10 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Zoti me “z” të vogël!

Më të lexuarat

Justinian Topulli

 

Më ka rënë shpesh në sy që në ligjërimin e shkruar shqip fjala “zot”, kur flitet për Krijuesin të përdoret me “z” të vogël! Padyshim që ky absurditet drejtshkrimor e ka origjinën e vet që nga koha kur PPSH futi ideologjinë e saj ateiste edhe në drejtshkrimin e gjuhës shqipe, duke e konsideruar Zotin si një qenie inekzistente dhe për më tepër si një objekt që nuk denjon t’i shkruhet as emri me shkronjë të madhe! Edhe pse në fakt sipas rregullave të drejtshkrimit shqip çdo emër i përveçëm që identifikon një entitet të caktuar duhet t’i fillojë emri me shkronjë të madhe. Por, mesa duket emri i Krijuesit për arsye ideologjike përjashtohej ekskluzivisht nga ky rregull!

Fjala “zot” vjen në kuptime të ndryshme, por kur ajo përdoret për të identifikuar qenien e Krijuesit të vetëm, pra Atë që ne muslimanët e quajmë Allah, ajo detyrimisht duhet të shkruhet me shkronjë të madhe. Në fakt këtë gabim të qëllimshëm ideologjik në drejtshkrimin e gjuhës shqipe që trashëgohet vende vende edhe sot nuk jam kurrsesi unë i pari që e vë në dukje, thjesht nisur nga qëndrimi si besimtar, por këtë e kam lexuar edhe nga gjuhëtar të sotëm shqiptar. Çështja në fakt është e qartë dhe besimtarët në Zot nuk kanë nevojë tua thuash diçka të tillë, por ajo që më shtyu të shkruaj këto rreshta është se dje dhe sot tek lexoja disa rreshta nga fushata e dy njerëzve që i përkasin dy forcave të ndryshme politike dhe që gjithashtu janë dhe besimtarë muslimanë që falen, më vrau syrin fakti që e kishin shkruar emrin e Zotit me “z” të vogël, edhe pse konteksti dukej qartë që nuk mund të ishte një lapsus momental.

Eh! Kjo nuk është ndonjë gjë e madhe mund të thotë dikush! Për ne si besimtar po, është. Është, sepse respekti ndaj Krijuesit fillon që nga respekti ndaj emrave të Tij dhe nëse çdonjëri nga ne do të ndjehej i fyer nëse dikush në mënyrë neglizhente do t’ia shkruante emrin e tij me të vogël edhe pse në shkrimin e tij ka përdorur emra të tjerë me shkronjë të madhe, natyrisht që po njëlloj emri i Zotit me “z” të vogël do të konsiderohej mungesë respekti, pavarësisht mungesës së një qëllimi të tillë nga ana e shkruesit.

Gjithsesi, një besimtar që Zotin e ka gjënë më të shtrenjtë dhe më të shenjtë në jetën e tij duhet t’i kushtoj rëndësi edhe kësaj simbolike, sado dytësore që ajo të duket për disa.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit