7.2 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Veprat të cilat i asgjësojnë veprat e mira

Më të lexuarat

Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë vetëm Allahut xhele shanuhu. Salavatet qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin salallahu alejhi ue selem, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë muslimanët që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Ka shumë vepra të cilat i asgjësojnë veprat e mira dhe ne do të përmendim disa prej tyre.

Shirku

Me të vërtetë shirku është shkak për asgjësimin e të gjitha veprave. Allahu i Lartësuar i tha të Dërguarit tonë, Muhamedit, paqja dhe bekimi qofshin mbi të: “Pasha Allahun, ty të është shpallur, e edhe atyre para teje: “Nëse i bën shok (Allahut), veprat e tua janë të asgjësuara dhe ti do të jesh prej të humburve.” (Ez-Zumer, 65)
Ka thënë Allahu i Lartësuar: “E Ne i kthehemi ndonjë vepre që e bënë ata dhe e bëjmë atë hi e pluhur.” (El Furkan, 23)
Atij që bën shirk Allahu i Lartësuar nuk ia pranon asnjë vepër që do të bëjë pas shirkut. Allahu i Lartësuar thotë: “Shembulli i veprave të atyre që nuk besuan është si hiri, të cilin me puhi e shkapërderdh era në ndonjë ditë të stuhishme, e ata nuk mund të realizojnë asgjë nga veprat që kanë bërë, e ky është ai dështimi i madh.” (Ibrahim, 18)
Gjithashtu, Allahu i Lartësuar thotë: “O ju besimtarë, respektojeni Allahun dhe respektojeni të Dërguarin e mos i asgjësoni veprat tuaja!” (Muhammed, 33)
Ebu Xhafer Et-Taberiu për ajetin “e mos i asgjësoni veprat tuaja!” ka thënë: “Mos i asgjësoni veprat tuaja të mira me mëkatet tuaja ndaj Allahut dhe të Dërguarit, paqja dhe bekimi qofshin mbi të, duke e mohuar Allahun. Me të vërtetë kufri i asgjëson veprat e mira.”
Ebu Seid ibn ebi Fedale el Ensarij (ka qenë prej sahabëve) thotë se e ka dëgjuar të Dërguarin, paqja dhe bekimi qofshin mbi të, duke thënë: “Kur do t’i tubojë Allahu (i Lartësuar) njerëzit në Ditën e Gjykimit, në ditën për të cilën nuk ka asnjë dyshim, do të thërrasë një thirrës dukë thënë: “Kush i ka bërë shok Allahut në ndonjë vepër të cilën e ka vepruar për hir të Allahut, le ta kërkojë shpërblimin te tjetërkush përveç Allahut, sepse Allahu (i Lartësuar) është Ai i Cili nuk ka nevojë aspak për shok.” Sunen Tirmidhi, nr. 3154.

2. Rideja (dalja nga feja islame)

Allahu i Lartësuar thotë: “E kush zmbrapset prej jush nga feja e tij dhe vdes si jobesimtar, ata i kanë asgjësuar veprat e veta në këtë jetë dhe në jetën tjetër. Të tillët janë banorë të zjarrit dhe në të do të qëndrojnë përjetshëm.” (El Bekare, 217)
Gjithashtu, Allahu i Lartësuar thotë: “E kush mohon (tradhton) besimin, ai ka asgjësuar veprën e vet dhe ai në botën tjetër është prej të shkatërruarve.” (El Maide, 5)
Pra, o vëllezër, të kemi kujdes dhe të mos bëjmë kufër dhe të mos dalim nga feja e Allahut të Lartësuar me veprat tona apo gjuhët tona dhe kjo të bëhet shkak për asgjësimin e të gjitha veprave tona të mira, si namazi, agjërimi, zekati etj.

 

3. Bërja e ibadetit për hir të tjetërkujt

Nëse një person bën ndonjë ibadet, fal namazin apo jep sadaka, mirëpo këto ibadete i bën për hir të tjetërkujt, atëherë ky ka bërë shirk, apo siç e quajnë disa dijetarë “shirk në nijet, apo qëllim”. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Kush ka për qëllim jetën e kësaj bote dhe të mirat e saj, Ne do t’ua plotësojmë atyre shpërblimin e veprave të tyre në të, dhe atyre nuk do t’u mungojë gjë. Të këtillëve në botën tjetër u përket vetëm xhehenemi. Ajo që punuan dhe vepruan ata ka dështuar dhe është asgjësuar.” (Hud 15-16)

 

4. Syefaqësia apo të lëvduarit me ibadetin e bërë

Me të vërtetë ai i cili e bën një ibadet dhe krenohet para të tjerëve me atë ibadet që ka bërë, për shembull nëse një person jep sadaka (lëmoshë) dhe mburret para të tjerëve se kam dhënë sadaka, kjo vepër është shkak për asgjësimin e ibadetit të tij.
Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që besuat, mos i prishni lëmoshat tuaja me të krenuar e me ofendim.” (El Bekare, 264). Si dhe: “Ata që për hir të Allahut e japin pasurinë e tyre, e pastaj atë që e dhanë nuk e përcjellin me të përmendur e me mburrje, ata e kanë shpërblimin e vet te Zoti i tyre, për ata nuk ka frikë, ata as që do të brengosen.” (El Bekare, 262)
D.m.th., nëse jep lëmoshë për hir të Allahut dhe nuk ia përmend askujt duke shpresuar vetëm shpërblimin e Allahut të Lartësuar, atëherë kjo vepër do të shpërblehet. E lusim Allahun e Lartësuar që të na bëjë prej robërve të Tij të devotshëm dhe të na ruajë nga veprat të cilat i asgjësojnë ibadetet tona!

Përgatiti: Eroll Nesimi
30.5.2008

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit