20.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Vendimi i Bundestagut shkakton debat

Më të lexuarat

Ndërhyrjet luftarake të Bundeswehrit në hapësirën ajrore gjermane lejohen. Këtë e thotë Gjykata Kushtetuese Gjermane. Qeveria gjermane e përshëndet vendimin.
Lajmi nga Karlsruhe sapo kishte dalë në internet, kur në forumet e diskutimit të kanaleve televizive gjermane, në gazetat e përditshme dhe në ato javore u shkruan komente të ashpra. Diskutimet vazhdojnë para së gjithash në të njëjtin drejtim: ato flasin “për një rrugë drejt një diktature”. Shumë me sa duket i preokupon pyetja, nëse Gjykata Kushtetuese u hap politikanëve me këtë vendim mundësinë që të veprojnë si u teket ndaj qytetarëve.
Qeveria gjermane i la vetes kohë për reagim
Gati pesë orë u deshën, derisa nga radhët e qeverisë federale erdhi një pozicionim. “Ministria e Brendshme dhe Ministria e Mbrojtjes e përshëndesin vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese për angazhimin e forcave të armatosura brenda vendit”, thuhet në një deklaratë për shtypin. Ky vendim e përforcon në thelb edhe pikëpamjen juridike të qeverisë gjermane. “Garantimi i sigurisë së qytetarëve tanë, pikërisht edhe në raste ekstreme, është një nga detyrat më të rëndësishme të shtetit tonë. Përfundimet nga ky vendim tani duhet të shqyrtohen në thellësi.”

 

Përsa i përket përfundimeve që do të nxjerrin nga ky vendim Ministri i Mbrojtjes, Thomas de Maiziere (CDU) dhe Ministri i Brendshëm, Hans-Peter Friedrich (CSU), Ministrja e Drejtësisë, Sabine Leutheusser-Schnarrenberger (FDP) duket se ka droja konkrete. “Ndarja e sigurisë së brendshme dhe të jashtme është dhe mbetet e drejtë. Jo gjithçka që është e mundur me të drejtën kushtetuese është e drejtë politikisht.”
Kështu u shpreh ajo për vendimin e gjykatës. Republika Federale Gjermane është “rritur me parimin se Bundeswehri, ushtria gjermane nuk është ndihmëspolice”. Për FDP në përgjegjësinë qeveritare kjo mbetet udhërrëfyese për veprime.
Hutim tek shumë politikanë
Pas vendimit nga Karlsruhe tek shumë politikanë vërehet një farë përmbajtjeje. Kjo ka të bëjë para së gjithash me faktin se ende askush nuk mund të thotë me saktësi, se ç’kuptohet me formulimin “një situatë e jashtëzakonshme e përmasave katastrofale”. Mungesa e përkufizimit të këtij koncepti nga ana e gjykatësve kushtetues është për shumë opozitarë shkak për kritikë të qartë. Deputeti socialdemokrat i Bundestagut, Michael Hartmann mendon se gjykata e Karlsruhes i lë “të gjithë ata që mbajnë përgjegjësi të hutuar”, meqenëse gjykatësit nuk përmendin shembuj për një situatë të tillë emergjente.
Edhe Claudia Roth, kryetare federale e Aleancës 90/Të Gjelbrit kritikon se vendimi nuk “jep siguri juridike në situata të vështira për të marrë vendim.” Konsekuenca për të mund të jetë vetëm: “Meqenëse vendimi lejon tani ndërhyrje luftarake të ushtrisë gjermane kundër sulmeve terroriste në hapësirën ajrore gjermane në kufij të ngushtë, tani do të jetë detyrë e politikës, që t’i përcaktojë këta kufij në dritën e kushtetutës.”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit