1.9 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

​Programi qeverisës pritet të votohet këtë të premte

Më të lexuarat

Të premten pritet që Qeveria e Kosovës të votojë programin qeverisës për katër vitet e ardhshme, zbatimi i të cilit mund të nisë pasi të miratohet.

Që prej formimit të qeverisë, ekzekutivi është kritikuar në vazhdimësi nga partitë opozitare për vonesë në prezantimin e programit qeverisës, derisa pjesëtarë nga shoqëria civile vlerësojnë se qeveria ka pasur mjaftueshëm kohë për hartimin e tij duke e theksuar të domosdoshme që i njëjti të reflektojë mbi nevojat e qytetarëve.

Në fundjavën e dytë të muajit prill kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte mbledhur ministrat e kabinetit të tij qeveritar për të hartuar programin qeverisës dhe planin e veprimit për katër vitet e ardhshme të qeverisjes. Megjithatë, i njëjti ende nuk është prezantuar dhe votuar në qeveri.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar sot se programi do të votohet këtë të premte.

Duke folur për kritikat që i janë drejtuar qeverisë për vonesën e paraqitjes së programit, Haxhiu ka thënë se nuk ka qenë e lehtë të arrihet në finalizim meqë sipas saj të gjitha zotimet është dashur të jenë të menduara mirë për sa u përket afateve.

“Sa i përket programit qeverisës e përmenda të premten në fund të kësaj jave do të votohet në mbledhje të qeverisë dhe do të nis zbatimi i tij, i njëjti është në përputhje me zotimet që kemi dhënë edhe para zgjedhjeve. Arsyeja pse është, mund të konsiderohet që është vonuar, por megjithatë besomëni që nuk ka qenë e lehtë për faktin se Zyra për Planifikime Strategjike në kuadër të Zyrës së Kryeministrit operon me disa programe që për neve si ministra nuk ka qenë bash e lehtë ato që i kemi pasur si zotime zgjedhore t’i paraqesim aty. Operativa strategjike, operacionale, aktivitete me muaj e vite se kur do të përmbyllet secili, për shkak se pastaj ne mbikëqyremi”, ka thënë Haxhiu në tryezën Fol Hapur.

Rreth mosprezantimit të programit qeverisës, kritika ka pasur në vazhdimësi nga partitë opozitare.

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi ka thënë për KosovaPress se Qeveria Kurti tani ka qëndrime që dallojnë nga premtimet të cilat i ka bërë.

“Qeveria Kurti 2 është në një mjegull totale pasi që me qëndrime të tjera ka bërë fushate dhe opozitarizëm që nga viti 2010, dhe tani kur e ka kryeministrin dhe numrat në Kuvend ka parime dhe qëndrime tjera, të cilat nuk përkojnë me premtimet. Tani jo vetëm ne si opozite, por edhe votuesit e tyre janë te zhgënjyer me paqartësinë e kësaj qeverie lidhur me çështjet shumë te rëndësishme të vendit tonë siç është pandemia, ekonomia, dialogu dhe sundimi i ligjit”, ka thënë Musliu-Shoshi.

Në anën tjetër, Rreze Hoxha, hulumtuese në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, ka thënë për KosovaPress se është me rënësi që programi qeverisës të ofrojë hapa konkret mbi çështjet që lidhen me menaxhimin e pandemisë, politikën e jashtme dhe reformat e brendshme në drejtësi, administratë publike e arsim.

“Ne konsiderojmë që qeveria ka pasur kohë të mjaftueshme, presim që të njëjtit ta publikojmë planin sa më shpejtë, por njëkohësisht bashkë me publikimin e planit presim që edhe përmbajtja e atij plani t’i reflektojë këto nevoja në të cilat do të duhej të zhvillohej vendi. Ne si GLPS konsiderojmë se që vëmendja më e madhe do të duhej të ishte në përmbajtjen e tij sesa në kohën e publikimit, kjo ngase i njëjti duhet të jetë plan konkret, i qartë dhe i matshëm, ashtu që të reflektojë mbi nevojat e vendit, zhvillimin ekonomik si dhe reformat e shumta nëpër të cilat vendi duhet të kalojë”, ka thënë Hoxha.

Më 22 mars të këtij viti, Kuvendi i Kosovës, me 67 vota për, zgjodhi qeverinë e re të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit