8.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Yvonne Ridley – gazetarja që pranoi Islamin pasi u morr peng nga talibanët

Më të lexuarat

Yvonne Ridley, ish reportere e Sunday Express-it, e cila ishte mbajtur peng nga Talibanët në Afganistan për t’u bërë më vonë muslimane, flet për Arab News Review në një intervistë ekskluzive në Xhide. Ajo thotë se eksperienca e të mbajturit peng i ka hequr një vello prej fanatizmit dhe paragjykimi ndaj Islamit.
Ridley, e cila ka mbuluar haxhin e këtij viti për Islam Channel-in, flet për tema të ndryshme si dhe për dy librat e saj: “Në duar të Talibanëve”, dhe “Tiketë për Parajsë”.

Pyetje: A mendoni se do të ishit bërë muslimane sikur të mos ishit zënë rob nga Talibanët?
Përgjigje: Dyshoj mjaftë në këtë. Ma merr mendja se do të kisha vazhduar ta mbuloj Lindjen e Mesme, sikur që bëjnë shumica e gazetarëve pa e kuptuar plotësisht Islamin. Kjo është shumë keq, pasi që Islami është më tepër një mënyrë jete se sa vetëm fe,andaj gazetarët duhet të përpiqen që ta kuptojnë atë. Sikur të mos e kisha përjetuar këtë eksperience, me siguri do të kisha mbetur e krishterë. Shpesh e kam thënë se më parë kam mbajtur një vello – një vello prej fanatizmi dhe paragjykimi ndaj Islamit, dhe fatkeqësisht, ma merr mendja se akoma do e kisha mbajtur sikur të mos kishte qenë eksperienca ime.

Pyetje: Ç’mendoni për mënyrën se si mediet perëndimore kanë shkruar për eksperiencën tuaj?
Përgjigje: Mediet perëndimore janë në hall të madh si ta shpjegojnë konvertimin tim në Islam. Shumë kritikë i drejtohen sindromit të Stokholmit duke thënë se ky është një rast klasik i po atij sindromi. Por, e vërteta është se unë nuk kam lidhur kurrfarë marrëveshje me kapësit e mi. Përkundrazi, jam treguar mjaft abuzive ndaj tyre, i kam pështyrë e mallkuar pareshtur. Të vetmit njerëz, me të cilët isha e lidhur ishin 6 fundamentalistët e krishterë, me të cilët isha e mbyllur në burg të Kabulit.

Pyetje: Ju jeni duke planifikuar një film bazuar në librin tuaj “Në Duar të Talibanëve”. Çfarë mesazhi do dëshironit të bartni?
Përgjigje: Një regjisor i Hollivudit ka shprehur interesim për të bërë një film. Pas një bisede që pata me të, u pa shumë qartë, shumë shpejt se filmi do të ishte krejt trillim dhe fantazi ku do të poshtëroheshin Talibanët. Unë nuk jam një përkrahëse e Talibanëve, ama nuk kam dëshirë t’i shohë ata duke u poshtëruar e keqkuptuar.

Pyetje: Deri ku ka arritur projekti?
Përgjigje: Akoma është duke u folur për të, por përderisa nuk shoh ndonjë letër për ta firmosur, nuk jam duke e marrë shumë seriozisht. Do kisha dashur një portretizim të vërtetë të ngjarjeve, dhe një portretizim të vërtetë të trajtimit tim, i cili aspak nuk ishte i ngjashëm me atë të Abu Garibit apo Gjirit të Guantanamos. Le të shohim: Hollivudi me siguri nuk do të paraqet një imazh të shkëlqyer të robërimin tim. Ata do ta rrëmbejnë ngjarjen dhe do ta kthejnë në absurditet.

Pyetje: Çka për librin tjetër “Tiketë për Parajsë”?
Përgjigje: Është një triler i imagjinuar. Është bazuar në ngjarjet e 9/11 ku edhe personazhet janë të imagjinuar. Hapet në Nju Jork dhe çon lexuesin në një udhëtim përmes Londrës deri në Lindjen e Mesme me një vështrim meditues në çështjen e operacioneve martire. Në mbulesë të librit paraqitet një luftëtar i Hamasit, kurse përmbajtja brenda u dedikohet popullit të Xheninit dhe martirëve të tyre. Është censuruar në Izrael. Shpesh kam thirrur në bojkotimin e prodhimeve të Izraelit, kështu që mendoj se ata vetëm po përpiqen të hakmerren.

Pyetje: A mendon se Afganistani është më mirë tani se përpara?
Përgjigje: Amerika ka dëshmuar se nuk është ndërtues i një shteti. Duhet të shikosh Afganistanin. Është i ndarë, i pa ligj dhe i pa sigurt. Kidnapime dhe sulme të shpeshta nga rezistuesit. Hamid Karzai nuk mund t’ju besojë as njerëzve të vet për ta mbrojtur. Detyrohet të ketë truproje amerikane. Disa copëza shprese mund të dukën në kryeqytet, por pjesa tjetër e vendit është rrëmujë. Kam qenë sërish, katër a pesë herë, dhe kudo që kam shkuar, gra e burra më kanë thënë se ju mungon sigurimi që kanë pasur nën Talibanët. Vendi është ende në krizë. Tregimi i vetëm i suksesshëm ka të bëjë me fushën e opiumit që e ka bërë Afganistanin prodhuesi numër një të opiumin në botë. Kjo transmetohet në heroinë në rrugët e Perëndimit. Industria e pornografisë është duke lulëzuar – pornografia, e cila pritet të shitet nën arkën e shitësit, tani është duke u ekspozuar në Xhelalabad dhe Kabul. Amerikanët u kanë dhënë afganistanasve çlirimin në formë të seksit, drogës dhe rok’n rollit.

Pyetje: Si mendoni se ngjarjet e krijuara nga 9/11 do të mbarojnë? Ose a do të mbarojnë ndonjëherë?
Përgjigje: Nuk mendoj se 9/11 ishte fillimi i diçkaje; ishte vazhdimi. Do doja sikur populli amerikan të kishte qëndruar dhe pyetur pse 9/11 ndodhi. Kam frikë se 9/11 është një indikacion i gjërave që do të vijnë. Përderisa politika e jashtme e Amerikës nuk ndryshon rrënjësisht, ma merr mendja se fatkeqësisht do të ndodhin më shumë katastrofa. Është një luftë e pa mbarim.
Pyetje: Si i ka ndryshuar 9/11 mediet botërore, posaçërisht apo të Perëndimit?
Përgjigje: Mediet amerikane janë bërë histerike. Ditët e mëdha të gazetarisë hetuese amerikane janë tretur. Me përjashtime të njerëzve si Seymour Hersh, mediet amerikane janë të pa guximshme. Nuk po ju ofrojnë popullit amerikan të vërtetën. Për fat të mirë, mediet evropiane nuk janë fundosur aq poshtë, por ka shenja se mund të ndodhë.

Pyetje: Ju keni kryer haxhin shumë shpejtë pas pranimit të Islamit. Pse?
Përgjigje: Aktualisht punoj për Islam Channel-in, një stacion satelitor evropian dhe afrikan me bazë në Londër, por me ambicie globale. Ne kemi dërguar një ekip gazetarësh e prezantuesish për të mbuluar haxhin dhe unë isha mjaft me fat të ndodhem në mesin e tyre. Ia dola ta kryej haxhin bashkë me punën time. Vet haxhi ishte një eksperiencë shumë prekëse, thjesht për shkak të numrit të madh të muslimanëve të përfshirë. Është e pa besueshme. Ata që nuk kanë qenë në haxh duhet bërë këtë. Të bën të vetëdijshëm për rrënjët tua si musliman. Eksperienca ishte absolutisht e pa harruar dhe thellë prekëse për mua.
Një ditë isha vonuar për namaz dhe po nxitoja përmes rrugëve të stërmbushura drejt Haremit. Me dhjetëra mijëra pelegrinazh ishin rrugëve. Ishte kaos i vërtetë – secili shtyhej, ndeshej e përplasej me tjetrin vetëm për të hyrë në Harem me kohë. Papritur u dëgjua thirrja për namaz, çdokush ndaloi, prej një kaosi njerëzit menjëherë u renditën në rreshta të drejtë. Mendova se asnjë ushtri në botë nuk do të kishte mundur të koncentrohej aq shpejt. Dhe prapë mendova për ushtrinë e Allahut dhe se unë jam pjesë e saj. Sytë më mbushën me lot kur kujtoj atë që pashë.

Pyetje: Na tregoni diçka rreth Islam Channel-it?
Përgjigje: Është lëshuar vetëm para ca muajsh dhe është një televizion shumë tërheqës në gjuhën angleze, 24 orësh me ambicie globale. Hëpërhë mbulon vetëm Evropën dhe Afrikën Veriore, por ka një vizion global dhe planifikon të mbuloj gjithë botën. Qëllimi kryesor është propaganda fetare; ne posedojmë dijetarë, të cilët na ndihmojnë në përgatitjen e programeve të drejtpërdrejta në anglisht.

Pyetje: Ju keni një vajzë. Sa vjeçare është ajo?
Përgjigje: Është 12 vjeçare, shkon në shkollë dhe duket mjaft e interesuar për Islamin. Do të kishte qenë e arritura ime më e madhe krahas pranimit të Islamit – ta shohë bijën time të bëhet muslimane. Ajo është duke u rritur konform vlerave islame. Është bukur vështirë kur dihet se unë jam muslimane qe 18 muaj. Kjo do të thotë se e kam vështirë ta mësoj atë kur vetë kam mjaft për të mësuar.

Shkruar nga Yvonne Ridley

(Nga anglishtja: Jeton Mehmeti) 
e enjte , 13 shtator 2007

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit