11.3 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Vetëvrasja

Më të lexuarat

Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë vetëm Allahut xhele shanuhu. Salavatet qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin salallahu alejhi ue selem, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë muslimanët që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Shumë njerëz janë duke bërë një mëkat shumë të madh për shkaqe të ndryshme; ata janë duke e vrarë veten e tyre disa për shkaqe të dashurisë, disa për shkaqe të mungesës së ushqimit, kurse disa të tjerë janë duke vrarë veten e tyre për të shpëtuar nga borxhet në të cilat janë zhytur. Të gjithë këta dhe të tjerët e vrasin veten duke menduar se kjo është zgjidhja e vetme për ta, kurse Allahu i Lartësuar e ka ndaluar vrasjen e vetvetes dhe për ata që e bëjnë një gjë të tillë ka përgatitur një dënim të dhimbshëm.
Allahu i Madhëruar thotë: “…dhe mos mbytni veten tuaj. Vërtet, Allahu është i mëshirueshëm për ju. Kush bën këtë (që ndaloi Zoti) qëllimisht dhe tejkalon kufijtë, Ne do ta hedhim atë në një zjarr të fortë.” (En-Nisa, 29-30)

Transmeton Xhendeb ibn Abdullahu, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Ka qenë një njeri në popujt e mëparshëm, i cili ka pasur plagë dhe prej shqetësimit e ka marrë thikën e tij dhe e ka prerë dorën dhe nuk i është ndalur gjaku derisa ka vdekur. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Më ka paraprirë Mua robi Im në vetveten e tij, për këtë shkak Unë ia kam ndaluar atij xhenetin.” Buhariu 3463 dhe Muslimi 113.

Fjala e Allahut: “Më ka paraprirë Mua robi Im në vetveten e tij” ka për qëllim që ai njeri nuk ka pritur që të vdesë vetë, mirëpo ka vrarë veten. Kurse për një person i cili ishte plagosur dhe prej dhimbjeve të mëdha që kishte e shpejtoi vdekjen dhe e vrau veten me thikën që kishte, Pejgamberi salallahu alejhi ue selem në hadithin që transmeton Ebu Hurejra tha: “Ai është prej banorëve të zjarrit.” Buhariu 5778 dhe Muslimi 109.

Xhabir ibn Semre thotë: “I kanë sjellë Pejgamberit salallahu alejhi ue selem një të vdekur, i cili e kishte vrarë veten e tij me shigjetë dhe Pejgamberi salallahu alejhi ue selem nuk ia fali namazin e xhenazes.” Muslimi 978.
Pejgamberi salallahu alejhi ue selem nuk ia fali namazin këtij personi për shkak të mëkatit të madh që kishte bërë.

O rob i Allahut, si mendon që vetëvrasja është zgjidhje, kurse Allahu i Lartësuar ta ka ndaluar atë? A nuk mendon se vrasja e vetvetes të sjellë probleme më të mëdha në botën e amshueshme, në jetën ku nuk ka vdekje më? Ti që nuk ke mundësi t’i përballosh vështirësitë e vogla të kësaj bote, si do ta përballosh zjarrin e xhehenemit, lëndë djegëse e të cilit janë gurët dhe njerëzit?

Problemeve të dynjasë ndoshta u ke shpëtuar me vrasjen e vetvetes, mirëpo në Ditën e Gjykimit nuk mund t’i shpëtosh assesi dënimit të Allahut të Madhëruar, që e ka përgatitur për ata që vrasin veten.
Vetëvrasja nuk është zgjidhje!

Përgatiti: Eroll Nesimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit