7.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Vuçiç dhe Hoti, dy marioneta në fushatën e Trump

Më të lexuarat

Nga Andi Bushati

Që kur në skenën diplomatike të Ballkanit ka hyrë një diplomat kaubojs si Riçard Grenell, opinioni Shqiptar është ndarë më dysh.

Nga njëra anë u renditën ata që Amerikës i besojnë më shumë se nënës që i ka pjellë apo se zotit që i falen, duke pretenduar se rinisja e bisedimeve Kosovë- Serbi do të përfundonte me një marëveshje që do të prodhonte njohje reciproke mes dy vendeve.

Nga tjetra ishte ai grupim që e shihnin negociatorin që përdorte çizmen para arsyes si një agjent që kërkonte ti shërbente vetëm fushatës elektorale të padronit të vet. Këta të dytët trembeshin se për këtë qëllim, me të njëjtën moskokçarje që la në baltë kurdët e Sirisë, administrata Trump mund të rihapte edhe idenë e Thaçit dhe Vuçiçit si një zgjidhje me këmbim popullsise dhe territoresh.

Fati e deshi, po aq sa rezistenca brenda shqiptarëve dhe kundërshtimi i prerë i Gjermanisë, që kjo zgjidhje mos shtrohej në tryezë.

Por, ama, një gjë u vërtetua qartësisht përpara takimit në Shtëpinë e Bardhë: Aleksandar Vuçiç dhe Avdullah Hoti u përdorën si pupacë në teatrin e kukullave të Trump. Dhe këtë nuk e vërteton vetëm një foto, që po bën xhiron e botës, ku presidenti serb qëndron si çirak përballë ustait në zyrën ovale.

Ka më shumë sesa një element që dëshmon se takimi i Uashingronit ishte një përpjekje për ti veshur një aurelolë ndërkombëtare presidentit të gremisur keq në sondazhe, dhe që ka dështuar në të gjitha nismat grandioze të politikës së jashtme, sesa për të zgjidhur ndonjë problem real mes Kosovës dhe Serbisë.

Askush nuk është në gjendje të kuptojë se pse duhej futur mes dy shteteve Ballkanikë patatja e nxehtë e zhvendosjes së ambasadave respektive në Jeruzalem, e cila është pjesë e një plani tejet të kontestuar të hartuar nga dhëndri i Trumpit, Kushner dhe i cili nuk përkrahet as nga demokratët amerikanë dhe as nga europianët.

Askush nuk mund të gjejë ndonjë lidhje mes shtyrjes përpara të procesit të afrimit mes Serbisë dhe Kosovës detyrimi që atyre iu bë për të mos përdorur në rrjetin e tyre 5G, apo në aeroporte, teknologjinë kineze. Kjo pjesë e një beteje që dy gjigandët ekonomikë po zhvillojnë me njëri tjetrin, mund të vlejë për ti dëshmuar zgjedhësve amerikanë se autori i slloganit “America first” nuk i ka tradhëtuar, por ajo nuk i ndihmon aspak afrimit të Prishtinës me Beogradin.

Në të gjithë këtë komedi paraelektorale ka dhe një debat tejet qesharak, që e mvesh delegacionin shqiptar me të njëjtat ngjyra humoristike si ato të dërgatave që ia behën në konferencën e paqes në Versajë, një shekull më parë. Në vend që të shkonin në Shtëpinë e Bardhë për të arritur një sukses diplomatik, shqiptarët përpak rrëzuan edhe qeverinë e koalicionit shatra patra që krijuan me aq mundim. Shkak për këtë u bë ajo pikë e dokumentit që fliste për shfrytëzimin e liqenit të Ujmanit, i cili duhej përdorur njësoj si nga Kosova edhe nga Serbia. Ramush Haredinaj që kishte dy antarë kabineti në delegacion e kundërshtoi atë duke lënë vetëm dy alternativa: ose prishjen e parodisë të inskenuar për fushatën elektorale amerikane, ose shpënien e Kosovës në zgjedhje si pasojë e prishjes së koalicionit.

Mjafton ky episod, sa qesharak aq edhe turpërues, për të kuptuar se së paku, pala shqiptare as nuk e dinte se çfarë letrash do ti viheshin përpara. Përndryshe as Ramush Haradinaj nuk do të reagonte në minutat e fundit, as partnerët e tij nuk do të silleshin si të surprizuar nga ky kundërshtim.

Në çdo marrëveshje serioze dhe normale do duhej që drafti i saj të ishte i njohur nga të gjithë, që së paku anëtarët e qeverisë të kishin rënë dakord me të dhe pastaj të zhvillohej ceremonia. Por me sa duket kryeministrin Hoti, që para takimit fliste për njohje reciproke, bashkë me ata që i shkonin nga pas, i kanë shpënë mish për top në Uashington, pa i informuar as për dokumentat që do i vinin përpara.

E pra, ajo që ndodhi në Shtëpinë e Bardhë, ku të tre protagonistët nuk nënshkruan asnjë copë letër të tre sëbashku, nuk është një fazë e re e historisë së dashurisë që Amerika i dhuron pa kursim Kosovës. Më tepër, ajo i ngjan fabulës së atij që kërkon haraç për nderin e dikurshëm. Këtë herë ishte Kosova ajo që u përdor për hir të interesave elektorale amerikane. Dhe ndoshta pikërisht për këtë, në kohën e kulmit të pandemisë, një diplomati kaubojs si Grenelli, iu desh për kryeministër dikush që është i gatshëm të firmosë edhe pa i lexuar letrat.

Takimi i Uashingtonit ishte prova e fundit se qeveria Hoti e ka merituar plotësisht emërtimin që i kanë vënë kundërshtarët e saj. Ai gjithashtu i dha të drejtë të gjithë atyre që vazhdojnë të pretendojnë se doktrina diplomatike e një shteti serioz nuk mund të jetë vetëm: “i besojmë symbyllur Amerikës”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit