7.8 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

VV: KE po i financon strukturat ilegale në Kosovë

Më të lexuarat

Lëvizja Vetëvendosje vlerësoi të mërkurën se i ashtuquajturi Universiteti i veriut të Mitrovicës funksionon jashtë sistemit arsimor në Kosovë dhe si i tillë është i jashtëligjshëm. Sipas Vetëvendosjes me financimin e këtij Universiteti nga Komisioni ose po financohen institucionet e jashtëligjshme, ose veriu i Kosovës po konsiderohet si pjesë e Serbisë.
Sipas Vetëvendosjes ky universitet, funksionon në kuadër të sistemit arsimor të Serbisë dhe me planprogram të po atij vendi, në territorin e Republikës së Kosovës.

“Duke e ditur këtë fakt, financimi i këtij Universiteti nga ana e Komisionit Evropian, të jep mundësi për dy përfundime: Komisioni Evropian po financon institucione të jashtëligjshme, ose Komisioni Evropian po e konsideron veriun e Kosovës si pjesë të Serbisë”, thekson Vetëvendosje.

Sipas kësaj lëvizje, universiteti ilegal i veriut bashkë me institucionet ilegale të sigurisë, shëndetësisë, transportit, energjetikës e postës përbëjnë hallkat kryesore të zinxhirit të institucioneve të cilin Serbia e shfrytëzon çdo ditë për ta minuar pavarësinë e Kosovës.

“Mënyra e ndarjes se fondeve nga Komisioni Evropian, gjegjësisht balancimi që ndodh aty, flet se sa arbitrar e i padrejtë është trajtimi i Kosovës si vend multietnik. Arbitrar sepse është në s’përputhje të madhe me realitetin demografik. I padrejtë, sepse ky Komision duke barazuar institucionet legale të Republikës së Kosovës me institucionet ilegale të Republikës së Serbisë, jo vetëm që nuk po e respekton vullnetin politik të popullit të Kosovës për shtet të pavarur e sovran, por për më tepër përmes këtij veprimi Komisioni Evropian po inkurajon strukturat e Serbisë dhe aktivitetin e tyre të paligjshëm”, vlerëson Vetëvendosje.

“Në vend se të ndihmohet publikja e Republikës së Kosovës, drejt konsolidimit të shtetit tonë, Komisioni Evropian po i financon strukturat ilegale të Serbisë brenda shtetit tonë. Financimi i Universitetit të Prishtinës do të mundësonte krijimin e kushteve për arsimim të të gjitha pakicave në Kosovë. Përderisa ‘Universiteti’ nuk ka në asnjë rast karakter etnik, përkundrazi ai është institucioni i shkencës dhe artit, fuqizimi i Universitetit të Prishtinës do t’i trajtonte të gjithë si studentë, e jo si shqiptarë ose serbë. Kjo, është rruga e vetme drejt integrimit të serbëve të Kosovës në institucionet e Republikës së Kosovës. Financimi i strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë, nuk është hap drejt integrimit të serbëve në institucionet e Kosovës, por është hap drejt konsolidimit të barrikadave etnike në Kosovë”, thuhet në kumtesën e Vetëvendosjes. /Telegrafi/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit