10 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Yildirim: Edhe pse nuk është shkaktare e konfliktit në Siri, Turqia i vuan më së shumti pasojat

Më të lexuarat

Kryeministri Binali Jëlldërëm (Yıldırım) në fjalën që mbajti në Forumin e Ekonomisë së Re organizuar në Madrid të Spanjës tha se Turqia nuk është shkaktare e problemit në Siri, por ajo (Turqia) ka paguar një kosto të lartë.

 

Duke folur për çështjen siriane, Kryeministri turk tha: “Ne nuk mund ta zgjidhim problemin duke ndërguar mure, duke i shtrënguar hyrjet dhe daljet në kufijtë tanë. Nuk jemi ne shkaku i problemit në Siri, as jemi ne ata që e filluan këtë, por ne jemi ata që paguajnë pasojat, që vuajnë koston e kësaj”.

Për 8 vite Turqia kujdeset për 3,5 milionë refugjatë,- nënvizoi Kryeministri Jëlldërëm dhe shtoi: “Ne kemi shpenzuar nga buxheti ynë 30 miliardë dollarë dhe këtë e kemi bërë me kënaqësinë më të madhe, pasi ne jemi një vend që kemi përvetësuar filozofinë “krijoji kushte jetese njeriut, që të jetojë bota”.

Duke shpjeguar se në botë sot ka 65 milionë refugjatë dhe njerëz që kanë mbetur pa atdhe, Binali Jëlldërëm deklaroi se 20 vendet më të mëdha në OKB-në me 194 shtete anëtare, janë edhe destinacioni i refugjatëve.

“Ne nuk mund t’i mbyllim veshët ndaj këtyre problemeve”, nënvizoi Jëlldërm dhe në lidhje me krizën e imigrantëve në Mesdhe tha: “Ne duam që Mesdheu të mos jetë një det, ku çdo ditë shuhen jetët e qindra fëmijëve, njerëzve; por të jetë një det i mirëqenies, paqes e miqësisë. Për këtë, Spanjës dhe Turqisë i takon një përgjegjësi shumë e madhe.”

Në lidhje me marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe Bashkimit Evropian (BE), Kryeministri Jëlldërëm tha se Ankaraja është e vendosur për anëtarësimin e vendit në BE dhe do ta vazhdojë angazhimin e saj në këtë drejtim.

“Në mesin e vendeve anëtare të BE-së ka nga ato që janë në gjendje më të keqe se sa Turqia në aspektin ekonomik dhe infrastrukturor. Kemi të bëjmë me një qasje ideologjike kundër Turqisë. Duhet të jemi të sinqertë, ne do ta vazhdojmë angazhimin tonë; nuk do të jemi ne ata që do ta lënë (tryezën). Zhvillimi i marrëdhënieve tona me Rusinë nuk është një alternativë për Evropën. Marrëdhëniet Turqi-Rusia janë të nevojshme edhe për sigurinë e Evropës. Evropa nuk mund ta përjashtojë Rusinë. Euroazia duhet të jetë një qendër gjeografike e paqes”,- tha Jëlldërëm.

Duke përjashtuar Spanjën, Kryeministri Jëlldërëm iu drejtua edhe disa miqve evropianë, që mbështesin organizatën separatiste terroriste PKK dhe organizatën terroriste FETO, duke shtuar se kjo gjë e hidhëron Turqinë.

“Këto fjalë nuk janë për Spanjën, por për disa miq tanë evropianë, të cilët, fatkeqësisht, i ofrojnë hapësirë pa masë organizatës terroriste FETO dhe pikëllojnë Turqinë. Nga pikëpamja e të ardhmes së Bashkimit Evropian, nuk është një gjë e mençur hidhërimi i një aleati të madh si Turqia. Ofrimi i tepërt i hapësirës për rrymat radikale do të jetë kërcënimi më i madh për Evropën”, tha Jëlldërëm.

Në kuadër të kontakteve në Madrid, Kryeministri Jëlldërëm u prit në takim edhe nga Mbreti i Spanjës, Filipi i 6-të.

Audienca u zhvilluat pa praninë e mediave në Pallatin Zarzuela dhe zgjati rreth 1,5 orë.

Pas përfundimit të kontakteve Kryeministri Jëlldërëm u nis për në Ankara.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit