7.2 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Zgjedhjet në veri të vendit, aplikon vetëm PDK -afati mbyllet sonte

Më të lexuarat

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri tani ka pranuar vetëm një aplikim për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan. Ndërkohë, për subjektet politike sot është afati i fundit për të aplikuar në KQZ, të drejtë aplikimi kanë pasur që nga data 9 prill.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi pohoi për Telegrafin, se vetëm Partia Demokratike e Kosovës ka aplikuar për certifikim për zgjedhjet në veri. Ai, tha që aplikimet do t’i presin edhe gjatë ditës së sotme.

“Sot është afati i fundit për subjektet politike, që të aplikojnë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme në këto komuna. Aplikimet do t’i presim deri në orën 24:00. Deri më tani kemi pranuar vetëm një aplikim. Bëhet fjalë për Partinë Demokratike të Kosovës, e cila ka paraqitur aplikimin për kryetar të këtyre komunave”, ka thënë Valmir Elezi.

Ndërkohë, nga partitë shqiptare, AAK është deklaruar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme. Nëpërmjet një komunikatë të bërë, AAK ka theksuar se votuesit e saj, do të të jenë krejtësisht të lirë të mbështesin kandidatët më të mirë, pavarësisht përkatësisë së tyre politike e partiake.

Kurse, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka bërë të ditur se do të marrin pjesë në zgjedhjet në komunat veriore. Nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri, ditë më parë ka deklaruar  se së shpejti do t’i bëjnë zyrtare kandidaturat e tyre.

Ndërkaq, nga Vetëvendosje ende nuk është dhënë ndonjë përgjigje, nëse do t’i hyjnë garës në zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri.

Kujtojmë se, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka marrë vendim që të shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme për komunat, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, pasi kryetarët e tyre dhanë dorëheqje të parevokueshme.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për komunat veriore do të mbahen më 19 maj.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit