7.8 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Zoti pret pendimin tend

Më të lexuarat

Ebu Musa Abdulla ibnu Kajs El Esh’ari transmeton, se profeti (a.s) ka thënë: “Me të vërtetë Allahu i Lartësuar e shtrin dorën natën që të pendohet ai që kë mëkatuar gjatë ditës. Po ashtu Ai e shtrin dorën e Tij ditën, që të pendohet ai që ka mëkatuar gjatë natës. Kjo ndodh derisa dielli të lindë nga perëndimi”1.

Shpjegimi i hadithit:

Profeti Muhamed (a.s), të cilin Allahu i Lartësuar e dërgoi mëshirë për të gjithë botët, na paraqet një panoramë shumë mbresëlënëse të pranimit të pendesës së mëkatarëve, të cilët i janë përgjigjur thirrjes së Allahut të Lartësuar: “O ju besimtarë! Pendohuni që të gjithë tek Allahu që të jeni prej të shpëtuarve”.2

Kjo panoramë, që është e lidhur ngushtë me madhështinë dhe fuqinë e Allahut, manifestohet në hapjen e portës së pendesës në çdo kohë dhe në çdo vend, natën dhe ditën, në agim dhe në mbrëmje. Mëkatarët e mbrëmjes të cilët mëkatojnë gjatë natës, duke kujtuar se Allahu nuk e di se çfarë ata veprojnë në fshehtësi apo në vende publike, zgjohen nga shkujdesja që i kishte kapluar dhe i binden zërit të nënshtrimit ndaj Allahut dhe rrezatimit të pendesës. Kështu Allahu e pranon pendesën e tyre. Po ashtu ata të cilët gjatë ditës kanë mëkatuar haptazi, në momentin kur ata kthehen me përkushtim ndaj Allahut, Allahu i Lartësuar i begaton duke ua pranuar pendesën, duke mos i demaskuar përpara njerëzve, veprat e këqija ua shndërron në të mira dhe nëpërmjet tyre e ndihmon fenë islame.

Profeti (a.s) na e paraqet këtë bujari dhe begati hyjnore në formën më të bukur, prej të cilës ai që e dëgjon, ngel i mahnitur. Ky hadith fillon me mënyrën dëftore i shoqëruar me emrin e Allahut dhe madhërimin e Tij për të konfirmuar një fakt shumë të rëndësishëm: “Me të vërtetë Allahu i Lartësuar” Pastaj në fjalët vijuese shfaqet bujaria e Allahut: “shtrin dorën e Tij” Shtrirja nënkupton bujarinë, mëshirën dhe faljen e mëkateve. Folja “jebsutu” që do të thotë “shtrin” vjen në kohën e tashme që nënkupton vazhdimësi dhe që asnjëherë nuk ndërpritet. Po ashtu folja “jetubu” që do të thotë “pendohet” vjen në kohën e ardhme, që nënkupton se porta e pendesës është e hapur dhe nuk mbyllet për asnjë çast. Pranimi i pendesës natën dhe ditën i jep shpresë dhe siguri atij personi, i cili dëshiron të kthehet tek Allahu i Lartësuar përgjatë gjithë jetës së tij, natën apo ditën. Sekreti i përputhjes së këtyre fjalëve qëndron në faktin, se njeriu nuk duhet të ngulmojë që të mëkatojë dhe si rrjedhojë ai i ndërpret shtigjet e mëkatit dhe të shejtanit.

Le të meditojmë në hapësirën e gjerë kohore të pendesës e shprehur nëpërmjet ndajfoljes “derisa” tek fjalët e profetit (a.s) “Kjo ndodh derisa dielli të lindë nga perëndimi.” Ndajfolja “derisa” nënkupton, se porta e pendesës do të vazhdojë të jetë e hapur, bujaria e Allahut, shtrirja e dorës natën dhe ditën do të jetë e vazhdueshme përderisa njeriu jeton, mëkati e nxit atë dhe besimi ekziston. Në një hadith tjetër lexojmë, se profeti (a.s) ka thënë: “Allahu ia pranon pendesën atij njeriu që pendohet përpara se të lindë dielli nga perëndimi.”3 Në një hadith tjetër të transmetuar nga Saf’uan ibnu Asali, profeti (a.s) thotë: “Me të vërtetë Allahu i Lartësuar ka krijuar në perëndim një derë me një distancë prej 70 vjetësh të gjerë për ata që pendohen. Ajo nuk mbyllet derisa të lindë dielli nga perëndimi. Argument për këtë është thënia e Allahut: Në atë ditë, do të shfaqen disa shenja të Zotit tënd. Në atë ditë, njeriut nuk i bën më dobi besimi.”4 E në një hadith tjetër profeti (a.s) thotë: “Pendesa vazhdon të jetë e pranueshme, derisa të lindë dielli nga perëndimi. Atëherë kur të lindë, çdo zemër vuloset dhe punët e mira nuk merren më për bazë.”5

Përfitimet e nxjerra nga hadithi:

1 – Mëshira dhe bujaria e Allahut ndaj robërve të Tij

2 – Motivimi

3 – Dora e Allahut

4 – Lindja e diellit nga perëndimi

5 – Hapja e portës së pendesës derisa të lindë dielli nga perëndimi

6 – Thirrësi nuk duhet t’ua humbë shpresat njerëzve nga mëshira e Allahut

1 – Mëshira dhe bujaria e Allahut ndaj robërve të Tij:

Ky hadith profetik na paraqet një prej formave të mëshirës dhe bujarisë së Allahut. Allahu i Lartësuar e pranon pendesën edhe nëse ajo vonohet. Nëse njeriu mëkaton gjatë ditës, Allahu ia pranon pendesën edhe nëse ai pendohet natën. Po kështu nëse njeriu mëkaton natën dhe pendohet ditën, Allahu ia pranon pendesën, madje akoma më tepër se kaq Ai e shtrin dorën e tij për ta pranuar pendesën e robit të Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Mëshira Ime ka përfshirë gjithçka.”6  “Ai është Falësi i mëkateve, Pranuesi i pendesës, Ndëshkues i rreptë dhe Dhuruesi i të mirave. Nuk ka zot tjetër përveç Tij. Tek Ai është e ardhmja.”7 “Unë jam Falës për atë që pendohet, beson, bën vepra të mira dhe vazhdon të qëndrojë në rrugë të drejtë.”8  Që do të thotë se Allahu i Lartësuar është Falësi, që fal shumë. Ai i fal ata, të cilët pendohen megjithëse mund të kenë qenë mosbesimtarë, idhujtarë, mëkatarë, munafikë..etj. Allahu i Lartësuar e fal atë njeri që pasi pendohet, beson, bën vepra të mira dhe i qëndron me besnikëri kësaj rruge deri në fund.

Në shumë hadithe të tjera profeti (a.s) e sqaron mjaft mirë mëshirën e pakufishme të Allahut të Lartësuar ndaj robërve të Tij, si psh: “Me të vërtetë Allahu ka 100-të mëshira; njërën prej tyre e ka zbritur tek xhindet dhe njerëzit, kafshët dhe insektet. Me të ata ndiejnë dhembshuri dhe mëshirë me njëri-tjetrin, saqë kafsha e ngre këmbën, për mos ta goditur këlyshin e saj. Kur të vijë Dita e Gjykimit Allahu  e plotëson mëshirën e Vet me këtë mëshirë, saqë edhe shejtani do të shpresojë tek mëshira e Allahut, duke kujtuar se ajo do ta përfshijë edhe atë.”9

Megjithëse mëshira dhe bujaria e Allahut ndaj robërve të Tij është e madhe dhe e pakufishme, gjë të cilën Allahu e ka sqaruar mjaft qartë në ajetet kuranore dhe profeti (a.s) e ka sqaruar shumë qartë në hadithet profetike, prapë se prapë ka njerëz të cilët mendojnë, se Allahu nuk është Mëshirues. Ky mendim jo i mirë për Allahun nuk është produkt i ditëve të sotme, por zë fill qysh në kohën kur ka jetuar profeti (a.s)  Ka dy shkaqe për këtë mendim jo të mirë:

Shkaku i Parë: Njeriu i cili hedh vështrimin tek mëkatet e shumta, me logjikën e tij të cekët mendon, se mëshira e Allahut nuk e përfshin.

Shkaku i Dytë: Njeriu i cili e adhuron Allahun, por kujton se Allahu nuk ka për ta falur filanin ngaqë është mëkatar.

Nuk ka asnjë dyshim tek gabueshmëria e këtyre dy koncepteve. Në Ditën e Gjykimit, Allahu do t’i drejtohet robit të Tij duke i thënë: “O robi Im, a e di që ke bërë këtë mëkat? Po – thotë ai. A e di që e ke bërë këtë mëkat? Po – thotë ai. Robi i Allahut i pranon mëkatet që ka bërë dhe kur mendon se për shkak të mëkateve do të shkatërrohet, Allahu do t’i thotë: T’i kam fshehur mëkatet në Dynja, ndërsa në këtë Ditë, Unë do t’i fal ty të gjitha mëkatet. Pas kësaj atij do t’i jepet libri me vepra të mira.” Profeti (a.s) thotë: “Dikush tha: Betohem në emër të Allahut se Allahu nuk ka për ta falur filanin. Nga kjo fjalë e tij, Allahu thotë: Kush është ai i cili flet në emrin Tim?! Kush tha se Unë nuk do ta fal filanin? Atëherë, Unë do ta fal atë dhe punën tënde nuk e pranoj”10.

Mëshira dhe bujaria e Allahut ka përfshirë gjithçka, prandaj detyrë e njeriut është që mos t’i humbë asnjëherë shpresat nga kjo mëshirë e pakufishme.

2 – Motivimi:

Premtimi i Allahut për të pranuar pendesën e mëkatarit është një shtysë e mirë për njeriun. Ky motivim na demonstrohet mjaft qartë në këtë hadith, ku profeti (a.s) thotë: “Me të vërtetë Allahu i Lartësuar e shtrin dorën natën që të pendohet ai që kë mëkatuar gjatë ditës. Po ashtu Ai e shtrin dorën e Tij ditën që të pendohet ai që ka mëkatuar gjatë natës.”

Motivimi është një instrument mjaft i rëndësishëm i thirrjes, sepse nëpërmjet tij njeriu pendohet dhe përvesh mëngët për të qenë sa më i rregullt dhe më i përpiktë në adhurimin e tij ndaj Allahut, duke shpresuar që të fitojë lumturinë në këtë botë dhe në botën tjetër.

Në Kuranin Fisnik ka shumë ajete dhe po ashtu në fjalët e profetit (a.s) ka shumë hadithe, që flasin për Xhenetin dhe mirësitë që përjeton besimtari atje. E gjitha kjo bëhet, që besimtarët të motivohen sa më shumë në përkushtimin e tyre ndaj Allahut dhe pse jo edhe t’i bëjnë ballë sfidave dhe vështirësive me të cilat përballen. Është më se e vërtetë, se nëse njeriu e di se çfarë Allahu ka përgatitur për të në botën tjetër, nëse ai e di se në Xhenet ka gjithçka që ai dëshiron dhe që ia ka ëndja, i lind një dëshirë e zjarrtë për të qenë banor i Xhenetit. Dhe si rrjedhojë ai do përpiqet që ta fitojë Atë duke bërë sa më shumë vepra të mira  dhe duke qenë prej atyre njerëzve që e lusin Allahun me frikë se mos ndëshkohen dhe me dëshirë për të hyrë në Xhenet.

3 – Dora e Allahut:

Dijetari i shquar Ibnu Uthejmin (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Hadithi i transmetuar nga Ebu Musa pohon, se Allahu ka dorë, madje Ai ka dy Duar. Në suren El Maide lexojmë si vijon: “Hebrenjtë thanë: dora e Allahut është e shtrënguar. Duart iu lidhshin dhe mallkuar qofshin për këtë thënie. Përkundrazi, të dyja Duart e Tij janë të hapura”11.  Detyrë e jona është që të besojmë tek dy Duart e Allahut të pohura nga ky ajet kuranor.

Por këtu duhet të bëjmë shumë kujdes, sepse nuk na lejohet që të imagjinojmë se dy Duart e Tij janë të ngjashme me duart tona. Ajeti kuranor i përmendur në suren Esh Shura e sqaron mjaft mirë këtë fakt. Allahu i Lartësuar thotë: “Atij asgjë nuk i ngjan. Ai është Dëgjuesi dhe Shikuesi.”12 Në duhet të veprojmë kështu, sa herë që hasim në ndonjë atribut të Allahut të Lartësuar. Ne duhet ta besojmë Atë, por absolutisht nuk duhet ta shëmbëllejmë atë me cilësitë e krijesave, sepse Allahut asgjë nuk i ngjan qoftë në qenien hyjnore dhe qoftë në atributet e Tij”.

4 – Lindja e diellit nga perëndimi:

Dikush me të drejtë mund të pyesë: A mund të lindë dielli nga Perëndimi, ndërkohë që ai gjithmonë lind nga Lindja?

Po, është më se e vërtetë, qysh kur Allahu e ka krijuar diellin e deri më sot ai lind nga Lindja. Por kur të afrohet fundi i botës, Allahu ka për ta urdhëruar diellin që të kthehet andej nga ka ardhur duke lindur nga Perëndimi. Kur njerëzit do ta shikojnë një fenomen të tillë, do të besojnë që të gjithë; do të besojnë hebrenjtë, të krishterët, budistët, komunistët dhe të gjithë të tjerët. Por besimi i tyre do të jetë i pavlefshëm sepse pas lindjes së diellit nga perëndimi, besimi nuk vlen më. Jo vetëm kaq por që të gjithë do të pendohen, por ai që nuk është penduar përpara se të lindë dielli nga Perëndimi, pendesa e tij nuk ka për t’u pranuar, për arsye se këtë mrekulli e shenjë që të gjithë njerëzit e shohin me sytë e tyre. Kjo shenjë paralajmëruese tregon, se nëse ajo vjen, nuk vlen as besimi dhe as pendesa.

5 – Hapja e portës së pendesës derisa të lindë dielli nga perëndimi:

Allahu i Lartësuar me madhërinë e Tij e ka hapur portën e pendesës, derisa dielli të lindë nga Perëndimi. Ky hadith e dëshmon një fakt të tillë. Prandaj njeriu duhet të nxitojë që të pendohet sa më shpejt tek Allahu. Nëse ai pendohet, atëherë Allahu ia pranon pendesën. Dijetarët thonë: “Lindja e diellit nga perëndimi është kufiri deri kur pranohet pendesa. Ky është edhe kuptimi i ajetit kuranor: “A mos vallë presin që t’u vijnë engjëjt ose të vijë Zoti yt, ose të vijnë disa shenja të Zotit tënd? Ditën kur të vijnë disa shenja të Zotit tënd, atëherë nuk do t’i bëjë askujt besimi i tij, nëse nuk ka besuar më parë ose nuk ka bërë një të mirë me besimin e tij.”13

6 – Thirrësi nuk duhet t’ua humbë shpresat njerëzve nga mëshira e Allahut:

Thirrësi duhet të pajiset me një cilësi mjaft të rëndësishme. Ai duhet t’u flasë njerëzve për mëshirën e pakufishme të Allahut dhe asnjëherë nuk duhet që të jetë pesimist, duke ua humbur atyre shpresat nga mëshira e Tij. Duke vepruar kështu, ai i ngjan veprës së profetit (a.s), i cili për të sqaruar mëshirën e Allahut thotë: “Me të vërtetë Allahu i Lartësuar e shtrin dorën natën që të pendohet ai që kë mëkatuar gjatë ditës. Po ashtu Ai e shtrin dorën e Tij ditën që të pendohet ai që ka mëkatuar gjatë natës. Kjo ndodh derisa dielli të lindë nga perëndimi.” Me të vërtetë mëshira e Allahut ka përfshirë gjithçka.

Allahu i Lartësuar e ka dënuar dhe kritikuar ashpër pesimizmin, ku në një ajet kuranor thotë: “Mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut. Shpresën në mëshirën e Allahut nuk e humb askush, përveç jobesimtarëve.”14 Në Kuranin Fisnik Allahu përmend fjalët e profetit Ibrahim (a.s), i cili thotë: “E kush mund ta humbë shpresën nga mëshira e Zotit të vet, përveç atyre që janë të humbur.”15  Në shumë ajete kuranore Allahu i Lartësuar na ka tërhequr vëmendjen për të mos i humbur shpresat nga mëshira e Allahut. Në suren Ez Zumer Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: O robërit e Mi që jeni mbushur plot me mëkate, mos i humbni shpresat nga mëshira e Allahut. Me të vërtetë Allahu i fal të gjitha mëkatet. Me të vërtetë Ai është Falësi dhe Mëshiruesi.”16

Ky ajet dhe ajete të tjera dëshmojnë për faljen e mëkateve nga Allahu për atë që pendohet. Prandaj njeriu nuk ka pse t’i humbë shpresat nga mëshira e Allahut, sado mëkate që të ketë bërë, sepse porta e pendesës dhe mëshirës është shumë e gjerë. Allahu i Lartësuar thotë: “A nuk e dinë ata se Allahu është Ai që e pranon pendimin dhe bamirësinë nga robërit e Vet dhe se Ai është Pranuesi i pendimeve dhe Mëshirëploti.”17 Në një ajet tjetër Allahu i Lartësuar thotë: “Kush punon vepër të keqe ose e ngarkon veten me gjynahe, pastaj kërkon falje prej Allahut, do të gjejë se Allahu është Falës e Mëshirëplotë.”18 “Pa dyshim që hipokritët do të jenë në thellësinë më të madhe të Xhehenemit dhe ti kurrsesi nuk do t’u gjesh atyre ndihmës. Përveç atyre që pendohen.”19 “Ata të cilët thanë: Allahu është tre, kanë mohuar. Nuk ka zot tjetër përveç Një Zoti. Nëse nuk heqin dorë nga ato që thonë, patjetër që jobesimtarët nga mesi i tyre do t’i godasë një dënim i dhembshëm. Përse nuk pendohen tek Allahu dhe përse nuk kërkojnë falje tek Ai? Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.”20 Hasen El Basri thotë: “Shiko bujarinë hyjnore, ata (jobesimtarët) i kanë vrarë miqtë e Allahut, ndërsa Allahu i fton që të pendohen dhe të kërkojnë falje. Si ky ajet ka edhe shumë ajete të tjera”./Perktheu: Elton Harxhi

Epilog:

Njëherë e një kohë, një popull zullumqar urdhëroi një vajzë të bukur që të shfaqte veten e saj përpara Rebia ibnu Hajthemes, se ndoshta ai mund të binte në mëkat. Madje, i thanë asaj se nëse ajo ia arrinte qëllimit, do t’i jepnin 1000 dinarë. Kështu që, për t’ia arritur qëllimit ajo vishet dhe pispilloset dhe i del përpara kur ai doli nga xhamia. Ai iu shmang asaj, mirëpo ajo e ndoqi atë nga pas, derisa Rebia u ndal dhe ju drejtua asaj me këto fjalë: “Nëse ti do të sëmureshe me epidemi, dhe ngjyra e trupit do të të ndryshonte, si do të reagoje?! Si do të reagoje nëse engjëlli i vdekjes do të ta merrte jetën?! Si do t’i përgjigjesh dy engjëjve Munkerit dhe Nekirit?! Kur dëgjoi këto fjalë, ajo bërtiti me të madhe dhe u shtri në tokë pa ndjenja. Pasi u përmend, u pendua dhe u bë një adhuruese e devotshme.

Allahu na bëftë prej atyre që pendohen dhe kthehen tek Ai.


1 Transmeton imam Muslimi.

2 Sure Et Teube: 128.

3 Transmeton imam Muslimi.

4 Transmeton imam Ahmedi. Zinxhiri i transmetimit është Hasen

5  Transmeton imam Ahmedi. Zinxhiri i transmetimit është Hasen

6  Sure El A’rafë: 156

7  Sure Gafir: 3.

8  Sure Taha: 82

9 Transemton imam Muslimi.

10 Transmeton imam Muslimi.

11 Sure El Maide: 64.

12  Sure Esh Shura: 11.

13  Sure El En’am: 158

14  Sure Jusuf: 87.

15  Sure El Hixhr: 56

16  Sure Ez Zumer: 53.

17  Sure Et Teube: 104.

18  Sure En Nisa: 110.

19 Suren En Nisa: 145 – 146.

20  Sure El Maide: 73-74.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit