13.7 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

VIDEO SKANDAL: Banori i Sarajit ankohet, “kaubojat” e BDI-së me dhunë e largojnë

Më të lexuarat

Vizita e sotme e ministrave dhe deputetëve të BDI-së në Komunën e Sarajit mori kahje të papritur në momentin që një qytetar i kësaj komune, filloi të akuzojë partinë e Ahmetit se i ka kërkuar ryshfet prej 5000 eurosh për punësim në institucione publike. As forca e përdorur nga sigurimi i ministrave të BDI-së nuk e ndaloi qytetarin e revoltuar për të shprehur hallin e tij. Gjithçka filloi me vizitën e funksionarëve të BDI-së, Ministrit të Arsimit Abdilaqim Ademi, Ministrit të Ekonomisë Bekim Neziri dhe deputetit Artan Grubi, tek kryetari i komunës së Sarajit Bekim Murati. Vizita e tyre mori kahje të papritur në momentin kur një qytetar i revoltuar i akuzoi funksionarët se përfaqësues të partisë së tyre i kanë kërkuar shuma të majme parash për punësim në institucione shtetërore.

Sigurimi i funksionarëve të BDI-së tentoi që me përdorimin e forcës të largojë qytetarin nga vendngjarja dhe t’ia mbyllë gojën, në kuptimin tekstual të fjalës.

Megjithatë, asgjë nuk e ndalonte qytetarin Ali Jusufi, për t’ua thënë në sy atë që kishte për tu thënë funksionarëve të BDI-së.
Derisa sigurimi u merrte me qytetarin e revoltuar, funksionarët e BDI-së me shpejtësi u larguan nga vendngjarja.

Pas uljes së tensioneve, ekipi i televizionit Shenja i zgjati mikrofonin qytetarit të revoltuar të Sarajit për t’ia dëgjuar hallin. Nga stresi i tepërt, ai u prononcua në gjuhën maqedonase.

“Kjo kushton 70.000 euro, nuk e dijë as kush e paguan, ndërsa fëmijët tanë nuk kanë as fletore, për të shkuar në shkollë, as rrugë. Ja tani do ta shohim, në fshatin tonë, katër fshatra kalojnë aty, kalojnë nëpër baltë të thellë, shkojnë në shkollë. Nëpër shkollat tona nuk as fletore as asgjë, të gjitha vetë i paguajmë, këtë e din edhe kryetari i Komunës. 15 kërkesa i kemi. Tani para vitit të ri gjithandej kishte punësimi, asnjë nuk u punësua këtu, qoftë në “Ujësjellësin”, qoftë në “Higjiena Komunale”. Tani do të shkojmë, të jeni prezent dhe ta shihni se çfarë ka bërë kreu i Komunës. Po, po, po kërkojnë. Jo vetëm mua, 170 persona, asnjë i punësuar. Këtu shihet qartë. Në secilin konkurs që është hapur në Komunën  time, kemi konkurruar. Një nga familja ime nga 2002 deri më sot, asnjë nuk është punësuar, asnjë. 3000 euro, 5000 euro, 2000 euro, secilit i kanë marrë. Nuk jam vetëm unë, ja edhe zotëriu le t’ju tregojë. Nuk zgjedhin këtu kush çfarë, vetëm shikojnë interesin e vet. 70.000 euro kushton kjo. Një familje 11 anëtarë, nuk kanë bukë për të ngrënë, nuk kanë çati mbi kokë. Pyesni kryetarin e Komunës ose ministrin, kur së fundi kanë qenë në Gërçec? Asnjëherë!”, tha Ali Jusufi.

Frustrimi i banorëve të Sarajit është reagim për shkak të vendimit të komunës për të ndërtuar sheshin në Saraj, në kohën kur pjesa më e madhe  e banorëve përballen me probleme elementare infrastrukturore dhe ekzistenciale.

Adrian Kerimi /SHENJA/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit