8.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Vlerat dhe vetitë surprizë të orizit të zi

Më të lexuarat

Orizi i zi, i njohur ndryshe si orizi i ndaluar, është një drithë i lashtë me vlera shëndetësore befasuese, madje më të larmishme se të gjitha varietetet e tjera të orizit.

 

Orizi i zi përmban sasinë më të lartë të antioksidantëve, proteinave dhe fibrës dietetike në krahasim me orizët e tjerë, por është edhe një burim i mirë i hekurit, një mineral i vështirë për t’u përfituar nga ata që zgjedhin vetëm drithërat dhe bishtajoret për të marrë proteinat e nevojshme.

Orizi i zi është aq i mirë sa për mijëra vjet me rradhë, elita kineze ruante ekskluzivitetin e konsumit të këtij drithi magjik, duke e bërë atë një produkt të vlefshëm vetëm për të kamurit ose fisnikët. Një racion me oriz të zi përmban vetëm 160 kalori, por nga ana tjetër ofron shumë flavonoidë, fibër, minerale siç janë hekuri dhe bakri dhe proteina. Vetëm pjesa e jashtme e kokrrës së zezë përmban sasinë më të lartë të antioksidantit anthocianinë në krahasim me çdo ushqim tjetër. Nëse këto informacione nuk mjaftojnë për të kuptuar superioritetin e orizit të zi, atëherë le të krahasojmë vlerat e 100 gramëve të çdo orizi.

 

Orizi i bardhë: përmban 6.8 gramë proteina, 1.2 hekur, 0.6 fibër. Orizi kaf: 7.9 gramë proteina, 2.2 hekur dhe 2.8 fibër.

Orizi i Zi: 8.5 gramë proteina, 3.5 hekur, 4.9 fibër dhe sasinë më të lartë të antioksidantëve se çdo varietet tjetër orizi. ]

Vlerat shëndetësore të Orizit të Zi

Studimet kanë treguar që sasia e antioksidantit anthocianinë tek orizi i zi është më e madhe se çdo drithë tjetër, duke ofruar një armë të fuqishme për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, mbrojtjen kundër radikaleve të lira dhe përmirësimin e funksioneve të trurit. Ky drithë ka një ngjyrë të zezët ose vjollcë të errët siç ndodh me boronicat, gjë që tregon sasinë e madhe të antioksidantëve. Sipas të dhënave, konsumimi i orizit të zi ndihmon në detoksifikimin e organizmit dhe pastrimin e mëlçisë nga toksinat. Orizi i zi është një burim i mirë fibrash që përmirëson sistemin tretës dhe ndihmon në parandalimin e simptomave të pakëndshme me tretjen.

 

Si në rastin e çdo varieteti tjetër të këtij drithi, orizi i zi është natyralisht pa gluten, proteina që gjendet në çdo drithë tjetër ose nënprodukt të tyre. Orizi i zi ndihmon në ngadalësimin e përthithjes së sheqerit në gjak, duke parandaluar kështu diabetin. Studimet kanë treguar se përballë rrezikut të shfaqjes së diabetit dhe obezitetit, orizi i ri i vjen organizmit në ndihmë dhe ka efekt parandalues më të lartë në krahasim me karbohidratet e përpunuara. Orizi i zi është i mirë edhe për parandalimin e obezitetit. Konsumatorët shqiptarë mund ta gjejnë orizin e zi në disa prej dyqaneve me produkte të shëndetshme ose supermarketet e mëdha. Nëpërmjet këtij artikulli, AgroWeb.org synon të informojë lexuesit e tij për vlerat e këtij produkti të shëndetshëm dhe me rritjen e kërkesës, ky oriz do të gjendet më lehtë dhe do të kushtojë më pak.

Orizi i zi është i papërpunuar dhe rrjedhimisht është më i ngjeshur se sa orizi i bardhë. Ai kërkon më shumë kohë për t’u gatuar. Përpara se ta gatuani, duhet ta mbani në ujë për të paktën 2-3 orë. Më pas duhet ta zieni për gjysëm ore. Nëse nuk e keni mbajtur në ujë paraprakisht, atëherë duhet ta zieni për një orë duke ruajtur raportin klasik të dy masave ujë për një masë oriz. Sidoqoftë, orizin e zi duhet ta provoni nëse është gatuar sa duhet dhe të vazhdoni ta zieni deri sa të jetë i butë sipas preferencës suaj. Orizi i zi është një produkt që shkon me çdo ushqim tjetër, ose mund të konsumohet veçmas me kripë dhe piper./AgroWeb.org

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit