Xhamia e Madhe e Bursës ruan madhështinë edhe përkundër viteve

0
106

Xhamia e Madhe e Bursës (Ulu Cami), e ndërtuar me urdhër të Sulltan Bajazitit të Parë mes viteve 1396-1399, e cila ka vlerë si faltore e rëndësishme te besimtarët muslimanë, vazhdon të sfidojë vitet me madhështinë e saj, shkruan Anadolu Agency (AA).

E ndërtuar rreth 600 vite më parë në kryeqytetin e parë të Shtetit Osman, Bursa, Xhamia e Madhe e Bursës me 20 kupola bën pjesë në mesin e xhamive të rëndësishme në botën islame.

Udhëpërshkruesi Evlija Çelebi e përshkruan atë si “Ajasofja e Bursës”. Në këtë xhami ekspozohet edhe një mbulesë 500 vjeçare e Qabes, e cila xhamisë iu dhurua nga ana e Sulltan Selimit pasi u soll në Stamboll pas çlirimit të Egjiptit.

– Tiparet arkitekturale

Arkitekti i Xhamisë së Madhe të Bursës nuk është i njohur plotësisht, edhe pse mendohet të jetë ndërtuar nga Ali Neccar ose Haci Ivaz Pasha. Riparimi më gjithëpërfshirës është bërë pas tërmetit të vitit 1855, i cili shkatërroi 17 kupola të saj, për t’u rihapur në vitin 1862.

Xhamia u dëmtua edhe si pasojë e një zjarri në vitin 1889, ndërsa edhe përkundër këtyre fatkeqësive, ajo ka arritur ta ruajë pamjen e saj madhështore.

Xhamia ka përmasa 55 me 69 metra me një plan drejtkëndor. Me gjithsej 58 dritare, xhamia posedon një shatërvan dymbëdhjetëkëndor në mes, mbi të cilin kupola është e hapur për të mundësuar depërtimin e dritës.

Minberi i xhamisë është i ndërtuar nga dru arre dhe cilësohet si vepër arti. Ai është ndërtuar nga mjeshtri Haxhi Muhammed bin Abdulaziz Ibnu’d-Dakki. Në anën lindore të minberit gjendet gravurë që portretizon sistemin diellor, ndërsa në anën perëndimore sistemin galaktik.

– “Muze i arteve kaligrafike”

Me afër 200 pllaka kaligrafike dhe shkrime në murë, Xhamia e Madhe e Bursës cilësohet edhe si “muze i arteve kaligrafike”.

Brenda xhamisë ekzistojnë 13 karaktere të ndryshme të shkrimit, si dhe 105 pllaka dhe 87 shkrime në mur të shkruara nga 41 kaligrafistë.

– “Atmosferë që prek shpirtin e njeriut”

Turan Akyıldız, një nga qytetarët që kishte ardhur nga Stambolli dhe fali namazin e sabahut në këtë xhami, tha se vlera shpirtërore e kësaj xhamie është e madhe, duke u rekomanduar të gjithëve ta vizitojnë atë.

Ndërkaq, Yener Ilhan nga provinca verilindore Artvin, tha se është e pamundur të largohet nga Bursa pa falur namazin e sabahut në Xhaminë e Madhe. “Këtu ka një atmosferë më ndryshe. Ndihemi ndryshe në këtë xhami”, shtoi ai.

Murat Sevinçtekin, po ashtu nga Stambolli, e cilësoi si të veçantë atmosferën në këtë xhami. “Në namazin e sabahut, këtu ka një atmosferë që prek shpirtin e njeriut”, theksoi Sevinçtekin.