2.2 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

A e njihni tamam Selman Kadrinë?

Më të lexuarat

A e keni dëgjuar këngën e Selman Kadrisë, se si “me gojë hapur ka mbet Serbia” e pushka e tij “dridhi eshtrat e Car Dushanit”.
Selman Kadria ka vrarë një nga antishqiptarët më të mëdhenj, një prej serbëve që ka bërë zullumet dhe krimet më mizore ndaj shqiptarëve, Milliq Kërstiqin – i njohur më shumë me mbiemrin Kërrsta!
 
Dhe, këtu lindi një mit, por që shumë detaje nuk tregohen.
 
Selman Kadria ishte nip i Kërstiqëve, sepse nënën e kishte serbe. Milliq Kërrsta kishte vrarë shumë patriotë shqiptarë që kundërshtonin regjimin serb, sidomos në rajonin e Dukagjinit. Por, si nip që e konsideronte, ai kishte besim te Selman Kadria, prandaj e merrte shpesh me vete. Madje, Kërrsta ia besonte edhe armën. Në ato kohë, dihet, asnjë serb i pushtetshëm nuk donte ta ketë pranë një shqiptar me armë. Bile, sipas disa dëshmitarëve të kohës, thuhej se Selman Kadria kishte edhe armë të Mbretërisë së Jugosllavisë, pra se ishte njeri i besueshëm i regjimit.
 
Sidoqoftë, një ditë, Selman Kadria që përcjell “dajën” e tij, me armën që ia jep në besë vret Kërrstën pas shpine. Arsyet thuhet se ndërlidheshin me aktet antishqiptare të Milliqit. Por, a ishte mënyra e vrasjes së tij burrërore?
 
Në traditën shqiptare, njeriu nuk vritet pas shpine. Ju kujtohet atentati që Beqir Valteri kishte bërë ndaj Ahmet Zogut në Parlamentin e Shqipërisë? Ndonëse kishte probleme në të folur, e thërret Zogun në emër dhe i thotë: “I bëj të fala ungjit tim”! Sepse, kjo ishte tradita burrërore shqiptare e marrjes hak: për ta thirr hasmin në emër dhe për t’ia treguar arsyen pse po merr hak!
 
Studiuesi Liman Rushiti, në veprën e tij “Kujtime për lëvizjen kaçake”, përmend ca fakte interesante për shumë personazhe. Këto fakte ai i kishte mbledhur në vitet ’70-’80 të shekullit të kaluar, por kjo vepër botohet më 2003. Edhe ai përmend se Kërrsta ishte vrarë pas shpine, që nuk përkon me burrërinë, dhe se Selman Kadria ishte njeri i besueshëm i tij Milliqit, si nip i Kërstiqëve të Istogut.
 
Pas kësaj vrasje, fitet se Ahmet Zogu, duke pasë parasysh mizoritë e Kërrstës kundër shqiptarëve, kishte ofruar të holla për atë që e shpëton dhe e dërgon në Tiranë Selman Kadrinë. Por, këtu ndodh edhe një akt tjetër makabër: Kadria tradhtohet nga nipi i babës, Ramë Vuthaj, që po ashtu e godet Selman Kadrinë pas shpine me sëpatë, ndërsa sinjalizon xhandarët serbë që ta marrin. Nën torturat më barbare të kolonëve serbë, Selman Kadria vdes në oborrin e kishës ortodokse në Istog, në qershor të vitit 1938.
 
Kjo është e vërteta që pak tregohet për mitin që krijohet përmes këngëve për Selman Kadrinë. Por, meqë Selmani e vrau Kërrstën, një kriminel serb, le ta kujtojmë me këto vargje: “Hej ty t’lumtë dora o Selman Kadria/ K’shtu o po t’thonë more tan’ o Shqipnia/ Djem o si ti ka Kosova prapë/ O prapë o ndër shki o do të marrim hak”. kohaislame
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit