11.7 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Vendi i të verbërve

Më të lexuarat

Në përpjekje për ti shpëtuar mizorive të kolonizatorëve spanjollë, një fis nga indianët e Perusë, u detyrua të mbledhë plaçkat dhe të marrë rrugën e maleve.

Pasi ishin vendosur në një luginë të gjerë, ndodh një tërmet dhe disa masive malesh bien duke i bllokuar në atë luginë.
Për arsye enigmatike, mes tyre përhapet një sëmundje e cila i ndëshkon të gjithë me humbje të shikimit. Ata vetë, e interpretuan këtë si formë ndëshkimi për shkak të mëkateve që kishin bërë.
Asnjëri prej tyre nuk u largua nga ai vend që atëherë. Përveç kësaj, verbëria filloi të trashëgohej edhe nga pasardhësit brez pas brezi.

Këtu, shfaqet një alpinist malesh, i shoqëruar nga një grup tjetër alpinistësh aventurierë. Teksa ishte larguar paksa nga kampi i alpinistëve, ai rrëshqet në një humnerë. Për fat, nuk pësoi asnjë lëndim, pasi kishte rënë mbi një jastëk prej dëbore. Po, po dhe kishte rënë mu tek vendbanimi i të verbërve.
U ngrit në këmbë, u sigurua se nuk kishte asnjë thyerje dhe hodhi disa hapa tutje. U befasua kur pa një luginë plot me shtëpi të çuditshme, ngjyra-ngjyra dhe pa dritare. Me vete mendoi:”Vetëm njerëz të verbër mund të ndërtojnë shtëpi të tilla, pasi qenkan ndërtuar si për lakuriqë nate.”
Pikasi disa njerëz dhe u thirri, por asnjëri nuk u kthye nga ai. Që këtu, u sigurua se ishin të gjithë të verbër. Iu kujtua një fjalë e urtë që kishte dëgjuar për vendin e të verbërve, sipas të cilës:”Në vendin e të verbërve, qorri është mbret.”
Me tu takuar, filloi tu tregojë nga kishte ardhur. Ai u tha se vinte nga qytete dhe vende ku njerëzit kishin sy dhe shihnin.
Por këtu i lindi një problem i madh; Çfarë do të thoshte të shohësh?
Ata filluan ta prekin në të gjithë trupin, ia ngulnin gishtat në sy dhe u dukeshin të çuditshëm. Sapo u kishte ardhur një anëtar krejt ndryshe nga ata. Teksa alpinisti hodhi disa hapa, u pengua dhe u rrëzua. Këtu ata kuptuan se ky ishte një njeri i dobët, ai thoshte gjëra të pakuptimta dhe kishte shqisa të çuditshme.
E morën dhe e dërguan tek kryetari i të verbërve.
Alpinisti e kuptoi se këta njerëz jetonin në errësirë të plotë, prandaj dhe ai konsiderohej si person me të meta fizike. Jetën për të cilën u fliste alpinisti, ata e shihnin si një legjendë.
Gjatë qëndrimit me ta, e kuptoi filozofinë e jetës së tyre të çuditshme. Ata besonin se i dëgjonin zërat e engjëjve, por që nuk mund ti preknin dot dhe këtu, bëhej fjalë për zogjtë dhe cicërimat e tyre. Koha, sipas tyre, ishte e ndarë në dy pjesë, e ngrohtë dhe e ftohtë. Në kohë të ngrohtë, njeriu fle gjumë dhe qetësohet, ndërkohë që në të ftohtë ai punon.
Alpinisti mendoi se mes këtyre njerëzve, mund të shpallej kollaj si mbret, por më vonë e kuptoi sa e vështirë ishte kjo. Atyre u ishte zhvilluar maksimalisht shqisa e dëgjimit, saqë e dallonin ecjen mbi gur nga ecja mbi bar. Shqisa tjetër që u ishte zhvilluar shumë ishte ajo e nuhatjes.
Alpinisti filloi tu flasë për bukurinë e maleve, perëndimin dhe lindjen e diellit, ngjyrat e ylberit etj…
Ata e dëgjonin duke buzëqeshur me ironi, pasi asnjëri nuk i besonte ato që thoshte. Në një moment, vendosi t’ua tregojë praktikisht rëndësinë e të shikuarit. Nga larg, ai pa Pedron, njërin prej tyre, duke ardhur. “Pas pak, Pedro do të vijë këtu tek ne. Këtë e pashë me sytë e mi. Ju as nuk i ndjeni hapat dhe as nuk e nuhasni dot aromën e tij. Kur të vijë, do e kuptoni se nuk flas kot dhe se nuk u gënjej. Vetëm unë arrij ta shoh.”
Ata e vunë në dyshim këtë që po u thoshte ky njeri i huaj, megjithatë pritën. Por, Pedro ndryshoi rrugë dhe vajti diku tjetër. Menjëherë ai u tregoi se çfarë kishte ngjarë, por nuk e besuan. Mandej, filloi tu flasë se si ishte shtëpitë e tyre dhe çfarë ndodhte para tyre.
“Jo, na trego çfarë po ngjet brenda shtëpive tona, meqë pretendon se shikon!” i thanë.
Duke ndjerë se po dështonte, vendosi të arratisej dhe ti braktisë, por ata, falë shqisës së nuhatjes dhe dëgjimit, iu qepën pas. Pas një arratie që zgjati një ditë të plotë, vendosi të dorëzohej. Ishte lodhur dhe stomakun e kishte bosh. Kur vajti tek ta, u tha:”E pranoj se jam i papjekur, jam i dobët dhe se nuk ka ndonjë shqisë me emrin shikim.”
Të verbrit u treguan zemërmirë dhe e falën menjëherë. I dhanë edhe për të ngrënë dhe i kërkuan tu shërbejë me ndonjë punë.
Gjatë kësaj kohe, një ditë ai sheh një vajzë, e cila i duket e bukur. Ndërkohë që sipas të verbërve, ajo ishte më e shëmtuara nga të gjitha gratë e luginës, pasi nga e prekura e tillë u dukej, kishte lëkurë shumë të butë. Por, kur ai kërkoi dorën e saj, i ati nuk pranoi. E si të pranonte që bija e tij e verbër, të martohej me një person të një shtrese aq të ulët! Megjithatë, edhe vajza kishte filluar ta pëlqejë alpinistin. Këtu, i ati u ndje shumë keq dhe vajti e kërkoi mendimin e burrave të mençur.
Mendimi i burrave të mençur ishte i prerë: Ai djalë ishte i çuditshëm. Ai kishte dy vrima në ballë (sytë), dy qepalla që i lëviznin dhe të veshura me qerpikë. Këto dy gjymtyrë të çuditshme ia kanë dëmtuar trurin, prandaj dhe flet gjëra të paqena. Fillimisht, i duhen hequr këta dy gjymtyrë të çuditshme që të mund ti kthehet dhe arsyeja, pastaj le të martohet me vajzën.
Kur i dëgjoi këto fjalë, djali u lemerit. Si të pranonte të sakrifikojë dritën e syve! Jo jo, nuk bëhej ajo fjalë. Por, pas pak, vajza iu hodh në kraharor dhe duke qarë i pëshpëriti në vesh:”Të lutem prano, për hatrin tim! Përndryshe, nuk do të mund të martohemi kurrë bashkë.”
Kështu, verbëria ishte kriteri i vetëm që njeriu të ngrihej nga një shtresë e ulët, në shtresën e qytetarit me të drejta të plota. Duke mos pasur asnjë zgjidhje tjetër, alpinisti pranoi. Ditën e tij të fundit, ai e filloi pikërisht me shikimin. Doli të shohë botën për herë të fundit. Ishte mëngjes dhe lindja e diellit, drita dhe rrezet e tij që vërshuan mbi luginë e mrekulluan. Në ato çaste, e kuptoi se të jetoje në atë vend, ishte një mëkat më vete. Shihte lumenjtë vërshues, pyjet plot gjelbërim, qiellin blu… Si të hiqte dorë nga gjithë ato bukuri, vetëm për tu martuar me një vajzë dhe të verbër? Si ishte e mundur që ia kishin mbushur mendjen se shikimi ishte diçka pa pikë vlere?!
Mori rrugën nga pengesa mes maleve, e krijuar nga tërmeti. Atje vuri re një zgavër e cila ngjitej lart. Vendosi ti ngjitej. Iu çjerrën duart, iu grisën rrobat, mori gërvishtje të shumta nëpër trup, megjithatë, ai buzëqeshte. Ngriti sytë lart dhe dalloi yjet. U mrekullua. Kaq ishte historia.

Morali:
Secili prej nesh e ndjen se fenomene negative janë përhapur në shoqërinë tonë, secili prej nesh është ndjerë se të jesh i ndershëm në këtë kohë, është si të mbash prushin në dorë. Ti ndihesh i huaj, ndonjëherë të konsiderojnë edhe të çmendur, sepse nuk je i korruptuar, i lig, imoral…dhe i verbër si ata. Ti ke plot vlera dhe virtyte, por që ata nuk i dallojnë dot. Kalojnë kohë dhe vjen një moment, ku vendos të heqësh dorë nga “sytë” e tu që të bëhesh i verbër si të tjerët. Po, ky moment u ka ardhur shumë njerëzve dhe u vjen shumë të tjerëve, do të të vijë edhe ty. Por, nëse je me fat dhe pret ardhjen e mëngjesit të ri dhe lindjen e diellit, atëherë do e kuptosh se çfarë je duke humbur.
Mund të jesh në pozita të lakmueshme, mund të shohësh kolegët e tu teksa i shkulin “sytë” e tyre për tu bërë qytetarë të vendit të verbërve, me pretekstin e një jete më të mirë, një të ardhmeje për fëmijët, për një shtëpi, një makinë, pushime jashtë vendit… Po, po, i nxjerrin sytë duke marrë ryshfete pafund, heqin dorë nga parimet, vlerat, moralet dhe virtytet e tyre. Të jesh i bindur se të gjithë ata janë gjendur para të njëjtës pyetje: Sikur ti heq dhe unë “sytë” do të bëhem qytetar me të drejta të plota në vendin e të verbërve.
Sigurisht, historia më lart, depërton në çdo nerv të prekur apo të pa prekur nga epidemia e të qenit si gjithë të tjerët, tek korrupsioni, marrëdhëniet jashtëmartesore, përdorimi i lëndëve alkolike dhe narkotike, zënkat dhe shamatat, blerja e diplomave dhe notave…. dhe lista zgjatet.
Profeti Muhamed a.s u thoshte shokëve të tij, por na thotë dhe neve sot:”Mos u bëni imitues, nëse njerëzit bëjnë mirë edhe ju bëni mirë, e nëse sillen keq edhe ju silleni keq. Por, bëhuni të qëndrueshëm! Nëse njerëzit bëjnë mirë, bëni mirë e nëse sillen keq, shmangeni të keqen!”
Ky vend dhe kjo tokë ka të verbër plot, asaj i duhen njerëz me sy, sidomos në ditët tona.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit