12.8 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Zhduket pa gjurmë një grua në Skenderaj

Më të lexuarat

Ndonëse kanë kaluar 20 ditë qëkur nëna e katër fëmijëve, Vezire Ngucati ( 28-vjeçe), është zhdukur dhe ende nuk ka asnjë gjurmë për të.

Ajo ka jetuar në banesë njëdhomëshe, në njërën prej ndërtesave të banimit social, bashkë me dy kunetër dhe familjet e tyre, në gjendje të rëndë sociale. Dymbëdhjetë anëtarët në një dhomë dhe në varfëri të skajshme, kanë sjellë herë pas herë mosmarrëveshje mes tyre, për çka në disa raste është dashur të intervenojë edhe policia.

Por, kjo e fundit as të martën nuk ka dhënë asnjë informacion për Vezirën, ndonëse bashkëshorti i saj, Sedati, zhdukjen e ka paraqitur vetëm pas dy orësh. “Nuk mund të them asgjë, bisedoni me komandantin (Basri Durmishi) ose drejtohuni te Zyra Rajonale e policisë për informim në Mitrovicë”, ka qenë përgjigjja e shkurtër e zv/komandantit të Stacionit të Policisë në Skënderaj, toger Agim Idrizi.
“Gruaja doli herët, ne menduam se ka dalë si çdo ditë për të blerë diçka për ushqim, por u vonua dhe më nuk u kthye. Prita edhe pak dhe e lajmërova policinë. E kam kërkuar gjithkah ku ne kemi të njohshëm, edhe në Prizren prej nga është familja e saj, por nuk ka asnjë gjurmë”, thotë Sedati me pezmin se policia nuk po bën asgjë. Sedati i druan më të keqes, por vazhdimisht e përmend Malishevën.
“E kam kërkuar edhe atje në Malishevë, por megjithëse kam pasur disa dyshime, nuk e kam gjetur. Tani gjendjen me fëmijët e kam shumë të rëndë. Dy prej tyre i kam dërguar në Zllakuqan, në një familje që të m’i mbajë, ndërsa dy të tjerë janë me mua. Kjo punë duhet të kryhet shpejt, sepse kështu në këtë ankth nuk mund të jetohet”, ka thënë Sedati, të martën.
Ai lut qytetarët që nëse e shohin diku gruan e tij, e veshur si në fotografi, ta lajmërojnë atë në numrin 049-410-121, ose stacionin më të afërt të policisë.(Zëri)/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit