Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka akuzuar presidentin rus, Vlladimir Putin, për përshkallëzimin e luftës në Ukrainë me qëllim për të prishur përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit, veçanërisht duke shënjestruar lëvizjet e mundshme diplomatike.
“Putin edhe një herë promovoi raketat e tij, gatishmërinë e tij për të vrarë dhe për të shkatërruar. Në mijëra raketat me të cilat tashmë ka goditur Ukrainën, Putin në mënyrë të qartë dëshiron të shtojë mijëra të tjera. Ai nuk ka interes t’i japë fund luftës. Gjithashtu, Putin dëshiron të pengojë të tjerët që të mos i japin fund luftës”, tha Zelenskyy.
Zelenskyy theksoi se sulmet e vazhdueshme raketore të Rusisë, që kanë vënë në shënjestër infrastrukturën e energjisë dhe zonat civile, janë pjesë e një strategjie më të gjerë për t’u bërë presion liderëve global, duke përfshirë presidentin e zgjedhur të ShBA-së, Donald Trump, që të pranojnë kushtet e Rusisë.
Zelenskyy pranoi shkatërrimin e vazhdueshëm të shkaktuar nga sulmet raketore ruse, duke zbuluar se më shumë se 90 raketa dhe gati 100 dronë ishin lëshuar, me shumë që synonin infrastrukturën energjetike dhe objektet civile.
“Njerëzit tanë kanë punuar gjatë gjithë ditës, duke rivendosur gradualisht energjinë në zonat ku ka pasur ndërprerje”, tha ai.
Presidenti ukrainas po ashtu falënderoi aleatët ndërkombëtar, veçanërisht Holandën dhe Norvegjinë, për ofrimin e mbështetjes shtesë ushtarake dhe financiare, me Norvegjinë që premtoi 3,2 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën.
“Në ditë si këto, kur përballemi me sulme masive ruse, është thelbësore ta ndiejmë se partnerët tanë qëndrojnë krah për krah me ne”, tha Zelenskyy.
Ai gjithashtu theksoi përpjekjet e vazhdueshme diplomatike, përfshirë bisedimet me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte dhe kryeministrin britanik, Keir Starmer, si dhe planet për të diskutuar me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.
Zelenskyy përsëriti rëndësinë e një fronti të bashkuar për të kundërshtuar veprimet agresive të presidentit rus dhe për të parandaluar që lufta të zvarritet pafundësisht.
“Ne duhet t’i përgjigjemi së bashku përpjekjes së Rusisë për ta bërë situatën më të padurueshme dhe për ta zgjatur këtë luftë. Ne jemi të interesuar për paqen – Ukraina dhe të gjithë partnerët tanë. Tani është koha për të forcuar pozicionet tona, pozicionet e Ukrainës dhe të partnerëve tanë”, tha Zelenskyy.
Përderisa lufta po intensifikohet, presidenti ukrainas u kërkoi qytetarëve ukrainas të qëndrojnë vigjilentë gjatë sulmeve ajrore, duke përforcuar rëndësinë e kërkimit të strehimit gjatë kërcënimeve me raketa.
“Nevojitet paqja e vërtetë, paqe përmes forcës. Ne kemi nevojë për unitet me të gjithë partnerët tanë për të siguruar humbjen e Rusisë dhe për të arritur një paqe të qëndrueshme”, tha ai.
/trt BALLKAN/