12.8 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Zmbrapset Policia Kufitare

Më të lexuarat

Fotografia e shfaqur e dy policëve kufitarë të Kosovës të arrestuar dhe të shtrirë përtokë ditë më parë, që u publikua nga ministri i Brendshëm serb, Ivica Dacic, duket se ua ka futur frikën në “palcë” pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.


Frika se edhe ata mund të bëhen “lajm” në mediet e Prishtinës e të Beogradit, ka bërë që Policia Kufitare e Kosovës të tërhiqet disa kilometra brenda territorit. Por, jo vetëm kaq. Patrullimet e dikurshme përskaj vijës kufitare me Serbinë, tashmë janë zhvendosur në thellësi të territorit dhe uniforma e shtetit as që mund të shihet, njofton gazeta “Zëri”.

Nga e tërë kjo situatë, më “fitimtari” duket të jetë kryepolici kosovar, Shpend Maxhuni, i cili në ditën që janë rrëmbyer zyrtarët policorë nga xhandarmëria serbe pati deklaruar se skenat e tilla nuk do të përsëriten më, por pa e sqaruar nëse Serbia nuk do të përsërisë veprimet si rrëmbimi i atëhershëm, apo policët kosovarë do të tërhiqen në “qendër” të Kosovës, ku shteti serb nuk do të mund të bëjë spektakle të tilla.

Një zyrtar i lartë brenda Policisë së Kosovës i ka konfirmuar gazetës në kushte anonimiteti se nga arrestimi i dy policëve kufitarë të Kosovës, lëvizjet e forcave të rendit në afërsi të vijës kufitare janë reduktuar në masë të madhe, madje patrullimi i tyre tashmë bëhet në thellësi të territorit të Kosovës, dhe jo si rëndom afër vijës së gjelbër të kufirit me Serbinë.

Gazeta ka bërë përpjekje që të kontaktojë zyrtarët e Zyrës për informim të Policisë së Kosovës në lidhje me këtë problematikë, por që me të kuptuar interesimin e gazetës, zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani ka mbyllur telefonin me nervozizëm.

E ndërkaq, banorët e fshatit Dumnicë të Podujevës, që jetojnë përgjatë brezit kufitar me Serbinë, tregojnë se janë të shqetësuar për sigurinë e tyre, të cilët thonë se prania e Policisë së Kosovës është zvogëluar në masë të madhe nga koha e arrestimit të dy zyrtarëve policorë nga shteti serb. /Telegrafi/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit