Vetëdijesohuni o njerëz, me virusin Korona nuk ka lojë!

0
295

Dr Muhamed Murtezi

Po ju përcjelli mesazhin e mikut tim nga spitali 8 Shtatori: Vetëdijesohuni o njerëz, me virusin Korona nuk ka lojë!

Para 3 ditëve kuptova se ishte shtrirë në spital, me diagnozën tashmë të njohur: COVID-19. Pardje i shkrova një mesazh në privat, por nuk ma ktheu. Kur dëgjova për të vdekurit e ditës së djeshme, njëri nga të cilët përputhej në moshë me mikun tim, mendja si vetëtimë më shkoi te ai. Fatmirësisht për të, e fatkeqësisht për dikë tjetër, nuk kishte qenë i përfshirë në atë listë të zezë. Sot më bëri një telefonatë nga spitali, miku im A. Kur pashë emrin e tij në thirrje, ishte një ndjenjë e papërshkrueshme. Sikur edhe biseda e shkurtë me të, për të mos e lodhur shumë. Megjithatë, akoma më tingëllojnë frikshëm fjalët e tij, përderisa në shpirt ndjeva trishtimin dhe rraskapitjen që e kishte kapluar, e nga larg i pashë lotët në sytë e tij…
Më tha që, falë Zotit dhe kujdesit të mjekëve, po ndihet pak më mirë. Ndërsa pjesa tjetër e fjalëve të tij, kishte të bëjë kryesisht me porosinë ngulmuese, të shqiptuar me zërin e tij drithërues:
“Doktor Muhamed, besoj ty të shitet mjaftueshëm fjala, më shumë se mua, përcille mesazhin tim në ndonjë mënyrë:
O njerëz, vetëdijesohuni për gjendjen në të cilën gjendemi, kujdesuni për veten dhe për të afërmit tuaj, virusi Korona nuk është shaka as lojë! Kjo që ne të sëmurit po shohim dhe përjetojmë këtu, mos i raftë në trup a sy askujt. Pardje, para syve të mi gati humba një të afërm familjar timin, por ishte dëshira e Zotit dhe veprimi i shpejtë i mjekëve që ajo mbeti ende gjallë në jetë. Dhe këtë trishtim nuk do ta harroj kurrë!
O njerëz, mos dilni nga shtëpitë tuaja pa ndonjë arsye të madhe! E nëse kjo ju bëhet domosdoshmëri, braktisni grumbullimet e mëdha, mbani distancën e duhur dhe higjienën e nevojshme, për të mirën tuaj dhe më të dashurve tuaj!
Ju që eventualisht jeni të sëmurë apo ndonjë familjar i juaji, izolohuni nëpër shtëpitë tuaja, mos e rrezikoni shëndetin e të tjerëve, mos e merrni mbi supet e juaja përgjegjësinë e rëndë të dëmtimit të njerëzve!
Miku im i dashur, Muhamed, përcjelli fjalët e mia te njerëzit, nga unë, personi që e pa një herë vdekjen me sy, e që këto ditë po përballet me trishtimin e njerëzve të shtrirë këtu”, ishin fjalët e fundit të telefonatës së mikut tim, me zërin plot vaj.

Nuk e di nëse miku im pati të drejtë, kur tha se fjala ime pranohet mirë te njerëzit, por e ndjeva për obligim që ta ndaj me ju porosinë e tij. Tekefundit, në mos më dëgjofshi mua, dëgjoni këshillën e tij, fjalët e një të sprovuari që po lufton për jetë…

P.S.
Ky mesazh mund shpërndahet lirshëm nga individë, portale ose media, me qëllim të sensibilizimit të vazhdueshëm rreth sëmundjes COVID-19. Madje kujtoj se ky do të ishte një kontribut yni modest në këtë drejtim dhe porosia e mikut tim në këtë mënyrë do të fitonte më shumë në peshë.