11.7 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

Zyber Hallulli kryetari i parë i Bashkisë Tiranë (1912), themelues i “Shtëpisë së fëmijës”, Tiranë

Më të lexuarat

Zyber Hallulli, i quajtur nga populli i Tiranës edhe “babai i jetimëve”, lindi në Tiranë më 1842 dhe rridhte nga një familje autoktone me tradita fetare e patriotike. Mësimet e para i kreu në shkollën e mesme “Ruzhdie” të vendlindjes.

Më pas vazhdoi shkollën e lartë për teologji dhe filozofi në Stamboll. Më vonë këtë rrugë ndoqi edhe i biri, Tahir Hallulli, i lindur më 1890 në Tiranë. Pasi pati mbaruar të mesmen në vendlindje, vazhdoi të lartën, në Stamboll, po në degën që pati mbaruar babai i tij.

Babë e bir në kohë të ndryshme, ranë në kontakt me patriotë të kolonisë shqiptare të Stambollit, u brumosën me idetë patriotike për lirinë kombëtare, si edhe për mbrojtjen e trojeve tona nga synimet grabitqare të shteteve ballkanike.

Idetë e mëdha të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, lufta heroike e popullit tonë për mbrojtjen e trojeve të veta nga synimet serbo-malazeze, lëvizjet e viteve 1910-1912 për shpalljen e pavarësisë, u bënë fanarë ndriçues në veprimtarinë e tyre praktike.

Zyber Hallulli, me t’u kthyer në atdhe, iu përkushtua me pasion hapjes së shkollës shqipe dhe mësimit të besimit islam, sepse pa çlirim mendor e shpirtëror, nuk mund të bëhej çlirimi kombëtar. Si kryetar bashkie i Tiranës, krahas shumë detyrave të tjera të mëdha, i lindi ideja e arsimimit dhe edukimit të fëmijëve jetimë, të cilët për rrethanat historike që po kalonte kombi ynë, ishin shtuar shumë.

Ngritja e “Strehës Vorfnore” kërkoi ngritjen e një komisioni me bamirës të njohur të qytetit të Tiranës, ku përfshiheshin fetarë, përfaqësues të parisë, tregtarë e zejtarë, që do të financonin veprimtarinë e këtij institucioni.

Më 28 nëntor 1917, me rastin e 5 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, së bashku me patriotët Rauf Fico, Mytesim Këlliçi, Ismail Ndroqi, Luigj Shala dhe Xhelal Toptani, hapën për herë të parë këtë institucion, duke grumbulluar fëmijë nga e gjithë Shqipëria, pa dallim krahine e besimi fetar.

Ky “baba i jetimëve” aq shumë iu përkushtua “Strehës Vorfnore”, saqë me dëshirën dhe vullnetin e tij, para se të vdiste, i dhuroi asaj të gjithë pasurinë e vet personale.

Zyber Hallulli ndërroi jetë më 1927. Babë e bir kujtohen me respekt e nderim nga banorët e Tiranës, si vazhdues të denjë të patriotëve fetarë paraardhës.

Domethënëse është që edhe Shtëpia e Fëmijës sot në Tiranë mban emrin e Zyber Hallullit, një nga dijetarët dhe hoxhallarët e shquar myslimanë shqiptarë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit