-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

PARATHËNIA E IBËN MAXHES

Më të lexuarat

ParatheniaAllahu i Madhërishëm në librin e Tij fisnik e ka garantuar ruajtjen e Kur’anit dhe kjo garanci përfshin edhe ruajtjen e Sunnetit të Pejgamberit të Tij. Në ruajtjen e Sunnetit kontribuan dhe shërbyen edhe dijetarët e palodhshëm, të cilët sakrifikuan çdo gjë që posedonin. El-Hafidh Ebul Haxhaxh El-Miz-zij, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Sa i përket Sunnetit, Allahu bëri që atë ta ruajnë dijetarë të mëdhenj, hufadhë, specialistë, njohës të hadithit. Ata e pastruan hadithin nga devijimet e ekstremistëve, nga gënjeshtrat e të kotëve dhe nga komentimet e injorantëve. Nga kujdesi që kishin për ruajtjen e hadithit dhe nga frika se mos humbiste, dijetarët e hadithit u munduan të gjenin lloj-lloj më nyrash për ta shkruar hadithin e Resulullahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem.

Librat më autentikë, më të qëlluar, më larg gabimeve dhe më të pranuar nga masa e gjerë, por edhe nga dijetarët, janë: 1) Koleksioni autentik i imam Muhamed ibën Ismail El Buhariut.

2) Koleksioni autentik i imam Muslim ibën Haxhaxh En-Nejsaburit. Pas tyre vijnë: 3) Suneni i Ebu Davudit. 4) El Xhami’ (Suneni) i Tirmidhiut. 5) Suneni i Nesaiut. 6) Suneni i Ibën Maxhes, edhe pse ky i fundit nuk e ka arritur shkallën e librave të përmendur më lart. Allahu i mëshiroftë të gjithë këta dijetarë! Secili koleksion ka veçoritë e veta, p.sh. sunenet janë koleksione që përmbajnë hadithe të rregullave të praktikës, si ibadete (adhurime), muamelate (marrëdhënie), etj., du ke mos përmendur kapituj të historisë, tefsirit, besimit etj. Këta libra u përhapën ndër njerëz dhe zunë vend në të gjitha trojet islame. Nxënësit e dijes ishin të interesuar t’i posedonin ata dhe për ta u shkruan shumë libra të tjerë, disa prej të cilëve sqaronin hadithet (metnin) që përmbanin këta libra, ndërsa shumë të tjerë sqaronin zinxhirët e transmetimeve (sene – din), por kishte edhe të tillë që përmblidhnin të dy aspektet. Kësaj radhe kemi zgjedhur “Sunenin” e Ibën Maxhes dhe kemi shkëputur nga ai vetëm një pjesë, parathënien e tij, duke parë rëndësinë dhe nevojën e madhe që kanë lexuesit për të pasur njohuri rreth haditheve që janë vendosur në këtë parathënie, e cila gjithsej ka 266 hadithe. Për sa u përket kuptimeve të hadithit, do të mundohemi të përmendim fjalët e dijetarëve, ndërsa sa i përket shkallës së haditheve do të mbështetemi në thëniet e dijetarit shqiptar Muhamed Nasirudin Albani, Allahu e mëshiroftë. Në vazhdim do të flasim shkurtimisht rreth këtij suneni.

Autori

Ebu Abdilah Muhamed Ibën Jezid Ibën Maxheh el-Hafidh el-Kebir el-Huxheh el- Mufessir, autor i “Sunenit”, “Tarih-historia” dhe “Tefsir”, si dhe i shumë veprave të tjera, dijetari i Kazvinit në kohën e tij. Ka lindur në vitin 209 hixhri dhe ka vdekur në vitin 273 hixhri.

Titulli I librit

Është bërë i njohur te njerëzit me emrin “Essunen” duke iu atribuar autorit, pra “Suneni i Ibën Maxhes”.

METODA E TIJ DHE MENDIMET E DIJETARËVE RRETH SAJ

I pari që e vendosi “Sunenin” e Ibën Maxhes në mesin e gjashtë librave të njohur është dijetari Ebul Fadël Muhamed Ibën Tahir, autor i librit “Shurut el eim-me es-site”, ndërsa të tjerët në vend të këtij suneni radhitën “Muvetain” e imam Malikut. Librin e ka radhitur në kapituj, duke përmbledhur sunetet dhe “ahkamet”, rregullat e fikhut, sikurse pesë librat e tjerë. Në të ai ka transmetuar të tre llojet e hadithit: sahihun (autentikun), hasenin (të mirin) dhe daifin (të dobëtin). Gjithashtu në të gjenden edhe disa hadithe të panjohura dhe të shpikura, mirëpo në krahasim me numrin e haditheve të librit janë të pakta. Për shkak të kësaj dukurie pozita e “Sunenit” të Ibën Maxhes është në një shkallë më të ulët sesa pesë librat e tjerë. Profesor Muhamed Fuad Abdul Bakij thotë:

“Numri i haditheve në “Sunenin” e Ibën Maxhes është gjithsej 4341. Prej tyre 3002 I kanë transmetuar autorët e pesë librave të tjerë, disa nga ato hadithe i kanë transmetuar të gjithë e disa prej tyre vetëm ndonjëri. Ndërsa hadithet e mbetura, 1339, janë hadithe shtesë ndaj pesë koleksioneve të tjera.

Ato ndahen në 428 hadithe sahih (autentike), 199 hadithe hasen (të mira, të pranuara), 613 hadithe me zinxhirë të dobët dhe 99 me zinxhirë të gabuar, të panjohur dhe të rrejshëm.”

KUSHTI I TIJ

Nuk transmetohet asgjë nga vetë Ibën Maxhe që të ketë thënë “kam vendosur këtë kusht apo atë”, por kjo gjë dihet duke mësuar zinxhirët e haditheve të tij. është e ditur se pozita e “Sunenit” të Ibën Maxhes është më e ulët se e suneneve të tjera për shkak se ka transmetuar në sunenin e tij disa hadithe të njerëzve të panjohur (mexhahil), të akuzuar për gënjeshtër (muttehemin) dhe në të ka edhe disa gënjeshtarë (kedhabinë).

INTERESIMI I DIJETARËVE PËR SUNENIN E IBËN MAXHES

Dijetarët treguan interesim të madh, sikurse edhe ndaj librave të tjerë, duke e përcjellë atë brez pas brezi gojarisht, por edhe në shkrim. Ata hulumtuan edhe rreth transmetuesve të tij në mesin e transmetuesve të gjashtë librave. Ndërsa sa i përket sqarimit të haditheve të tij, nuk kemi hasur në ndonjë dijetar që e ka bërë një gjë të tillë, përveç disa sqarimeve të shkurtra që kanë bërë imam Sindi dhe imam Sujuti, Allahu i mëshiroftë, ndërsa sqarimet e imam Mugeltait deri më tani janë dorëshkrime.

Vazhdon…

Pӫrgatiti: Mr. Fidan Xhelili

Burimi: www.shkollaislame.com

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit