10.3 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Ymeri: Imponimi me dhunë i demarkacionit thellon krizën në Kosovë

Më të lexuarat

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se imponimi me dhunë i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e zi e thellon krizën politike dhe rrit pakënaqësinë qytetare në Kosovë.

Ymeri ka thënë se po rritet numri i ekspertëve që po kundërshtojnë versionin e demarkacionit të propozuar nga Qeveria, të cilës, lideri i VV-së i ka bërë thirrje që ta heq demarkacionin si kusht për liberalizim të vizave.

“Numri i ekspertëve që po e kundërshtojnë versionin e demarkacionit të propozuar nga qeveria vetëm po shtohet. Profesorë, studiues, profesionistë të gjeografisë, topografisë e marrëdhënieve ndërkombëtare po këmbëngulin që ky demarkacion është gabim, për të mos thënë krim, sepse ia heq Kosovës një pjesë të tokës së vet”, ka shkruar Ymeri.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të martën gjatë ditës përsëriti qëndrimin e tij se demarkacioni me Malin e Zi është kusht për liberalizimin e vizave derisa u bëri thirrje deputetëve të pozitës dhe opozitës që të bashkohen për votimin e marrëveshjes së tanishme të demarkacionit.

Ndërkaq Ymeri ka thënë se vetëm Kosovës i është vënë demarkacioni si kusht për liberalizimin e vizave, derisa ka shtuar se dikush ka lobuar që demarkacioni të jetë si kusht.

“Po na thonë se miratimi i demarkacionit është kusht për liberalizim të vizave. Është detyrë e qeverisë dhe e diplomacisë së Kosovës që ta heqë këtë kusht. Fakti është se ky kusht nuk ka qenë për asnjë vend tjetër, madje Ukraina e Gjeorgjia të cilave iu liberalizuan së fundmi vizat, kanë kufij të kontestuar. Ky kusht iu vu vetëm Kosovës, dhe vetëm në vitin e fundit që ka qenë vit protestash. Asnjëherë askush nuk ka arritur ta shpjegojë me argumente të bazuara lidhshmërinë në mes të demarkimit të vijës kufitare dhe procesit të liberalizimit të vizave”, ka shkruar Ymeri.

“Me sa duket, dikush ka bërë lobing që Kosovës t’i vihet edhe ky kusht, që të vështirësohet argumenti opozitar. Por sa veta do të ishin në gjendje të falnin shtëpinë e tyre e të mbesnin të pastrehë, në këmbim të liberalizimit të vizave? Kjo do të ishte e padrejtë. Ne vizat i duam sepse duam të jemi të barabartë me të tjerët, dhe t’i gëzojmë të drejtat e liritë e barabarta me të tjerët. Thelbi i të qenit europian janë kushtet e standardet e barabarta ligjore e kontraktuale. Nuk bën të pranojmë standarde të dyfishta”, ka shtuar ai.

“Imponimi me dhunë i kësaj Marrëveshje për demarkacion vetëm sa e thellon krizën politike dhe e rrit pakënaqësinë e qytetarëve. Mënyra se si po sillet Qeveria nuk ka të bëjë fare me demokracinë, që funksionon me bindje, por me autokracinë kriminale, e cila funksionon me forcë. As mos e çoni nëpërmend ta shisni a ta dhuroni Kosovën. Ajo s’është as e pushtetit e as e opozitës. Thirrini mendjes!”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit