Vrasja: Si u ekzekutuan dy të rinjtë në Durrës

0
158

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 20:45 të mbrëmjes së djeshme, në zonën e njohur si “Torra” në Durrës. Viktimë e atentatit janë Ervin Kodra dhe Endri Çaushaj. Policia nis hetimet. Zbardhet dinamika e ngjarjes së rëndë. Autorët u qëlluan me automatik.

Ngjarje e rëndë me dy të vrarë, në një prej zonave më të populluara të Durrësit. Dy persona kanë humbur jetën si pasojë e një sulmi me armë, pasi u ishte zënë pritë pranë vendit të quajtur “Torra”.

Krimi ndodhi rreth orës 20:45 të mbrëmjes së djeshme dhe sipas policisë, viktimë e sulmit me armë janë Ervin Kodra, 33 vjeç, lindur dhe banues në Durrës, dhe Endri Çaushaj, 25 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë. Atentati ndaj tyre ishte i mirorganizuar dhe për nga mënyra e ekzekutimit është i tipit mafioz.

Në momentin që dy të rinjtë po futeshin në rrethrrotullim dhe automjeti ishte me një shpejtësi të vogël, u qëlluan me breshëri automatiku. Kodra dhe Çaushaj udhëtonin me një automjet tip “BMW” ngjyrë gri, me targa “AA 292 IH”.

Sipas dëshmitarëve, pak sekonda pasi mbi ta është derdhur breshëria e armës, fuoristrada humbi kontrollin dhe pasi u përplas me një tjetër autoveturë, ndaloi pranë bordurës së një lokali.

Personat që panë skenën e krimit treguan para policisë se dëgjuan të shtëna armësh dhe të rinjtë kishin kanë marrë disa plumba në trup, duke u shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Fillimisht u tentua t’u jepet ndihma e parë, por policia konfirmon se vdekja e Kodrës dhe Çaushajt ka qenë e menjëhershme.

Xhamat e automjetit ku udhëtonin viktimat janë thuajse të gjithë të thyer, çka tregon se u qëllua nga një numër i madh plumbash.

Në vendin e ngjarjes ndodhen shumë efektivë të policisë së rendit, ndërsa u rrethua zona dhe specialistët e kriminalistikës po grumbullojnë provat në zonën ku u krye atentati.

Aktualisht po punohet më me imtësi për të verifikuar kush ishin viktimat e kësaj ngjarjeje mjaft të rëndë. Emri i Ervin Kodrës del si në regjistrat e policisë, ashtu edhe atë të gjyqësorit.

Ai ishte shoqëruar në vitin 2008, një ditë pas vrasjes së një personi.

Gjithsesi, Kodra u la i lirë pasi nuk u provua se fshehu autorët e një krimi.

Gjithashtu, të tria shkallët e gjyqësorit e kanë shpallur të pafajshëm. Edhe ky informacion po verifikohet nga ana e policisë dhe konsiderohet ende shpejt për të dhënë një version zyrtar mbi motivet e krimit.

Ndërkohë, policia e Durrësit ka kërkuar më shumë të dhëna nga homologët në Vlorë, për të zbuluar të shkuarën e të riut tjetër që mbeti i vrarë në këtë atentat.

Ngjarja mbetet nga më të rëndat të ndodhura në muajt e fundit, pasi u regjistrua në një nga zonat e populluara të qytetit bregdetar dhe bilanci është mjaft i rëndë.

Për nga mënyra e ekzekutimit, paraprakisht nuk mendohet se është një ngjarje momentale, pasi ka të dhëna se autorët e kishin organizuar më parë pritën dhe më pas ndodhi atentati.

Policia ka ngritur disa postblloqe si në hyrje, ashtu edhe në dalje të qytetit, por deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nuk ka pasur të ndaluar.