16.5 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Yildirim: SHBA-ja të kërkojë zgjidhjen duke respektuar legjislacionin turk, jo me sanksione

Më të lexuarat

Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë, Binali Yildirim, deklaroi të martën se luhatjet në kursin e këmbimit valutor janë politike dhe jo ekonomike…

 

Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë, Binali Yildirim, deklaroi të martën se luhatjet në kursin e këmbimit valutor janë politike dhe jo ekonomike.

Binali Yildirim realizoi në Pallatin “Çankaya” një takim me shefat e misioneve diplomatike të pranishëm në Turqi me rastin e Konferencës 10. të Ambasadorëve.

Në fokusin e fjalimit të Kryeparlamentarit Yildirim drejtuar ambasadorëve ishin zhvillimet ekonomike të ditëve të fundit.

“Administrata amerikane duhet ta kërkojë zgjidhjen duke respektuar legjislacionin tonë dhe jo duke u përpjekur që të na detyrojë neve t’u plotësojmë kërkesat me një sërë fjalësh, diskursesh, sanksionesh apo cicërimash (tweet) të papërgjegjshme të Presidentit (Donald Trump)”, tha kreu i Parlamentit të Turqisë në shenjë reagimi kundër qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila vendosi pak ditë më parë sanksione ndaj dy ministrave turq dhe dyfishoi tarifat doganore për importet e aluminit dhe çelikut turk në 20% dhe 50% respektivisht.

Yildirim u ndal më tej mbi problemin ndërmjet dy vendeve për masën e sigurisë së arrestit në shtëpi kundër një prifti amerikan, i cili vazhdon të gjykohet me akuzën për lidhje me organizatën separatiste terroriste, PKK dhe organizatën terroriste gyleniste (FETO), kjo e fundit përgjegjëse për tentativën e dështuar për grusht shteti të 15 Korrikut 2016.

“Ne jemi të mendimit se ka ende shanse për gjetjen e zgjidhjes dhe se për arritjen e zgjidhjes nevojitet një qasje me qetësi ndaj çështjes. Kurse ajo që duhet të bëjë hapin e parë dhe të vijë në një pikë të qëndrueshme në lidhje me këtë çështje është administrata amerikane”, theksoi ai.

“Misioni më i rëndësishëm i ambasadorëve tanë të nderuar është të vënë në veprim bashkësinë ndërkombëtare dhe të ndërgjegjësojnë më mirë vendet dhe opinionet publike të tyre. Turqia do të dalë me sukses nga kjo krizë. Luhatjet në kursin valutor janë të pashpjegueshme me treguesit ekonomikë të Turqisë. Baza e këtyre zhvillimeve është politike dhe jo ekonomike”, shtoi ish-kryeministri turk.

Binali Yildirim nënvizoi gjithashtu se Parlamenti është i gatshëm të bëjë të gjitha amendamentet për të cilat ka nevojë qeveria, me vetëdije kombëtare dhe pa dallim ndërmjet forcave politike.

“Turqia është e mbyllur karshi imponimeve ekonomike për llogari politike. Miqtë, armiqtë dhe të gjithë duhet ta dinë këtë gjë”, përfundoi kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit