11.2 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

Vizioni i Profetit Muhamed ne Hudejbije: Çasti i Kthesës

Më të lexuarat

Profeti Muhamed, që u dërgua në tokë si bekim për njerëzimin, përdori vizionin dhe largpamësinë e tij profetike në kampin e Hudejbijes për të transformuar rregullat e pranuara të luftës dhe të paqes, si dhe prezantoi strategji të reja që rezultuan si një pikë kthese që përfshiu gjithë botën, duke hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet njerëzore dhe duke i mundësuar botës të dëshmojë vlerat islame që ndryshuan përgjithmonë situatën ekzistuese në Gadishullin Arabik si dhe në botën e qytetëruar për kohën që flasim.

Profeti Muhamed migroi në Medinë dhe themeloi komunitetin e parë islam. Paganët dhe kurejshët e Mekës e ndoqën Profetin me shpata dhe armë të tjera për ta vrarë dhe për të shkatërruar komunitetin e sapothemeluar të muslimanëve. Aksioni i tyre i parë ishte vrasja e tij ndërsa jetonte në Mekë. Ndërsa po migronte për ne Medinë, ata e ndoqën dhe kontrolluan të gjitha rrugët që të çonin në Medinë. Më vonë, ata vendosën të udhëtojnë në Medinë që të shkatërrojnë komunitetin musliman, duke u përballur edhe me disfata në betejat e Bedrit, Uhudit dhe të tjera beteja. Shtegu i shkatërrimit kishte vetëm një drejtim, nga Meka në Medinë. Por pika e kthesës rezultoi në drejtimin e anasjelltë, nga Medina në Mekë, dhe përfshiu katërmbëdhjetëmijë muslimanë që udhëtonin drejt Mekës jo me qëllimin për të luftuar ndaj Kurejshëve, por për të hyrë në Mekë me qëllim kryerjen e umres.

Qëllimi i Profetit Muhamed për të kryer umren egërsoi dhe irritoi paganët që vendosën t’i bllokonin hyrjen në Mekë atij dhe ndjekësve të tij. Megjithëse mes muslimanëve dhe paganëve të Mekës ekzistonte një gjendje lufte prej 6 vitesh, muslimanët po shkonin në Mekë të paarmatosur gjatë muajit të Dhul Kides, një nga katër muajt gjatë të cilit lufta është e ndaluar. Ishte gjithashtu traditë që askujt nuk i ndalohej hyrja në Mekë. Megjithatë, paganët, duke shkelur traditën dhe ligjet e gjithëpranuara, vendosën ta ndalonin hyrjen e Profetit Muhamed me forcën e armëve. Ata dërguan Halid ibn Uelidin që së bashku me 200 kalorës u bënë gati të godisnin pelegrinët muslimanë. Ndërkohë, disa mijëra paganë të armatosur rëndë qëndruan në Mekë për t’u siguruar që muslimanët të mos futeshin aty.

Profeti Muhamed nuk kishte ndërmend të luftonte. Dduke zbatuar një strategji të re, ai ndryshoi rrugën për në Mekë dhe fushoi në ultësirën e Hudejbijes. Edhe ardhja e lajmit se Othman ibn Afani ishte vrarë nga paganët kurejshë nuk e lëkundi vendosmërinë e Profetit a.s që vazhdoi të shfaqte durim dhe qëndrueshmëri të jashtëzakonshme. Në kamp, ai u ul nën pemën e akacies dhe mori besën e muslimanëve se do të qëndronin të palëkundur dhe do të luftonin për islamin, pavarësisht provokimeve të kurejshëve. Më vonë, lajmi i vrasjes së Othmanit rezultoi i rremë. Muslimanët ishin gati të përballeshin me rrezikun më të madh pa u frikësuar nga lufta. Kjo ishte një tjetër situatë që ndryshoi gjithçka, duke i detyruar paganët të futeshin në negociata me Profetin Muhamed.

Halid bin Uelidi vizitoi kampin e Hudejbijes dhe vëzhgoi disiplinën dhe rregullin e muslimanëve, por mbi të gjitha shfaqjen e vlerave islame dhe dashurinë e muslimanëve për islamin. Qëllimet e mira të muslimanëve shpejtuan procesin e negociatave.

Gjatë negociatave, kurejshët dhe paganët refuzuan të bënin lëshime ose të tregonin sadopak butësi. Përfaqësuesi i paganëve, Suhejl bin Amer kundërshtoi dy herë fjalët e përdorura në traktat. Herën e parë ai refuzoi të pranonte atributet e Allahut si i Mëshirues dhe Mëshirëbërës kur në hyrje të traktatit u shkrua “Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit”. Herën e dytë ai kundërshtoi fjalinë “Muhamedi, I dërguari i Allahut”. Në fjalinë “Në vijim paraqitet teksti i traktatit të nënshkruar mes Muhamedit, Të dërguarit të Allahut dhe Suhejl ibn Amrit”, ai kundërshtoi duke thënë: “Ndal! Nëse do të të pranonim si Të dërguar të Allahut s’do të ishim duke të të luftuar.” Profeti i pranoi të dyja ndërhyrjet e tij dhe formulimi i fjalive u ndryshua, duke treguar se në Islam s’ka imponim. Muhamedi, Profeti i Zotit të Mëshirshëm dhe Mëshirplotë, vijoi të shfaqte mirësinë dhe vlerat humane që islami dëshironte që edhe çdo pagan të përqafonte dhe ndiqte.

Shumë nga situatat dhe zgjidhjet që u bënë pjesë e traktatit të Hudejbijes shërbyen si katalizatorë për forcimin e pozitës së Islamit duke ndryshuar raportet mes palëve. Mes dispozitave të traktatit, ishte edhe njëra që parashikonte se veprimet luftarake mes Mekës dhe Medinës do të pezulloheshin për 10 vjet. Atë vit, muslimanëve nuk do t’u lejohej të futeshin në Mekë, do të largoheshin nga kampi i Hudejbijes dhe do të ktheheshin në Medinë. Një tjetër kusht në traktat u kërkonte muslimanëve të kthenin pas paganët ose pjesëtarët e klanit të kurejshëve që shkonin në Medinë. Nga ana tjetër, nëse një musliman shkonte tek Kurejshët, ata nuk ishin të detyruar ta kthenin pas tek komuniteti musliman. Kushti i fundit rezultoi i vështirë për t’u kapërdirë nga muslimanët duke krijuar një situatë të pakëndshme. Shumë muslimanë shfaqën pakënaqësi dhe mërzi, megjithatë, Profeti a.s e pranoi këtë kusht.

Traktati i Hudejbijes rezultoi një fitore e qartë dhe e zgjuar për muslimanët. Profeti a.s, me besimin e tij dhe bindjen ndaj Allahut, nuk po kërkonte një fitore të shpejtë mbi paganët, por një fitore afatgjatë që do të zgjaste përgjithmonë. Strategjia e tij ishte produkt i urtësisë dhe largpamësisë politike. Ai i urdhëroi muslimanët ta pranonin traktatin dhe të mos vinin në pikëpyetje përmbajtjen e tij. Historianët thonë se shumë nga muslimanët dhe ndjekësit e Profetit pranuan me jo pak ngurrim të respektonin përmbajtjen e saj.

Vizioni i Profetit Muhamed e shndërroi Traktatin e Hudejbijes në një pikë kthese në shumë drejtime. Paganët ndjenë sikur arritën shumë më tepër nga ç’kishin menduar duke u bërë akoma më arrogantë, megjithatë, ata pranuan se Profeti Muhamed ishte një partner i barabartë dhe jo thjesht ndjekës i një religjioni të ri. Edhe pse traktati i bëri paganët më arrogantë, ai vendosi kufizime për sa i përket sjelljes dhe veprimeve të tyre armiqësore.

Pjesëtarët e klanit të kurejshëve në Mekë filluan të mendonin më shumë mbi islamin, duke u përpjekur ta kuptojnë atë, në vend të kryerjes së akteve të agresionit ndaj ndjekësve të tij. Shumë paganë u mahnitën nga vlerat humane islame, të shfaqura në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të thjeshtë nga Profeti Muhamed. Duke dëgjuar Halid ibn Uelidin, komandatin mekas, dhe mekasit e tjerë që vizituan kampin e Hudejbijes, mbi disiplinën, shpirtin dhe unitetin e shfaqur nga katërmbëdhjetëmijë ndjekësit e Islamit, paganët filluan ta shikonin Islamin nga një tjetër perspektivë. Shumë prej tyre filluan të lëkundeshin në armiqësinë e tyre ndaj Islamit. Kjo ndryshoi gjithçka.

Traktati dëshmoi rëndësinë e jashtëzakonshme për të ardhmen e Islamit, duke i dhënë fund armiqësisë së gjithhershme mes Mekasve dhe Medinasve, si dhe krijoi rrugë të reja për depërtimin e vlerave islame në zemër të paganëve, duke nxitur interesin e tyre për islamin dhe mundësuar një qasje më miqësore.

Traktati i Hudejbijes mundësoi edhe një ndryshim tjetër thelbësor, sepse ai u dha muslimanëve paqen dhe sigurinë që u nevojitej për t’u zhvilluar dhe forcuar, pa frikën e pushtimit nga mekasit. Duhet theksuar se Profeti Muhamed kishte arritur të vendoste paqe në Medinë dhe në zonat përreth duke nënshkruar marrëveshje me të krishterët dhe hebrenjtë, përpara se të ndërmerrte udhëtimin për umre në Mekë që përfundoi me nënshkrimin e traktatit të Hudejbijes. Ai, së bashku me katërmbëdhjetëmijë pasues u kthye në Medinë, pa u futur në qytetin e Mekës.

Profeti Muhamed ishte njeri i të vërtetës dhe besës, një njeri që fliste me sinqeritet. Trajtimi që u bëri të krishterëve, hebrenjve dhe paganëve kurejshë, krijoi një atmosferë që përfundoi me vendosjen e paqes në rajon duke i mundësuar atij kohën e duhur për përhapjen e Islamit. Brenda dy muajsh nga kthimi i tij në Medinë, pasi nënshkroi traktatin e Hudejbijes, ai filloi t’i adresohej mbretërve dhe perandorëve që udhëhiqnin shtetet përreth, duke përcjellë mesazhin e Islamit tek të gjithë njerëzit në të katra anët e botës.

Gjykimi, urtësia dhe besimi i patundur tek Allahu, por edhe vizioni profetik në nënshkrimin e traktatit të Hudejbijes, shënuan një pikë kthese që ndryshoi përgjithmonë historinë e Islamit.

Burimi: islamicity.org

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit