21.7 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Ymeri: Vizita e Dikoviqit në Prishtinë e papranueshme dhe ofendim i rëndë

Më të lexuarat

Kreu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ka thënë se vizita e komandantit të ushtrisë serbe në Prishtinë është e papranueshme dhe është një ofendim i rëndë për popullin e Kosovës.

Ai ka thënë se Dikoviq, i cili në vitin 1999 ka qenë komandant i Trupave Tokësore të Serbisë, është përgjegjës për krimet e masakrat e bëra në Kosovë prej reparteve ushtarake të varura prej tij.

“Dikoviq është akuzuar për krime lufte prej shumë organizatave humanitare në Beograd, dhe kundër emërimit të tij si kryekomandant i ushtrisë serbe janë shprehur edhe aktivistet e njohura të të drejtave të njeriut Sonia Biserko apo Natasha Kandiq. Ky akuzohet drejtpërdrejt për si pjesëmarrje dhe urdhërdhënje të masakrës së Rezallës, Çikatovës, e fshatrave tjera në Drenicë”, ka thënë Ymeri.

Sipas tij, një personazh i tillë, që edhe në Serbi konsiderohet kontrovers, po rehabilitohet në vendin ku ai i ka kryer krimet, pra në Kosovë.
“Kjo është një fyerje për shqiptarët, të cilët ende nuk kanë marrë drejtësi për vuajtjet e rrënimin që pësuan prej luftës”, ka thënë Ymeri, transmeton Koha.net.

KFOR-i t’i kërkojë falje popullit të Kosovës për ofendimin e rëndë
Kjo vizitë e Dikoviqit në Prishtinë është e papranueshme dhe tendencioze, thotë Ymeri.
“Vizitat e tilla po i rehabilitojnë figurat përgjegjëse për krime të tmerrshme gjenocidale. Bashkëpunëtorë politikë të Millosheviqit, si Aleksandar Vuçiq e si Ivica Daçiq janë rehabilituar tashmë prej qëndrimit të padrejtë që ndërkombëtarët dhe pushteti i korruptuar i Kosovës ka mbajtur ndaj tyre. Sot po ndodh edhe rehabilitimi i bashkëpunëtorëve ushtarakë të Millosheviqit”.

Ymeri ka bindjen se KFOR-i duhet t’i kërkojë falje popullit të Kosovës për këtë ofendim të rëndë të plagëve ende të pambyllura.

“Dikoviqi është shef i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë së Serbisë, ushtri kjo kriminale e cila prapa vetes ka lënë shumë viktima të luftës e brenda vetes ka po aq shumë kriminelë lufte. Dikoviqi është emëruar në krye të ushtrisë së Serbisë nga Vuçiqi, miku i Mustafës e Thaçit, dhe sponzorizuesi i Zajednicës”, ka thënë Ymeri. “Ky është një argument shtesë pse duhet ndalur përfundimisht ky proces dialogu me Serbinë, pse duhet kushtëzuar çfarëdo marrëdhënie me të, dhe pse nuk duhet në asnjë mënyrë të zbatohen marrëveshjet për ‘Zajednicën’. ‘Zajednica’ do të jetë edhe e Dikoviqit, siç është e Vuçiqit”, ka shtuar ai.

Në fund të deklaratës së tij, Ymeri ka thënë se mohimi i drejtësisë për një popull të tërë është cenimi më i rëndë që mund t’i bëhet paqes.

Kujtojmë se në prani të komandantit të KFOR-it Gjeneral Major Guglielmo Luigi Miglietta dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë serbe, Gjeneralit Dikoviq, në Prishtinë u nënshkrua marrëveshja mbi procedurat e përkohshme operative pas një relaksimi të plotë të Zonës së Sigurisë Ajrore.

Zona e sigurisë ajrore (ZSA), e cila është e përcaktuar me Marrëveshjen Teknike Ushtarake, shtrihet përgjatë kufirit mes Kosovës dhe Serbisë në gjerësi prej 25 kilometrash, transmetojnë mediat serbe. Në faqen e internetit, KFOR-i në të njëjtën kohë bëri të ditur se vendimi për relaksimin e ZSA-së është marrë si përgjigje ndaj qasjes konstruktive dhe angazhimit të vazhdueshëm për normalizimin e hapësirës ajrore të Serbisë në Ballkan dhe reflekton bashkëpunimin pozitiv të KFOR-it dhe ushtrisë serbe.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit