Pyetja:
Selam alejkum, desha t’ju bëj një pyetje, A lejohet përdorimi i kremrave apo pomadave të ndryshme që përmbajnë alkool, si p.sh. Nivea? Selam alejkum dhe Zoti ju shpërbleftë!
Përgjigjja:
Alejkum selam ue rahmetullahi ue berekatuhu!
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Mendimi më i saktë i dijetarëve është se parfumet dhe kremrat që përmbajnë alkool nuk lejohet përdorimi i tyre për shkak se sasia e alkoolit të vendosur në parfume është dehëse dhe dihet se alkooli është i ndyrë. Allahu xh.sh. ka thënë: “O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyra nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar.” (El Maideh: 90)
Dhe për këtë shkak mendimi më i saktë i dijetarëve është se përdorimi i parfumeve dhe kremrave të cilat përmbajnë alkool është i ndaluar. Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Çdo gjë që shumica e tij të deh, atëherë edhe pakica e tij është haram.”
Po ashtu, nëse dikush ka përdorur parfume dhe kremra me alkool në rrobat e tij, atëherë para se të hyj në namaz duhet t’i ndërrojë rrobat dhe nuk lejohet të falësh namaz, nëse në rrobat ose trupin tënd apo vendin ku falesh ka ndytësirë, sepse pastrimi i rrobave, i trupit dhe i vendit ku falesh nga ndytësirat është kusht që namazi yt të jetë i pranuar.
Eroll Nesimi
12.7.2009