italian me ju vardis në emër tonin se ne për artin e vardisjes s’marrim vesh. Ne jemi të parët veç kur lypset me qenë të vrazhdtë dhe cinikë.

Gjerman s’bën me qenë lobuesi se janë të ftohtë, sipas Kantit, me qenë si francezët duhet kohë, se qesin kërrname, prandaj, veç italiani na kryen punë. Nëse s’na e pranojnë dashurinë që kemi për ta, jetojmë me zemër të thyer si gati të gjitha personazhet e letërsisë ruse. Se më mirë me vdek’ nga dashuria për Evropën (si ne) sesa m’u dergj nga ‘urrejtja’ për shqiptarët, si ata.

5. As Sekretari i NATO-s Stoltenberg nuk është mirë kohëve të fundit. KFOR-i deri para një muaji u takua rregullisht me gjeneralin e ushtrisë serbe Ljubisa Djokovic, që iu priu masakrave të Millosheviçit në Kosovë, dhe u dukej normal takimi me të, por ushtria e Kosovës nuk po u duket normale… Jemi mbështet për muri. E vetmja armë që tash na ka mbetur në dorë është taksa, që e zuri ‘të papërgatitur’ Serbinë. Me dorëzu armën e vetme, i thonë kapitullim.

6. A është Isa Mustafa i gatshëm me marrë në dorë armën e Ramush Haradinajt.
Aq më tepër që Komisioneri Hahn tha se deri në vitin 2020 s’ka viza, që do të thotë s’ja vlen as me me rrëzu qeverinë. A është i gatshëm Albin Kurti t’ia kthejë sofizmat Protagorës, e të merret me punët e rrezikshme të Ramushit, i cili luftën po e bën në terren të vetin, veç me një armë!

Ndërkohë, derisa do të jemi të detyruar ta heqim taksën, duhet të mësohemi të mos blejmë asgjë të Serbisë. Të stërvitemi natë e ditë me idenë që kurrë më, për shtune e shtatëqind vjet prodhim serb mos me ble. Ky do të ishte fillimi i emancipimit tonë.
Që mos me pas nevojë me ua rrit taksat, por thjesht mos me ua ble prodhimet, pra m’i shkatërru pa i prek me dorë. Se sonte në ETC (ora 18) ‘u habitën’ e lëshuan edhe muzikë turbo folk serbisht, beso.

6. A ekziston ndonjë mënyrë për ne m’u bë simpatik, që me na lakmu najkush! Unë besoj po. Simpatik do të na bënte edukimi, qytetërimi dhe kur secili do të ulej në vendin e vet.
Larg është ajo ditë.

7. Dhe jo vetëm ne të Kosovës nuk dimë me dasht.
Kryetari i Tiranës ish i tmerrshëm, bishë, duke dashur ta mbrojë policen që humbi gishtat në protestën e banorëve të Unazës, tha:
‘Ne këtu të gjithë jemi meshkuj! Bëhuni të sinqertë. Kush do ta merrte për grua një vajzë pa gishta’! Të gjithë meshkujt heshtën, marrja e Zotit.

Shih çka thotë ky kur merr me të mbrojtë, paramendoje ky me t’urrejt çka ndodh! Pra, kulmi i dashurisë sonë është shprehja më e urryer që mund ta imagjinojë poeti.
Në realitet nuk është kështu si thotë Erion Veliaj, sepse ndër shqiptarë ka ndodhur edhe dashuria e verbër, është fenomen, por ka ndodhur dhe ndodh kjo dashuri.

Media i jep vend të madh pastaj vajzës me probleme mendore, por modele e të rinjëve, që thotë se ‘ka frikë nga njerëzit e shëmtuar’.
Dikush ma i pashpirtë tha se çika ka marrë shashtraf prej shëmtie duke e shiku veten, por askush nuk e ndëshkoi as me llajka. Shoqëria jonë po bëhet llukiste, ku për të qenë dikushi duhet të dukesh bukur. Nëse s’je i bukur, duhet me pas pare. Nëse s’ke pare, as s’je i bukur, fshehu në botën tënde.

Dhe pastaj Alma thotë që shqiptarët e Kosovës janë myslimanë. Në shoqëritë myslimane, bukuria fshihet, nuk konsumohet, nuk del në shitje dhe nuk shfrytëzohet për diskriminim.

Nëse Evropa i urren shqiptarët pse janë myslimanë, Irani, Libani e këta tjerët, i urren pse janë laramanë, a çka. Se neve s’po na do kush, as shtetet myslimane.

Ndoshta sherri i dyfytyrësisë dhe inferioritetit.
Për shkak se ministreshës së kulturës shqiptare i kish pas ardh keq m’i thënë UNESKO-s se lahuta është instrument shqiptar, ajo ka thënë ‘lahuta është e të gjithëve, edhe e serbëve’, prandaj UNESKO e kanë vendos lahutën si ‘instrument serb’. Qe kush jemi ne, as lahutën s’mundemi me mbrojtë prej Serbisë.

P.S. Shih si rezonon një i ri i sotit veshur me kombinizona versace kurse kokën e kanë të mykur nga primitivizmi:
Për shembull Majku, i ka fyer krejt femrat, pa përjashtim, ka thënë ‘qysh femrat e kanë rrogën 300 euro e çantën e kanë 1000 euro’! Thuajse s’ekziston femër shqiptare me çantë ma t’lirë, besa ka femra edhe krejt pa çantë.
Pra ky ka mbetur ‘soliter’ i vetmuar, se femrat janë të pamoralshme.

Qe çfarë meshkujsh ka rritë nana n’djep!
Evropianët e dinë se me zhele mëndafshi, me bunda e me muzikë nuk mbulohet mjerimi mendor e prapambeturia.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit