4.7 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Zgjedhjet e Marsit në KMSH!

Më të lexuarat

Roald A. HYSA

Gjithandej përflitet që në muajin mars do të ketë zgjedhje për karrigen e Kryetarit të KMSH dhe një pjesë e bisedave tashmë i dedikohen këtij fakti. Shumë emra përfliten gjithashtu për të hipur në këtë karrige, por që për efekt se asnjëri prej tyre nuk i ka shfaqur, as zyrtarisht, as privatisht pretendimet për këtë vend, nuk po i përmendim. Gjithsesi ky mendohet të jetë edhe eventi më i rëndësishëm për vitin 2019, gjithmonë nëse do të kurorëzohet me sukses, dhe për këtë kemi dyshimet tona, duke parë se edhe zgjedhjet e tjera më herët kanë qenë një fiasko nga disa drejtime. Gjëja e parë që të shkon ndërmend është t’i drejtohesh faqes zyrtare të Komunitetit për të marrë vesh diçka të vogël, se si do të zhvillohet ky proces, data se kur do të ndërmerren zgjedhjet, kandidaturat e mundshme me CV-të përkatëse etj.
Në fakt, nuk ka asgjë! Por kur themi asgjë, po asgjë fare… kështu e gjithë sa thamë më sipër merr një përgjigje, që nuk mund të jetë përgjigje. Nuk mund t’i vesh edhe shumë faj stafit të sotëm të KMSH-së, se këta njerëz në këtë gjendje e gjetën. Hafiz Sabri Koçi u zgjodh kryetar i KMSH-së pas një ringritje të strukturave të Komunitetit në kuadër të rrethanave të reja të krijuara pas rënies së regjimit komunist në ato momente. Më pas dy kryetarët e tjerë janë zgjedhur në rrethana krejt të panjohura për publikun e gjerë në përgjithësi, e në veçanti atij publiku musliman, që vazhdimisht ka qenë i interesuar për zhvillimet brenda komunitetit të tyre. Gara i është njoftuar publikut pasi kanë mbaruar zgjedhjet dhe të gjithë ne jemi detyruar me dashje apo pa dashje ta pranojmë figurën e Kryetarit, pavarësisht a është i aftë ose jo, a i plotëson kriteret më të thjeshta për të qenë drejtues fetar e shpirtëror njëkohësisht etj.
Prej vitesh ky institucion vuan nga mungesa e transparencës, dhe në vijim stafi që përzgjidhet aty rregullisht nuk e ndjen nevojën që ta fillojë në ndonjë mënyrë procesin e të qenit transparent me publikun e gjerë musliman. Pra, sipas fjalëve që qarkullojnë nën zë, mund të themi se do të ketë zgjedhje, dhe kandidat do të jenë, filani dhe fësteku; ama duke mos pasur asgjë zyrtarisht, mund të themi se asgjë nuk ka për të ndodhur dhe na mbetet vetëm që të kalojë MARSI për të marrë vesh se çfarë do të ndodhë!
Kjo mungesë transparence e KMSH e vendos atë në pozita komode për atë çka ndodh rreth saj, kështu që ajo për shumë gjëra që ndodhin këtu në Shqipëri dhe që kërkohet qëndrimi i saj publik mund të shprehet apo mund të mos shprehet sipas nxehtësisë së çështjes. Ashtu si edhe ka ndodhur kur grupe besimtarësh i janë drejtuar publikisht me pyetje konkrete, KMSH-së dhe disa figurave të saj publike, dhe besimtarët nuk kanë marrë edhe sot e kësaj dite përgjigje.
Shpresojmë që në ditët në vijim të marrim qoftë edhe një përgjigje të thjeshtë, se kur do të jetë dita e zgjedhjeve për kryetar, dhe figurat e bashkësisë muslimane të zbresin nga kolltukët e rehatshëm të shoqatave për të marrë pjesë në një proces transparent për të gjithë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit