2.2 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Ndikimi i fjalës Allahu Ekber tek muslimanët

Më të lexuarat

Pyetje:”Si ka qenë fjala “Allahu Ekber” moto e myslimanëve të pare dhe a ka vazhduar të influencojë tek myslimanët ashtu siç ka influencuar tek të parët?”

 

Emri i Myftiut: Ahmed Esh Shirbasi

 

Përgjigja: “Me emrin e Allahut Mëshiruesit, falënderimi i takon vetëm Atij. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin për profetin a.s.

Disa fjalë madhështore mund ta humbasin domethënien dhe ndikimin e tyre tek zemrat e shumicës së njerëzve, edhe në qoftë se përsëriten shumë herë. Kjo ndodh për shkak të meditimit të paktë ose mos thellimit në kuptimin e domethënies së tyre.

Nga këto fjalë madhështore është fjala “Allahu Ekber”, fjalë me të cilën Allahu i Lartësuar e obligoi qysh në fillimin e mesazhit hyjnor profetin Muhamed a.s. që të ftonte njerëzit. Allahu i Lartësuar thotë në Kur’an: “O ti i mbuluar, çohu dhe qorto. Zotin tënde madhëroje.”[1] Allahu i Lartësuar e mëson profetin a.s. që ta madhërojë Allahun, pas aprovimit të hyjnisë dhe njësimit të Allahut. I Lartësuari thotë në Kur’an: “Falënderimi i takon Allahut, i Cili nuk ka fëmijë e as ortak në sundim, e nuk ka nevojë për ndihmëtarë. E ti madhëroje Atë sa më shumë.”[2]

Në të gjitha vendet myslimane, ezani këndohet pesë herë në ditë. Fjalët që këndohen janë: “Allahu Ekber” (katër herë), Esh’hedu en la ilahe  il-la llah (dy herë), Esh’hedu en ne Muham-meden resulull-llah (2 herë), Haj-je alas salah (2 herë), haj-je alel felah (2 herë), Allahu Ekber (2 herë), La ilahe il –la llah (1 herë).” Tek ezani do të shikojmë se ai fillon me tekbir dhe mbaron me fjalën e cila fton në monoteizëm. Gjithashtu vërejmë se fjala “Allahu Ekber” përsëritet gjashtë herë dhe fjalët e tjera përsëriten dy herë.

Për sa i përket namazit, ai fillon me tekbir. Ky tekbir quhet tekbiri i ihramit (fillestar) që do të thotë se myslimani ka hyrë në namaz dhe i është ndaluar çdo gjë. I është ndaluar çdo fjalë dhe vepër jashtë namazit. Profeti a.s. ka thënë: “Çelësi i namazit është tekbiri[3], me tekbir hyn në të dhe me selam del prej tij.”[4] Gjithashtu tekbiri e shoqëron myslimanin gjatë gjithë namazit. Ibnu Mes’udi (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: Sa herë që profeti a.s. binte në ruku dhe sexhde  apo ngrihej prej tyre  (përveç kur ngrihej nga rukuja),  po ashtu në çdo ulje dhe ngritje nga qëndrimi në këmbë dhe ulja e teshehudit, jepte tekbir. Po kështu kanë vepruar Ebu Bekri dhe Omeri.”[5]Ibnu Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë:“Po faleshim kur dëgjuam një burrë të thoshte: “Allahu ekber kebira, uel hamdulil-lahi kethira, ue subhanall-llahi bukreten ue esila (Allahun e madhëroj, shumë Atë e falënderoj, i lavdëruar qoftë Allahu në mëngjes dhe në darkë). Profeti a.s. tha: U çudita nga ato fjalë, sepse dyert e qiellit u hapën.” Ibnu Omeri ka thënë: “Nuk kam reshtur së përmenduri ato fjalë qysh kur e kam dëgjuar profetin a.s. të thotë ashtu.”[6]

Pas faljes së namazit, myslimani kryen tesbitë. Profeti a.s.ka thënë: “Kush thotë pas përfundimit të namazit të çdo namazi 33 herë “Subhanallah”, 33 herë “Elhamdulil-lah, 33 herë “Allahu Ekber”, pastaj i plotëson 100 me fjalën: “La ilahe il-lall-llahu uahdehu la sherike lehu, lehul mulku ue lehul hamdu ue hu’ue ala kul-li shej’in kadir (S’ka zot tjetër përveç Allahut,  një të vetëm, s’ka ortak, i Tiji është sundimi dhe Atij i takon falënderimi, e ai është i Plotfuqishëm për gjithçka) i falen mëkatet edhe në qoftë se janë sa shkuma e detit.”[7]

Kur vjen koha e namazit të bajramit të madh, myslimanët këndojnë tekbire duke filluar qysh kur dalin nga shtëpia e derisa imami fillon të mbajë hytben. Ata këndojnë: “Allahu Ekber” (3 herë), La ilahe il-lall-llahu, uall-llahu ekber, Allahu ekber, ue li-lahil hamd(Allahu është më i madhi, nuk ka zot tjetër përveç Tij, Allahu është më i madhi  dhe Atij i takon falënderimi). Në bajramin e vogël myslimanët këndojnë tekbire pesë ditë me rradhë, e madhërojnë Allahun që i udhëzoi në rrugë të drejtë. Ata këndojnë tekbire në çdo çast dhe në çdo kohë, sidomos pas faljes së namazit duke filluar nga namazi i sabahut të ditës së Arafatit e deri në namazin e iqindisë  të ditës së katërt të bajramit.

Allahu i Lartësuar e ka urdhëruar përsëritjen e tekbirit në namaz dhe gjatë ezanit që t’i kujtojë myslimanët që të kthehen tek Allahu, të zgjohet neglizhenti, të udhëzohet i humburi e bamirësi t’i shtojë bamirësitë e tij. Sa herë që myslimanët e dëgjojnë tekbirin të thirret nga muezini, e përsërisin edhe ata për të mësuar se duhet t’i binden të vërtetës, të nxitojnë në punë të mira, të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në punë të mira, e të largohen nga mëkati dhe armiqësia. Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: “Ndërkaq ata që u larguan prej adhurimit të idhujve dhe iu drejtuan me pendim tek Allahu, ata kanë gëzim të madh. E ti përgëzoi robërit e Mi. Të cilët i dëgjojnë fjalët dhe pasojnë atë më të mirën prej tyre. Të tillët janë ata që Allahu i udhëzoi në rrugë të drejtë dhe të tillët janë ata të mençurit.”[8]

“Allahu Ekber” thirrja e qiellit e zbritur në vendin e shenjtë, që të përsëritet kjo fjalë sa më shumë tek banorët e tokës, duke ju kujtuar madhështinë e Allahut. Kështu që lëkurat e atyre që kanë frikë Allahun rrëqethen dhe  zemrat zbuten kur dëgjojnë përkujtimin e Allahut. Myslimanët e përsërisin gjithmonë këtë fjalë me sinqeritet dhe vendosmëri. Zëri i saj gjëmon ashtu sikurse deti gjëmon, sepse domethënia e saj është kuptimplote.

“Allahu Ekber”, fjalë të cilën e lexon dhe e dëgjon hajduti. Dora i dridhet nga frika, qenia e tij fillon të lëkundet, kujtohet për ekzistencën e Allahut të Plotfuqishëm, që e di dredhinë, poshtërsinë dhe mashtrimin e tij. Dhe jo vetëm kaq por ai zgjohet sepse e di mjaft mirë që ndëshkimi i Allahut është më i madh se ndëshkimi i njerëzve. Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: “Vërtet ndëshkimi i tij është i dhembshëm dhe i ashpër.”[9]

“Allahu Ekber”, fjalë e cila kumbon në veshin e mëkatarit, i cili kujtohet se Allahu i Lartësuar e di të fshehtën e syve dhe zemrave, e di të fshehtën dhe të dukshmen. I Lartësuari thotë: “Ai është me ju kudo që të jeni”[10] “A nuk e di Ai që ka krijuar kur dihet se Ai depërton në thellësi të sekreteve dhe i njeh hollësitë.”[11] “A nuk e di se Allahu di çka në qiej e në tokë? Nuk bëhet bisedë e fshehtë mes tre vetave e të mos jetë Ai i katërti, e as mes pesë vetave e të mos jetë Ai i gjashti. E as më pak e as më shumë e të mos jetë Ai me ta kudo që të jenë. Pastaj në ditën e gjykimit i njofton për atë që kanë punuar. Me dijen e Tij, Ai ka përfshirë gjithçka.”[12]

“Allahu Ekber”, fjalë të cilën e dëgjon i pasuri, i cili e di se Allahu i Lartësuar është më i pasuri. Prej tij burojnë të gjitha të mirat. Ai është që jep dhe ndalon, e ngre dhe e ul robin e Tij. Kështu pra, i pasuri nuk tregohet kryeneç dhe mendjemadh, por përkundrazi mediton në thënien  e Allahut: “Pasuria dhe fëmijët janë stoli e jetës së kësaj bote, kurse veprat e mirë janë shpërblimi më i mirë te Zoti yt dhe janë shpresa më e mirë.”[13] “Nuk ka dyshim se pasuria dhe fëmijët janë sprovë, ndërsa ajo që është tek Allahu është shpërblim i madh.”[14] “O ju që besuat, as pasuria e as fëmijët tuaj të mos u shmangin prej adhurimit të Allahut, e kush bën ashtu të tillët janë ata të humburit.”[15]

“Allahu Ekber”, fjalë të cilën e thotë ose e dëgjon i varfri. Por varfëria nuk e poshtëron, as e ul e as nuk e lëkund, por përkundrazi ai e di se Allahu ëshë më i Madhi, më i Forti e i Plotfuqishëm për t’ia larguar atij varfërinë poshtëruese. Kështu që, varfëria nuk ndikon aspak negativisht tek besimtari. Allahu i Lartësuar thotë: “Në qoftë se keni frikë varfërinë, atëherë dijeni se Allahu do t’ju pasurojë nga mirësia e Tij.”[16] “A nuk të gjeti jetim, e të përkrahu. Të gjeti të pa udhëzuar, e të udhëzoi. Të gjeti të varfër , e të begatoi.”[17]

“Allahu Ekber”, është fjalë të cilën e përmend i sëmuri. Kjo fjalë për të është melhem, ilaç dhe shërim. Është fjalë të cilën ai e di mjaft mirë se Allahu i Lartësuar  është Mëshirues, e  që i fal mëkatet e robërve të Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Kur sëmurem Ai më shëron.”[18] “Përkujto Ejubin kur iu drejtua Zotit me lutje: më gjeti belaja, e Ti je më Mëshiruesi ndër mëshiruesit. Ne iu përgjigjëm atij nga mëshira e Jonë. Ia hoqëm ato vështirësi  që kishte, i dhamë familjen e tij dhe akoma më shumë. Ne e bëmë atë përkujtim për të devotshmit.”[19]

“Allahu Ekber”, është fjalë të cilën e dëgjon ai i cili është në pozitë, që mundohet t’i nënshtrojë dhe t’i poshtërojë vartësit e tij. Mirëpo kur e dëgjon këtë fjalë e kupton mjaft mirë se Allahu është më i Fortë dhe më i Madh se ai. Kështu pra, ai ka frikë Allahun, tregohet modest dhe nuk i tejkalon normat dhe caqet. Ai gjithmonë mediton në thënien e Allahut në Kur’an: “Kriminelët njihen nga tiparet e tyre. Prandaj ata kapen nga flokët dhe këmbët e tyre.”[20] Ky është Faraoni, mbreti më mizor që ka parë historia e njerëzimit, i skllavëroi njerëzit por përfundimi i tij ishte: “Unë jam zoti juaj më i lartë.[21] Atëherë Allahu e dënoi atë për këtë të fundit dhe atë të parën. Në këtë ndëshkim ka ndëshkim për atë që frikësohet.”[22]

“Allahu Ekber”, është fjala të cilën e përmend i dobëti dhe ai të cilit i është bërë e padrejtë. Ai e di mjaft mirë se Allahu i Lartësuar nuk e pranon padrejtësinë. Nga çasti në çast mund ta lusë Allahun që ta ndihmojë nga padrejtësia që i është bërë, sepse e di dhe është i sigurt që ndërmjet tij dhe Allahut nuk ka perde që lutja të mos i pranohet.

Prandaj premtojini Allahut që gjithmonë ta thoni fjalën “Allahu Ekber”, jo me gjuhë, por me zemër, me vendosmëri dhe meditim, që ajo t’u japë frytet e saj. Në qoftë se arroganti, mendjemadhi dhe mizori dëshirojnë që t’ju skllavërojnë, nënshtrojnë e t’ju poshtërojnë thoni “Allahu Ekber”. Në qoftë se shejtani i mallkuar dëshiron që t’ju largojë nga feja me mashtrimet dhe kënaqësitë e kësaj bote thoni “Allahu Ekber”. Në qoftë se ju godasin fatkeqësi të ndryshme duroni duke thënë: “Allahu Ekber”. Në qoftë se ju shtohen të mirat mos u mashtroni, por me modesti thoni “Allahu Ekber”.

Luteni Allahun duke thënë: “O Zot, na zbukuro me thjeshtësi dhe përulje ndaj Teje. Na ruaj nga mendjemadhësia dhe kryelartësia, mos na bëj prej atyre që shkatërrojnë në tokë. O Zot, ndihmoji besimtarët e thjeshtë”

 

Allahu e di më së miri.


[1] Sure El Mud-dethir: 1-3

[2] Sure El Isra: 111

[3] Tekbir është fjala “Allahu Ekber”

[4] Këtë hadith e kanë transmetuar imam Buhariu dhe imam Muslimi.

[5] Këtë hadith e kanë transmetuar imam Buhariu dhe imam Muslimi.

[6] Këtë hadith e ka transmetuar imam Muslimi.

[7] Këtë hadith e kanë transmetuar imam Buhariu  dhe imam Muslimi.

[8] Sure Ez Zumer: 17-18

[9] Sure El Hud: 102

[10] Sure El Hadid: 4

[11] Sure El Mulk: 14

[12] Sure El MUxhadele: 7

[13] Sure El KEhf: 46

[14] Sure Et Tegabun: 15

[15] Sure El Munafikunë: 9

[16] Sure Et Teube: 28

[17] Sure Ed Duha: 6-8

[18] Sure Esh Shura: 80

[19]  Sure El Enbija: 83-84

[20] Sure Err Rrahman: 41-42

[21] Këtë gjë e pretendoi Faraoni.

[22] Sure En Naziatë: 24-26

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit