10.3 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Vrau shokun për një makinë, autori bëhet “memec”

Më të lexuarat

Marjo Ribaj, 23-vjeçari që akuzohet nga policia si autor i vrasjes dy ditë më parë, të bashkëmoshatarit të tij, Fabjon Veizaj, nuk ka pranuar të dëshmojë për grupin e hetimit. Burime konfidenciale policore, thanë për “Shekulli” se, ai ka refuzuar të flasë, duke mos pranuar t’i përgjigjet asnjë prej pyetjeve që i kanë drejtuar atij pjesëtarët e grupit të hetimit.

Menjëherë pasi u kap në afërsi të fshatit ku dyshohet se realizoi vrasjen e bashkëmoshatarit të vet, 23-vjeçari Marjo Ribaj u shoqërua për në komisariatin e policisë, ku u pyet rreth ngjarjes. Por, pavarësisht se, sipas policisë, provat në ngarkim të tij janë të plota, 23-vjeçari nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve që i janë drejtuar nga ekspertët e hetimit. Ai nuk ka dëshmuar për ngjarjen që tronditi fshatin e tij të origjinës, ku, sipas policisë, ka edhe një banesë, duke refuzuar të flasë.

Por, kjo heshtje e tij, sipas policisë, në terminologjinë e hetimit, do të thotë mungesë argumentesh dhe indirekt, pohim i asaj që ka ndodhur. Mësohet se, ekspertët e kanë ballafaquar të riun me provat e grumbulluara në ngarkim të tij, mes të cilave arma e vrasjes dhe fishekët e saj, që u gjetën jo shumë larg vendngjarjes.

Por, pavarësisht kësaj, policia ka deklaruar se, Ribaj është autor i vrasjes. Në këto kushte, atij i është komunikuar arresti në kushtet e flagrancës. Bashkë me të është arrestuar edhe shoku i tij, njëkohësisht bashkëpunëtor në vrasje, sipas policisë, 28-vjeçari Endri Pango, banor i qytetit të Vlorës.

Arrestimi

Dy të rinjtë Marjo Ribaj dhe Endri Pango, u kapën nga policia rreth 10 orë pas ngjarjes në fshatin Vranisht, 55 km në juglindje të Vlorës, ku mbeti i vrarë 23-vjeçari Fabion Veizaj. Viktima u qëllua pranë banesës së tij, me një armë automatike model 56 dhe ndërroi jetë menjëherë për shkak të plagëve të rënda. Menjëherë pas kësaj, autori i dyshuar, Marjo Ribaj dhe shoku i tij, 28 vjeçar, Endri Pango, janë larguar nga vendngjarja me një autoveturë tip “Fiat Punto”, me targa AL 892 VS, pronë e Ribajt, por pa shkuar shumë larg.

Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë hetimore operacionale, u arrit të lokalizohej vendndodhja dhe pas disa orë ndjekjesh në zonat përreth, mes vështirësive për shkak të errësirë, terrenit të thyer dhe reshjeve të shumta, errësirës dhe motit të paqëndrueshëm nga reshjet e shiut, u mundësua prangosja e të dyshuarit dhe shokut të tij.

Ribaj dhe Pango, u kapën në dalje të fshatit Vranisht, në vendin e emërtuar “Qafa e Halimit”, teksa përpiqeshin t’i shpëtonin ndjekjes së policisë, duke udhëtuar me automjetin tip “Fiat-Punto” me targë AL 892 VS. Gjatë krehjes së zonës, u gjet dhe u sekuestrua arma e përdorur në vrasje, një automatik model 56, 2 krehra dhe 50 copë fishekë të kalibrit 7.62 mm, të cilat autori i dyshuar i kishte fshehur në një zonë pyjore, rreth 300 m larg banesës së tij.

Policia tha se, motivet e ngjarjes lidhen me një konflikt të lindur mes autorit dhe viktimës për shkak të një makine. Pak muaj më parë, në muajin gusht, Ribaj i kishte shitur një makinë Veizajt, por nuk kishte marrë ende paratë. Në këto kushte, sipas policisë, ai shkoi në banesën e bashkëmoshatarit të tij dhe, pas një grindjeje, qëlloi ndaj tij, duke e lënë të vdekur në vend. Policia tha se, Ribaj dhe Pango, janë persona me precedentë të mëparshëm penalë./Gazeta Shekulli/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit