Vuçiqi nën presion të madh të brendshëm, i kërkohet të shpall okupimin e Kosovës

0
67

Duket se miratimi në parim i tre projektligjeve në Kuvendin e Kosovës që i hapin rrugë krijimit të ushtrisë së Kosovës ka alarmuar autoritetet në Beograd, pasi zyrtarët e lartë të Serbisë kanë filluar pa ndërprerë të deklarohen kundër ushtrisë së Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është nën presionin e madh të brendshëm që autoritetet në Beograd të shpallin okupimin e Kosovës, pasi sipas tyre vetëm KFOR-i mund të jetë ushtria e vetme që përkujdeset për sigurinë e vendit dhe të qytetarëve, shkruan e përditshmja serbe Novosti, transmeton Telegrafi.

Këtë informacion “Novosti” pretendon se ia ka konfirmuar një bashkëbisedues që mban pozitë të lartë në qeverinë e Serbisë, se një opsion i tillë është duke u shqyrtuar prej kohësh nga bashkëpunëtorët e afërt të shefit të qeverisë serbe, si dhe nga zyrtarët e lartë ushtarak.

Ky shqyrtim është intensifikuar edhe më shumë pas kërkesës së ambasadores amerikane në OKB, Nikki Haley, drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres,  nga i cili kërkon që UNMIK-u të largohet nga Kosova.

Sipas “Novosti” autoritetet në Prishtinë janë trimëruar nga ngjarjet e fundit dhe kërkesës për largimin e UNMIK-ut nga Kosova, sa që me një shpejtësi të madhe miratuan në parim tre projektligjet me të cilët parashihet transformimi i FSK-së në ushtri.

Lidhur me zhvillimet e fundit ka reaguar edhe ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, i cili ka deklaruar se ushtria e Kosovës po formohet që t’i kërcënojë serbët dhe Serbinë.

“Derisa Rezoluta 1244 është në fuqi, në Kosovë nuk mund të ketë kurrfarë force tjetër të armatosur përpos KFOR-it. Në ushtrinë e Kosovës në të cilën nuk ka serbë dhe kundër të cilës janë serbët dhe Serbia, është ushtria që është formuar për t’i kërcënuar serbët dhe Serbinë”, ka shtuar Vulin.