11.7 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

Verbërimi i fëmijëve, Latifi-Hoxha: Oftalmologjia ishte e paaftë

Më të lexuarat

Ish-drejtoresha e Klinikës së Neonatologjisë, dr. Mynevere Latifi-Hoxha, ka shpjeguar arsyet e dorëheqjes së saj nga kjo pozitë.

Ajo ka deklaruar se klinika e saj u akuzua pa të drejtë dhe se faji ishte te paaftësia e Klinikës së Oftalmologjisë për detektimin e sëmundjes te fëmijët

Mynevere Latifi-Hoxha ka deklaruar se dorëheqjen e ka paraqitur para tri javësh, ndërsa është miratuar vetëm para pak ditësh.

Në një deklaratë për media, doktoresha Pediatër-Neonatologe, konsideron se Klinika të cilën e drejtonte u akuzua pa të drejtë për verbërimin e fëmijëve, shkruan “Gazeta Shneta”.

“Me gjithë keqardhjen për të gjitha foshnjat që kanë pësuar, në reagimet tona, ne si Klinikë e kemi cekur sa herë se verbërimi i foshnjave nuk ka ndodhur si pasojë e moskujdesit të stafit të Klinikës së Neonatologjisë, apo keqtrajtimit”, ka thënë Latifi-Hoxha.

Ajo shton se Neonatologjia ka vepruar sipas protokolleve të fundit gjatë trajtimit të foshnjave të lindura para kohe, dhe madje nuk e kanë lan pas dore sëmundjen e retinopatisë e cila në të tilla raste i çon fëmijët drejtë verbërimit.

E për këtë problem, Latifi-Hoxha e drejton gishtin në Klinikën e Oftalmologjisë.

“Përkundër faktit se stafi i Klinikës së Neonatologjisë i ka dërguar foshnjat për skrining për retinopati në Klinikën e Oftalmologjisë në mënyrë të vazhdueshme, ka rezultuar se Klinika e Oftalmologjisë ka qenë e paaftë për detektimin dhe trajtimin e këtij problemi tek foshnjat”, ka deklaruar Latifi-Hoxha për “Gazeta Shneta”.

Kujtojmë se menaxhmenti i QKUK-së kishte vendosur të blej aparaturën e re për skriningun e fëmijëve vetëm pas publikimit të shkrimit për verbërimin e fëmijëve në gazetën Zëri.

Por Latifi-Hoxha shpreh dyshimet se edhe sot, kjo Klinikë ka krijuar staf profesional për këtë sëmundje.

Ajo thotë se në krejt këtë situatë, Neonatologjia ka qenë e vetmuar dhe pa përkrahje duke punuar nën presion.

“Prandaj, pas një viti të mosqartësimit të situatës para Prindërve dhe popullatës se ngecja ka qenë në Klinikën e Syve dhe jo në Klinikën e Neonatologjisë, unë dorëhiqem nga pozita e Drejtorit të Klinikës”, ka shkruar doktoresha në fund.

Deklarata e plotë e dr. Mynevere Latifi-Hoxha:

Edhe pse dorëheqjen time e kam paraqitur para afro tri javësh dhe është miratuar para pak ditësh, po mundohem t’i listoj disa nga arsyet e kësaj dorëheqjeje. Jeni në dijeni se vitin e shkuar Klinika jonë u akuzua pa të drejtë dhe në mënyrë të shtrembëruar nga prindër dhe media për “verbimin e fëmijëve”. Me gjithë keqardhjen për të gjitha foshnjet që kanë pësuar, në reagimet tona, ne, si Klinikë, e kemi cekur sa herë se verbimi i foshnjeve nuk ka ndodhur si pasojë e moskujdesit të stafit të Klinikës së Neonatologjisë, apo keqtrajtimit.

Klinika e Neonatologjisë ka vepruar sipas protokolleve të fundit gjatë gjithë trajtimit të foshnjeve të lindura para kohe, dhe retinopatia është vetëm një nga komplikimet e mundshme të lindjes së parakohshme. Përkundër faktit se stafi i Klinikës së Neonatologjisë i ka dërguar foshnjet për skrining për retinopati në Klinikën e Oftalmologjisë në mënyrë të vazhdueshme, ka rezultuar se Klinika e Oftalmologjisë ka qenë e paaftë për detektimin dhe trajtimin e këtij problemi tek foshnjet.

Sidoqoftë, reagimin e Klinikës së Neonatologjisë, të botuar në disa prej mediave, të cilin Drejtoria e QKUK ka kërkuar ta postojë në web-faqen e QKUK, vetë Drejtoria e ka larguar nga ëeb-faqja menjëherë pas postimit, pas kërkesave e shantazheve të bëra nga gazetari i cili sot, në mënyrë të vazhdueshme fiton çmime gazetareske me të njejtin artikull. Tani, edhe pas dhjetë muajsh trajnim nga mjekët e Klinikës së syve “Kubati”, nuk jemi të sigurtë nëse Klinika e Oftalmologjisë ka krijuar staf profesional për këtë problematikë dhe nëse stafi i kësaj klinike është në gjendje të detektojë zhvillimin e retinopatisë te foshnjet premature.

Nga Ministria e Shëndetësisë është formuar Komisioni Profesional për shqyrtimin e situatës dhe as edhe një informatë nuk ka dalur nga ai raport për të informuar popullatën për gjetjet përfundimtare dhe gjendjen reale. Si pasojë e të gjitha këtyre, stafi i Klinikës së Neonatologjisë, qe një vit, punon nën presion të lartë dhe në mosbesim të plotë të popullatës.

Kjo e vështirëson shumë mbarëvajtjen e punës së secilit punonjës të kësaj klinike duke filluar nga unë si drejtuese, udhëheqësit e reparteve, mjekët dhe infermieret, ku secili punon me frikë se do të akuzohet nga dikush. Pas tërë ktyre problemeve me të cilat Klinika e Neonatologjisë është përballur, më duhet ta cek se në tërë këtë ne si klinikë kemi qenë vetëm, pa mbrojtjen e së drejtës dhe adresimit të problemit në vendin e duhur nga institucionet më të larta si QKUK dhe Ministria e Shëndetësisë.

Në fund, ju kujtoj se Klinika e Neonatologjisë është një ndër klinikat që me zhvillimin e saj ka arritur rezultate të shkëlqyeshme në përmirësimin e cilësisë së kujdesit ndaj foshnjeve të porsalindura ku si rezultat, në vitet e pasluftës, kemi uljen e vdekshmërisë neonatale prej 31 promil në rreth 12 promil, si dhe rritjen e mbijetesës së foshnjeve të lindura para kohe. Nën udhëheqjen time kemi arritur që për herë të parë te foshnjet që lindin në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike në Prishtinë, ta ulim vdekshmërinë neonatale në një shifrore rreth 9 promil, duke i llogaritur foshnjet e lindura prej 500 g dhe 22 javë të moshës së barrës.

Për më tepër se 35 vite kam shërbyer në ofrimin e kujdesit dhe përmirësimin e shëndetit të të porsalindurve, duke zhvilluar projekte dhe programe për edukimin e stafit, duke siguruar ndihma nga donatorët, duke bashkëpunuar me fondacionin AMC (Aksioni për Nëna dhe Fëmijë) ku si prioritet është Neonatologjia, me UNICEF-in si koordinatore e Iniciativës për Spitalet Mike të Foshnjes, OBSH dhe UNFP-a me trajnimet për kujdesin efektiv perinatal etj. Kam fituar një sërë çmimesh e mirënjohjesh si ai për FIlantropi nga FIDES, për Kontribut nga UNICEF dhe AmeriCares, dhe të tjera të ndryshme nga organizata të ndryshme.

Falë angazhimit tim për 10 vite rresht furnizohemi falas me surfaktant nga AmeriCares, përmes Fondacionit Aksioni për Nëna dhe Fëmijë. Prandaj, pas një viti të mosqartësimit të situatës para Prindërve dhe popullatës se ngecja ka qenë në Klinikën e Syve dhe jo në Klinikën e Neonatologjisë, unë dorëhiqem nga pozita e Drejtorit të Klinikës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit