10 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Viktima e torturës nga regjimi sirian: Është e pamundur t’i harroj britmat e grave

Më të lexuarat

Mjeshtri i mozaikëve, Abdulrezzak Tavil, i cili u torturua në burgjet e regjimit të Bashar Al-Asadit për 6 vjet, tha se është shumë i prekur nga ajo që ka parë pasi të njëjtat tortura ndaj meshkujve aplikoheshin edhe ndaj femrave.

Mjeshtri i mozaikëve Tavil u arrestua më 9 shkurt 2012 nga dyqani i tij në Damask dhe u dërgua në aeroportin ushtarak Mezze.

Tavil bëri të ditur se ka qëndruar rreth 1 vit në këtë vend pa ditur arsyen. “Jam përballur me tortura të paimagjinueshme gjatë kohës që kam qenë nën arrest”, tha ai.

Ditën e parë të arrestimit Tavil e shpjegon me fjalët: “Duart i kisha të prangosura dhe sytë të mbyllur. Derisa qëndroja në një korridor të gjatë më godisnin kush kalonte aty. Jam rrahur aq shumë saqë kam humbur vetëdijen. Më mbyllën në një dhomë rreth 40 metra katrorë. Ishim 270 persona. Përjetimet janë të papërshkrueshme me fjalë, sado që t’i shpjegoj. Është e pamundur t’i shpjegoj, e pamundur…Shumica e njerëzve ishin të zhveshur dhe njëri mbi tjetrin”.

“Akoma nuk më dalin thonjtë”

“Sa herë që kam dalë nga dhoma për t’u marrë në pyetje jam torturuar. Më kanë shkulur thonjtë dhe më kanë thyer gishtat. Akoma nuk më dalin thonjtë”, tha Tavil duke shtuar: “I lutesha Allahut që të vdisja. Dola më 5 janar 2013. Qëndrova një natë në qendrën e policisë ushtarake. Nga aty më transferuan në burgun Adra ku qëndrova për 5 vite e 2 muaj. Gjatë kësaj kohe kam dalë përpara gjykatës plotësisht 45 herë dhe u dënova me 15 vite burg që më pas u ul në 6 vite e 8 muaj, kohë kjo të cilën e kisha vuajtur”.

Duke përmendur momentet e paharrueshme, Tavil thotë se “Pranë kishim fëmijë 12-14 vjeç dhe situata e tyre më shkaktonte edhe më shumë brengosje. Njëri prej fëmijëve sa herë që afrohej pranë meje afrohej duke qarë. ‘Xhaxhi jam i uritur‘ thoshte fëmija që më brengoste edhe më shumë. Na jepnin nga një lugë pilaf në çdo 24 orë. Ishim të pafuqishëm, saqë po të na prekje rrëzoheshim. Një tjetër gjë që nuk mund ta harroj ishin gratë. Britmat e grave ishin të pabesueshme, ndaj tyre aplikonin të njëjtat gjëra, tortura që kryenin ndaj meshkujve. I kam parë me sytë e mi që i rrihnin të varura dhe të zhveshura. Është e pamundur t’i harroj këto”.

“E pashë nënën time. Nuk dija çfarë të bëja, të buzëqeshja apo të bërtisja?”

Tavil thekson se nuk ka patur mundësi të bëhet prind për shkak të torturave që ka përjetuar. “Më hidhin ujë mbi trup dhe më godisnin me shkop elektrik në organet gjenitale. Mjekët më kanë thënë se për shkak të kësaj nuk mund të kem fëmijë. Jam i martuar por nuk mund të kem fëmijë”, thotë ai.

Ndërsa në lidhje me ditën e fundit në burg, Tavil tha se “Përpara meje në dhomë ndodhej një person i prangosur, e goditën me shkop në kokë dhe njeriu u rrëzua dhe vdiq”.

Momentin kur e ka parë nënën e tij për herë të parë pas daljes nga burgu pas disa vitesh, Tavil e përshkruan me fjalët: “Pashë nënën time më 21 prill 2017 në orën 13:00. Nuk dija çfarë të bëja, të qaja, të buzëqeshja apo të bërtisja?”.

“Brenda, çdo ditë, çdo minutë vdes një njeri në mënyrën më brutale që askush nuk mund ta imagjinojë”, tregon Travil duke bërë të ditur se pavarësisht që ka 2 vite që është liruar e ndjen veten sikur ende ndodhet në burg.

Ai thotë se pas dëbimit nga Damasku ka arritur në Idlib dhe prej aty është strehuar pranë vijës kufitare me Turqinë. “Po përpiqem që në kampet e tendave të ndërtoj një jetë të re dhe të gjejë një mundësi për të punuar”, tha Tavil./AA

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit