8 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Vlerat e objekteve të kultit musliman të shkatërruara nga monizmi

Më të lexuarat

Prof. Dr. Valter Shtylla

Historikisht dihet se xhamitë në unitet me hamamet publike, me medresetë, me pazaret etj., përbënin gjatë shekujve të kaluar bërthamën urbanistike të qyteteve tona mesjetare. Nuk zhduket lehtë nga kujtesa e banorëve të Elbasanit Xhamia e Ballies pranë pazarit dhe Xhamia e Agajt pranë hamamit të pazarit.

Xhamia e Ballies
Xhamia e Ballies, e ndërtuar në vitin 1606, qëndronte hijshëm karshi hyrjes së kalasë. Ajo ishte një nga tri xhamitë me minare në pazarin e qytetit të Elbasanit. Plani i saj përbëhej nga salla qendrore e lutjeve mbuluar me kupolë, nga portiku në anën veriore dhe nga minarja. Portiku verior, ndërtuar më vonë se salla qendrore, reflektonte elementë të arkitekturës popullore në harkadën e tij.
Pranë hamamit të vjetër të qytetit, monument kulture i rëndësishëm i shekullit XVI, ka qenë Xhamia e Agajt, ndërtim që identifikohet me Xhaminë e Agait të Biçakç Zadesë, të cilën e përmend udhëtari turk Evlia Çelebi në mesin e shekullit XVII. Në gjendjen e para prishjes së saj, Xhamia e Agajt ruante vetëm sallën qendrore të lutjeve në formë kuadrati me përmasa 8.6×8.6m në ballin verior të së cilës dukeshin gjurmët e portikut të drunjtë. Edhe Xhamia e Agajt si ajo e Ballijes mbulohej me kupolë. Deri para vitit 1967 në qendër të qytetit të Kavajës spikaste një kompleks ndërtimor i përbërë nga xhamia kryesore e qytetit, nga portiku monumental para saj si dhe nga kulla e lartë e sahatit në vargun e dyqaneve të pazarit të vjetër. Ky kompleks interesant dhe mjaft përfaqësues për qytetin besimtar të Kavajës u cenua rëndë në vitin 1967 të shekullit XX kur pushtetarët pa kulturë të rrethit nxituan ta kthenin në gërmadhë brenda dy ditëve, duke harruar se së pari ky kompleks ishte një monument unikal kulture dhe pastaj objekt kulti musliman. Kështu dhuna e antikulturës shkatërroi kulturën shekullore të një qyteti, traditën e tij. Sipas mbishkrimit, Xhamia e Kavajës është ndërtuar në vitet 1735-1736. Para portikut të vetë xhamisë, shtrihej një portik i madh mbi kolona guri, i cili me ndërhyrjen e Institutit të Monumenteve u transportua në Muzeun e Durrësit.
Salla qendrore e lutjeve e xhamisë, që ishte në formë katrori me brinjë 8,6m, mbulohej me kupolë. Duhet përgëzuar iniciativa e Xhamisë së Kavajës, që t’i vendosej përpara portiku interesant i dikurshëm, rivendosje që u realizua nga Atelieja e Monumenteve të Kulturës Durrës. Jo shumë larg Kavajës, në vitin 1967, përsëri një xhami monument kulture shkatërrohet. Këtë fat, me urdhër të krerëve pa kulturë të Elbasanit, e pësoi edhe Xhamia e Peqinit, një nga monumentet më të spikatura të besimit musliman në Shqipëri, e ndërtuar me gurë të gdhendur, si dhe kulla e sahatit ngjitur saj. Xhamia e Peqinit është ndërtuar në vitet 1822-23, mbi themelet e një xhamie më të hershme, asaj të Abdurrahman Pashës, një nga krerët e qytetit gjatë shekullit XVII, që pati ndërtuar dhe hamamin me emrin e tij, gjurmët e të cilit ruhen në territorin para kalasë së vjetër të qytetit. Salla e lutjeve mbulohej me kupolë, dhe para saj nga ana e veriut ndodhej hajati me kolona guri me kapitele dekorative. Në të njëjtën kohë me xhaminë janë ndërtuar në trupin e saj edhe minarja nga perëndimi dhe kulla e sahatit nga lindja. Vlen të theksohet, se sipas projektit të autorit të këtij artikulli, bazuar në formulimin arkitektonik të xhamisë së vjetër, materiale që për çdo monument ruhen në arkivin shkencor të Institutit të Monumenteve të Kulturës, u rindërtua xhamia e Peqinit. E gëzuar ishte ajo ditë me shi e vitit 1992, kur me kurbanin tradicional në themelet e xhamisë, populli i Peqinit përuroi fillimin e punimeve për ringritjen e këtij objekti të shenjtë që ia mohoi monizmi.

Xhamia e Peqinit
Asnjë gjurmë nuk ka mbetur sot nga Xhamia e Velabishtit, në fshatin me të njëjtin emër në afërsi të Beratit. Xhamia e Velabishtit është ndërtuar në vitin 1760 nga Ibrahim pashë Velabishti, pranë teqesë dhe sarajeve të tij. Kohët e fundit, para prishjes, ekzistonte salla qendrore e lutjeve me përmasa 6,9 x 6,9 m. Gjithashtu, në xhami dukeshin gjurmët e portikut të drunjtë, mbuluar me kupolë si dhe minarja deri te niveli i kazanit. Nga ana veriore, xhami të tjera të shkatërruara, në kuadrin e fushatës moniste kundër besimit fetar, kanë qenë edhe Xhamia e Përmetit me minare me dy kazanë, Xhamia e Poloskës në Korçë me minare të punuar me mjeshtëri, xhami të tjera në fshatra, si dhe shumë xhamive iu shkëputën simbolin e tyre, minaren etj. Veç xhamive, gjatë shkatërrimeve në fushën e antibesimit fetar u shkatërruan dhe një numër i madh teqesh dhe tyrbesh si teqeja e Vrepckës në Korçë, tyrbja e teqesë së Shën Dyrrit në Tiranë etj. Një numër i madh i objekteve të kultit musliman që i shpëtuan shkatërrimit u transformuan në depo e magazina apo në destinacione të tjera që ia tjetërsuan formën dhe pamjen krejtësisht këtyre ndërtimeve të kultit musliman siç ishte rasti i Xhamisë së Selvies dhe Tophanës në Shkodër etj. Është detyrë për gjurmuesit e Institutit të Monumenteve si dhe për punonjësit e Komunitetit Musliman të zbulojnë dhe evidentojnë këto objekte kulti musliman që ruhen ende në këmbë, por që janë të maskuara si depo, furra etj., që ato të kthehen në shërbim të besimit fetar, pra në funksionin fillestar, në atë funksion që historikisht i mban mend populli. Kjo edhe për arsye financiare, pasi shpenzohet më pak kur kryen punime restauruese se sa kur e ndërton objektin të ri nga themeli, por mbi të gjitha sepse çdo gjë duhet të shkojë në vendin e vet, aq më tepër kur bëhet fjalë për ndërtimet e shenjta. Së fundi, është e rëndësishme të theksohet se duhet zhvilluar bashkëpunimi reciprok ndërmjet Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Komunitetit Musliman, pasi dihet që shumë objekte të kultit musliman janë njëherazi dhe monumente të historisë së kulturës materiale të popullit tonë dhe faltore të besimit fetar të popullit.

Revista “Univers” nr 20
Artikulli është shkëputur nga Revista shkencore-kulturore “Univers”, Nr. 20; fq.238-240; Viti i botimit: 2019
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit