15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Video-abuzimi seksual, dhunim i trefishtë, vajza rrezikon vitin shkollor

Më të lexuarat

Eva Murati, psikologe e gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, duke analizuar për “Shekulli”-n, ngjarjen e video- abuzimit seksual të një të miture në ambientet e spitalit, identifikon si përgjegjëse familjen, ndërsa në tërësi shprehet se, ky rast tregoi se shoqërisë shqiptare po i bien vlerat. “Unë e shoh përgjegjëse familjen në këtë rast. Familjet duhet të jenë më të përgjegjshme, duhet t’i mbikëqyrin pak më tepër adoleshentët dhe t’i edukojnë më shumë përsa i përket konsumimit të alkoolit. Për rastin në fjalë është shqetësues fakti që vajza ka vajtur në një party dhe nuk ka qenë vetëm me shoqërinë e saj. Në këtë aspekt prindi duhet me patjetër që ta mbikëqyrë një adoleshent 16-vjeçar, pasi ai/ajo nuk ka maturinë për të marrë vendimet e duhura në lidhje me të. Një prind që nuk e kontrollon dot fëmijën e tij dhe nuk e di se në çfarë vendi është, se në çfarë “party” ka vajtur, kush e ka organizuar atë, me kë është shoqëruar, sesa të kontrolluara janë pijet alkoolike atje, apo edhe sesa të rritur ka në atë ambient, shto këtu edhe orarin… Në këtë këndvështrim e shoh si detyrim që prindi ta shoqërojë fëmijën për ta ditur se do jetë në një ambient të kontrolluar”, tregoi për ngjarjen në tërësi psiokologia Eda Murati, e cila për shkak të profesionit të saj e njeh më mirë këtë kategori grupmoshe. Ndërkohë sapo pyetet rreth sjelljes abuzive të djemve Eda shprehet e revoltuar. “Të mos kesh asnjë lloj empatie apo ndjeshmëri dhe të bësh veprime të tilla, është shumë shqetësuese. Është një rast kriminal dhe një përdhunim i trefishtë në momomentin që gjithçka regjistrohet dhe shpërndahet. E para, në një moment të pavetëdijshëm. E dyta, e fiksuar në video, edhe e treta kur nga ata që shihen në video vetëm njëri është në burg, ndërsa dy të tjerët, njëri që jeton jashtë (jashtë shtetit) e tjetri që jeton këtu (Shqipëri), janë në gjendje të lirë”. Më pas psikologia analizon në përgjithësi trendin e situatës, duke mos e fshehur pesimizmin. “Ne nuk jemi shoqëri që kemi elemente sociopatie. Ka vende në të cilat kanë ndodhur krime nga më të ndryshme, krime që të vjen të pyesësh se në cilat familje janë rritur autorët e tyre. Krime që në vendin tonë nuk kanë ndodhur, pasi në përgjithësi kemi qenë shoqëri më e bashkuar. Një natyrë më sociale, më e afërt. Jemi shoqëri ku familja ende është institucion i fortë dhe kjo na ka mbrojtur për krime të tilla, por mendoj se kjo gjendje nuk do të vazhdojë përgjithmonë, rasti në fjalë tregoi se po bien edhe më shumë vlerat morale. Deri më tani familja ishte ajo që i kishte ruajtur vlera si kujdesin, respektin apo dashurinë ndaj të tjerëve, por mesa duket me atë çka pamë në video, po bien edhe në vendin tonë”. Rikthimi i vajzës në ditët e zakonshme “Rikthimi do jetë e vështirë”, thotë psikologia Eda. “Për t’ia dalë mbanë vajzës i duhet shumë mbështetja e familjes, i duhet shumë forcë e brendshme nga vetja e saj, edhe nga shoqëria në mënyrë që t’i bëhen gjërat më të lehta. Për vajzën do jetë i vështirë rikthimi në jetën e përditshme për faktin e imazhit të krijuar, pasi fytyra e saj në video më parë ka qenë e dukshme. Ajo më pas është censuruar, por për sa kohë ekziston nëpër telefonat personal të individëve që e kanë shpërndarë apo nëpër forume dhe faqe interneti, ajo do ta vuajë stigmën dhe paragjykimin. Është gjëja më stresuese që mund të përjetojë ndonjë njeri, pasi këtu kemi ato rastet e “cyberbullying” (tallje në mënyrë pezhorative apo kanosje nëpërmjet internetit, që bëhet nga nxënësit nëpër shkolla). Kjo ndodh edhe në shoqëritë më individualiste ku njerëzit në përgjithësi s’duan t’ia dinë për opinionet e të tjerëve, ato sërish ndodhin pasi adoleshentët duan, duan t’ia dinë për opinionet e tëtjerëve dhe është shumë e dhimbshme, shumë dramatike”. Në mediet e shkruara është thënë se vajza në fjalë nuk i është rikthyer më shkollës ku ndiqte mësimet, me idenë se me gjasa ajo do të zgjedhë të largohet në një shkollë tjetër, për këtë psikologia thotë se vendimi i takon familjes dhe vetë vajzës, ndërsa i këshillon që të mos heqë dorë nga shoqëria e ngushtë, pasi nëse ajo e kupton nga shoqëria do të mund t’i vijë edhe mbështetja më e madhe. “Vendimi i takon familjes dhe vajzës. Nëse ajo ndihet e kuptuar, e pa-paragjykuar dhe mirë me shoqërinë e ngushtë të saj të qëndrojë aty, pasi shoqëria e ngushtë do të jetë për të mbështetja më e madhe, këtu duhet të bëjë maksimumin për ta mbështetur edhe shkolla. Nëse ajo mendon se ndryshimi do ishte mirë për të, normalisht mund të ketë aspektet e saj pozitive, por në këtë rast asaj do t’i bjerë që t’ia nisë nga e para dhe nuk do ta ketë shoqërinë me vete, këtu ajo do jetë e vetme dhe do ta ketë më të vështirë për ta kaluar”. Apeli për të fshirë videon Pas një bisede të gjatë psikologia Eda Murati, kërkoi që të apelohej në mënyrë të gjithanshme që videoja në fjalë të fshihej dhe të ndalohej së shpërndari. “Duhet që të kihet parasysh se në shumë raste video të tilla nga adoleshentët imitohen. Bota e shthurur e show-bizit në Shtetet e Bashkuara dhe sjelljet e adoleshentëve atje janë një shembull konkret i kësaj natyre. Ndaj është e nevojshme që videoja të ndalohet së shpërndari dhe të hiqet nga qarkullimi në internet”. Psikologia më pas thotë se gërshetimi i videos me faktin se djemtë abuzues nuk kanë marrë ende ndëshkimin e merituar mund të sjellë akoma më shumë që adoleshentët të marrin mesazhin e gabuar nga videoja dhe në të ardhmen të ndodhin raste të tjera abuzive. Prindërit skeptikë për rolin e psikologut Të pyetur nga “Shekulli” prindërit tregohen të një mendje, teksa identifikojnë familjen si rolin kryesor të edukimit të fëmijëve, por ndajnë të njëjtin mendim edhe për rolin e psikologut në shkolla, që për ta në përgjithësi nuk kryen punën e caktuar. “Rasti i asaj videos ishte skandal i madh, por si prind e them që s’e lë kurrë fëmijën të më dalë ashtu në atë farë feje”, thotë Mejreme Dibra, një prind në meso-moshë. “Këtu e ka fajin familja duhet që t’i edukojë më mirë pjesëtarët e saj”. Ndërsa për rolin e psikologut në shkollë zonja në fjalë u tregua skeptike. “Psikologët nuk bëjnë asgjë, janë kot nëpër shkolla. Në pjesën më të madhe të kohës ose nuk janë fare, ose janë nëpër kafe”. Ndërkohë një tjetër prind thotë se familja nuk duhet t’i ndahet traditës së vjetërnë edukim. “Familja duhet t’u japë fëmijëve atë edukimin me disiplinë”, thotë Anila një tjetër prind, megjithëse në moshë më të re se Mejremja. “Për psikologët them se s’u bëjnë gjë fëmijëve, marrin atë rrogën kot”. Një tjetër prind preferon të flasë vetëm për rolin e familjes. “Unë jam prind vetë dhe të më kishte bërë vajza ime ashtu vaki, lëre që s’do më kishte pëlqyer fare, por do isha tmerruar totalisht”, thotë Vjollca. “Familja është kryesore në këto punë, sepse nëse do ishte familja mirë nuk do kishim kështu shthurjesh që shkon shoku e ja bën ato gjëra shoqes së vet”. Pak psikologë, shumë nxënës Çdo shkollë e arsimit parauniversitar ka nga një psikolog, por ata punën e kanë të ndarë, tre ditë në gjimnaze dhe dy ditë në shkollat 9-vjeçare. Vetë psikologia Eda Murati tregoi për “Shekulli”-n se mbulonte 3020 nxënës. Ky mbulim është afërsisht i njëjtë edhe për psikologët e tjerë. Numri i madh i nxënësve për të mbuluar ka shkaktuar që cilësia e shërbimit të jetë jo optimale. “Nga numri i madh i mbulimit vijnë dhe problemet, pasi edhe vetë koha është e pamjaftueshme që të trajtohen të gjitha rastet që mund të më paraqiten. Bëj atë që mundem! Ndërkohë gjendja me këtë mbingarkesë në vetvete më streson, pasi shumë raste edhe nuk i ndjek dot. Kjo sjell edhe të keqen më të madhe, që të ketë nxënës që mund të ngelin pa shërbim”, thotë psikologia Murati, e cila më pas shpjegon se është përfolur për një ndryshim ligjor, i cili do të përcaktojë jo vetëm mbulimin, por edhe faktin se në të ardhmen psikologët nuk do të jenë të vetëm. “Është një ligj i ri që thuhet se do miratohet. Sipas tij, më pas nëpër shkolla do të ketë një psikolog dhe një punonjës social, pra dy profesionistë. Këtu do jenë të përcaktuar edhe numri i nxënësve, për gjimnazet të paktën, 1800 deri 2400 nxënës”. Por ndërkohë në pritje të këtyre ndryshimeve nxënësit marrin një shërbim që mund të konsiderohet i pjesshëm. “Me psikologen patëm organizuar disa aktivitete edukative në fillim të dhjetorit, një për luftën kundër SIDA-s dhe një tjetër mesa mbaj mend për luftën kundër dhunës ndaj femrave”, thotë Ledjana V. gjimnaziste e vitit të dytë në shkollën “Andon Zako Çajupi”. “Qysh atëherë nuk kemi pasur ndonjë organizim tjetër dhe pastaj tjetra është se psikologen nuk e gjejmë shpesh këtu. Të paktën dy herë në javë nuk është e pranishme dhe kam dëgjuar për nxënës që kanë patur prindërit, duke ju ndarë dhe që kishin nevojë për të folur me të, e ngaqë kanë qenë keq iu është dashur që të largohen fare nga mësimi”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit