6.5 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Vetëvlerësimi

Më të lexuarat

 

Mënyra se si e sheh dhe vlerëson njeriun veten reflekton drejtpërdrejtë në jetën dhe veprimtarinë e tij. Qasjet dhe konceptet kanë efekte psikologjike që ndikojnë në formën se si vihen në funksion dhe veprojnë shpirti, mendja, dhe gjymtyrët. Për dallim nga njeriu që ka qasje negative dhe i cili sheh vetëm vështirësi, barriera dhe probleme, besimtari pas çdo nate, sado e gjatë që të jetë, pret një agim, pas çdo vështirësie pret një lehtësim, në çdo tunel arrin të identifikojë një dritë që sihariqon daljen, në çdo fatkeqësi kërkon shpërblimin, në çdo ditë që e jeton më tepër përjeton mirësinë dhe begatinë…Besimtari nuk guxon dhe nuk i takon të jetë pesimist dhe pa vullnet e motiv. Allahu ka thënë: “…dhe mos e humbni shpresën në mëshirën e Perëndisë. Me të vërtetë, shpresën në mëshirën e Perëndisë nuk e humbin, përpos populli mohues”.” (Jusuf: 87)

Profeti Muhammed [Paqja qoftë mbi të!] ka thënë: “Muslimani i fuqishëm është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu se muslimani i dobët, edhe pse që të dy kanë të mira. Bëhu kureshtar për atë që të bën dobi dhe kërko ndihmën e Allahut e mos u dobëso!…”[1]

Vetëvlerësimi nuk duhet të interpretohet në mënyrë të ekzagjeruar. Ai është një mes ndërmjet dy ekstremeve: humbjes së besimit në vete, që për pasojë sjell pesimizmin dhe ftohjen nga jeta, dhe vetëbesimit të tepërt, që reflekton në mashtrimin me veprat e bëra nga njeriu. Vetëvlerësimi është edhe mes ndërmjet të kaluarës dhe të ardhmes. Njeriu që ka konsideratë për veten nuk ngel peng i të kaluarës por nuk bëhet as parazit i tashmes që kalon kohën në gjumë duke pritur të ardhmen të vijë. Që të kemi vlerësim pozitiv për veten dhe rrjedhimisht të ndryshojmë për të mirë na duhet që:

Të kaluarën e keqe ta zhdukim me pendim, sepse i penduari nga mëkati është sikur ai që nuk ka bërë mëkat fare.[2]
Nga e kaluara duhet të nxjerrim vetëm mësimet që na ruajnë nga përsëritja e gabimeve dhe na shtyjnë një hap tutje drejt suksesit.
Duhet të caktojmë qëllime të qarta se çfarë duam nga jeta, çfarë synojmë të arrijmë gjatë saj dhe çka mendojmë të lëmë pas vete. Natyrisht, kjo nuk është thirrje për transformim të njeriut në tjetër qenie dhe as për prishje të proporcionit ndërmjet kërkesave të shpirtit dhe trupit, por thjesht një strategji dhe vizion për të qenë i mirë në rreth ku jeton. Një njeri hyri në Xhennet sepse i dha ujë një qeni për të mirë, një tjetër hyri në Xhennet vetëm pse e hoqi një pengesë nga rruga, një tjetër për këtë e një tjetër për atë…[3]
Që të shihemi edhe atëherë kur më nuk do të jemi gjallë, duhet lënë. Kjo nënkupton se na duhet të merremi me punë të mëdha që të tjerët të kenë dobi edhe pas vdekjes sonë.
Kriter për vetëvlerësimin është të kuptosh se ti je i rëndësishëm atëherë kur je në shërbim të tjerëve. Njeriu më i mirë është më i dobishmi për njerëzit.[4] Profeti Muhammed [Paqja qoftë mbi të!] ka nxitur kultivimin e këtij aspekte të personalitetit duke na kujtuar se pas vdekjes vetëm veprat që kanë këtë element (dobinë për të tjerët) vazhdojnë së gjeneruari shpërblim për ne.[5]
Të shkëpusim kontaktet me ata që na e shuajnë optimizmin. Ata janë njerëz që kanë shkatërruar veten dhe duan t’i shkatërrojnë të tjerët. Profeti Muhammed [Paqja qoftë mbi të!]: ‘Ai që thotë: “Janë shkatërruar njerëzit!”, ai i ka shkatërruar ata apo është më i shkatërruari në mesin e tyre.’[6]
Porosia: “…Bëhu kureshtar për atë që të bën dobi dhe kërko ndihmën e Allahut e mos u dobëso!…”[7]

Shkrimi i përgatitur nga: Dr. Sedat Islami

[1] Transmeton Muslimi.
[2] Albani në Sahihu-l-xhamii, nr. 3008, e konsideron të mirë –hasen.
[3] Hadithe autentike të transmetuara nga Buhariu dhe Muslimi. I kemi përmendur edhe në pjesën e parë.
[4] Albani në Bidajetu-s-sul, nr. 44, e konsideron të mirë -hasen.
[5] Fjala është për hadithin: “Kur të vdes njeriu, vepra e tij ndërpritet (nuk gjeneron të mira), përveç në tre raste: nëse ka lënë lëmoshë rrjedhëse, nëse ka lënë dije nga e cila përfitohet dhe nëse ka lënë një fëmijë të mirë që lutet për të.” Hadithin e transmeton Nesaiu ndërsa Albani e konsideron autentik.
[6] Transmetojnë Muslimi, Ebu Davudi, Ibn Hibbani.
[7] Transmeton Muslimi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit