-0.8 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Si të jemi më atdhetarë ditët e sotme?

Më të lexuarat

Nga Nada DOSTI

Të jetuarit larg atdheut shpeshherë, falë situatave të ndryshme me të cilat përballesh, të nxit të reflektosh më shumë ndaj atdhedashurisë, ndjenjë kjo që buron nga natyrshmëria (fitra) e njeriut. Mirëpo të ndiesh nuk mjafton nëse ndjenjat nuk shoqërohen me vepra. Dhe që të kuptojmë çfarë është atdheu dhe si mund ta shfaqim dashurinë për vendin tonë, në ditët e sotme, duhet më parë të kuptojmë ç’ka nuk konsiderohet atdhedashuri. Në shumë raste atdhedashuria mund të ngatërrohet me nacionalizmin, që sipas Erik Hobsbaun është një parim ku përputhen njësia politike me atë kombëtare (E. Hobsbaun, 1780). Sipas Entoni Smith, nocioni i nacionalizmit të Erik Hobsbaun mund të interpretohet si një ideologji esencialisht jo-etike (Anthony Smith, 2008).

Atdhedashuria shkon përtej nacionalizmit si parim apo ideologji. Ta duash atdheun nuk do të thotë të lartësosh një figurë historike, aq më tepër të duash me çdo kusht çdo lloj simboli kombëtar. Ndërrimi i fotos së profilit me ngjyrat e flamurit vetëm për festat kombëtare të fund nëntorit, tifozllëku fanatik për kombëtaren shqiptare, gjithashtu nuk të bëjnë patriot apo atdhedashës me se s’bën.

Atdhedashuria ka të bëjë me kontributin që mundohet të japë gjithsecili për vendin dhe kombin e vetë.

Kjo nuk kufizohet me pozicionin gjeografik por me ndërgjegjësimin vetjak: dikush mund të jetojë në vendlindje por të jetë totalisht indiferent ndaj çështjeve që i takojnë këtij vendi, dhe dikush tjetër mund të jetojë jashtë vendit dhe të jetë plotësisht i angazhuar me nisma, fushata apo aktivitete sensibilizuese për të mirën e vendit dhe kombit të tij.

Të qenurit i drejtë në vlerësim “në sytë e të tjerëve”

Dihet që autokritika shpeshherë buron prej një dashurie të madhe ndaj vendit tonë dhe dëshira për ta parë atë të përmisuar, mirëpo kjo nuk duhet të na çojë në atë stad kur fillohet dhe fyet një komb i tërë vetëm se ndihemi të zhgënjyer dhe të braktisur nga vendlindja për shkak të mungesës së mundësive. Kjo bën që në disa raste të tregohemi të padrejtë në gjykim, duke e fyer atë tek të tjerët, sidomos kur ndodhemi jashtë vendit. Një patriot i vërtetë nuk e mbron vendin e tij me fanatizëm, por është i matur në kritikë dhe dorëlëshuar në vlerësim (pozitiv).

Promovimi i vlerave dhe begative të vendit tonë

Nëse prindërit, mësuesit, edukuesit fetarë dhe jo vetëm shikojnë tek brezat e rinj një mungesë vlerësimi ndaj vendit të tyre kur çdo gjë ju duket gri, e kanë për detyrë të nxjerrin në pah dhe të shpalosin vlera të ndryshme që fshihen pas fjalëve të urta, fabulave, përrallave dhe formave të ndryshme të trashëgimisë kulturore. Bukuritë natyrore gjithashtu janë një begati më vete që duhet zbuluar dhe promovuar.

Një tjetër mënyrë për të promovuar këto vlera është dhe ajo që praktikohet më së shumti kohët e fundit në raste aktivitetesh të ndryshme: shfaqja në publik me veshje popullore është një manifestim i simboleve dhe identitetit atdhetar. Gjithashtu, një traditë e ngjashme praktikohet dhe nga studentët që jetojnë jashtë vendit. Falë pjesëmarrjes së tyre të rregullt në panaire ndërkombëtare dhe shkëmbime të rinjsh duke promovuar kulturën dhe traditat tona, kanë bërë të mundur jo vetëm që bukuritë dhe begatitë e vendit të njihen sa më shumë por dhe të thyen shumë paragjykime apo të luftohen stereotipe të ndryshme ndaj vendit tonë.

Të lutemi për vendin tonë

Më 30 prill të vitit 1973, Richard Nixon në mbylljen e fjalimit e tij të famshëm gjatë kulmit të skandalit “Watergate”, nxori një modë të re të me një shprehje e cila do të bëhej më vonë do të përhapej shumë në mesin e politikanëve: “Zoti e bekoftë Amerikën!”.

Edhe pse asokohe qe një shprehje strategjike, e instrumentalizuar për të bërë për vete masën e thjeshtë, thellë thellë kjo shprehje nuk është gjë tjetër vetëm se një lutje për një vend dhe për një komb. Në vend që të mbjellim vrer dhe urrejtje, të shajmë dhe të mallkojmë, le të bëjmë një lutje, ashtu siç Profeti i nderuar u lut për Meken dhe Medinen.

Të lutemi që ky vend të përmisohet, të na japë ne mundësi dhe forcë që ta përmisojmë atë dhe të bëhemi motivues dhe frymëzues për brezat e rinj që do e pasojnë këtë mision.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit