12.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Vendbanimet hebreje, emri i pushtimit që vazhdon prej 52 vitesh

Më të lexuarat

TURGUT ALP BOYRAZ

Deklarata e sekretarit amerikan të shtetit, Mike Pompeo, se tashmë nuk i shohin më të jashtëligjshme vendbanimet hebreje në Bregun Perëndimor të pushtuar ka bërë që vëmendja të rikthehet sërish drejt këtyre rajoneve.

Izraeli vazhdon të ndërtojë vendbanime hebreje në territoret palestineze të cilat i mban nën pushtim që prej vitit 1967. Gjatë kësaj kohe qeveritë e ardhura në pushtet kanë vazhduar pa ndërprerë politikën e tyre për të përdorur vendbanimet si një mjet për të hebreizuar territoret palestineze.

Ndërtimi i gjithsej 262 vendbanimeve hebreje në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor e bën të pamundur edhe formimin e një shteti palestinez.

Deri me ndryshimin e politikës së SHBA-ve ditë më parë, i gjithë komuniteti ndërkombëtar i konsideronte të paligjshme këto vendbanime dhe qeverisë së Tel Avivit i bëhej thirrje për të hequr dorë nga kjo politikë e tyre për zgjerim.

Me vendimin e fundit të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili që nga dita e ardhjes në detyrë ka përmbushur pothuajse çdo dëshirë të Izraelit, Amerika u bë vendi i parë që ka pranuar si “legale” vendbanimet hebreje të ndërtuara mbi territoret palestineze nën pushtim.

Theksohet se ky vendim i Amerikës do të inkurajojë Izraelin që të aneksojë njësitë e vendbanimeve hebreje në Bregun Perëndimor që mbahen nën pushtim që prej vitit 1967.

Duke vënë në dukje se përpjekjet për të zgjeruar vendbanimet hebraike nuk kanë ndalur as një ditë, palestinezët deklarojnë se kjo situatë është një nga kërcënimet më të mëdha përpara formimit të një shteti palestinez në kufijtë e vitit 1967 dhe e shtyn Bregun Perëndimor në shpërbërje.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), në rezolutën e saj Nr. 2334 të miratuar në dhjetor 2016, kërkoi që Izraeli të ndalojë menjëherë të gjitha aktivitetet e vendbanimeve në territoret e pushtuara palestineze.

Vendbanimet hebreje, emri i pushtimit që vazhdon prej 52 vitesh

Historia e njësive të vendbanimeve hebreje në territoret palestineze është si vijon:

Izraeli pas pushtimit të Bregut Perëndimor dhe Kudsit Lindor në vitin 1967, filloi të ndërtojë në rajon vendbanimet hebreje.

Qeveria izraelite nën drejtimin e partisë së punës me trend të majtë, gjatë viteve 1967-1977 shtypi butonin e startimit për programin e ndërtimit të vendbanimeve hebreje në Kudsin Lindor dhe përreth tij, si dhe në zonat përreth Detit të Vdekur në lindje të Bregut Perëndimor.

Edhe Partia Likud e ekstremit të djathtë që mori qeverinë nga Partia e Punës, gjatë periudhës 1977-1987 duke vazhduar pa ndërprerë programin e ndërtimit të vendbanimeve hebreje vendosi në objektiv që të rrisë në një milion numrin e hebrenjve që jetonin përreth Bregut Perëndimor.

Qeveria izraelite e periudhës 1990, pasi njoftoi se nuk pranon kufijtë e 1967-ës përshpejtoi planin për të ndërtuar hapësira për njësitë e vendbanimeve hebreje në Bregun Perëndimor. Gjatë këtij procesi qeveria izraelite ndërtoi rrugë “të sigurta” që kalonin nga zonat e brendshme të Bregut Perëndimor me qëllimin për të lidhur vendbanimet hebreje me njëra-tjetrën dhe me qytetet e tjera izraelite.

Me thirrjen e bërë në vitin 1996 nga ish-kryeministri izraelit, Ariel Sharon, për “ndërtimin e vendbanimeve hebreje në çdo anë të Bregut Perëndimor”, filluan edhe ndërtimet e drejtpërdrejta të vendbanimeve hebreje në zonat e brendshme të Bregut Perëndimor.

Ka gjithsej 262 njësi të vendbanimeve hebreje

Vendbanimi hebre Kefar Atsiyon në jug të Bregut Perëndimor pranohet si njësia e parë e vendbanimeve hebreje që Izraeli ndërtoi menjëherë pasi pushtoi Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor në vitin 1967.

Sipas Halil Tüfekçi, ekspert për vendbanimet hebreje dhe ish-drejtor i shoqatës së hartave që u mbyll nga Izraeli, mësohet se në Bregun Perëndimor ndodhen 252 njësi vendbanime hebreje, ndërsa në Kudsin Lindor 10.

Sipas lëvizjes “Paqe tani”, e cila është një organizatë e shoqërisë civile izraelite që njihet me kundërshtinë ndaj vendbanimeve hebreje, vendbanimet hebreje përbëjnë 13 për qind të sipërfaqes së Bregut Perëndimor.

Jetojnë 640 mijë kolonë hebrej

Në vitin 1967 kur Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor, në rajon nuk ndodhej as edhe një kolon hebre, por sipas Tüfekçi sot në rajon ndodhen 640 mijë kolonë hebrej nga të cilët 220 mijë prej tyre në Kudsin Lindor.

Ndërsa numri i kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor ishte 66.500 në vitin 1988 kur u shpall dokumenti i pavarësisë së Palestinës, ky numër arriti në 116.300 në 1993 kur u nënshkrua Traktati i Paqes në Oslo midis Izraelit dhe Palestinës.

Dhe në vitin 2000 kur palët u takun në rajonin Camp David të SHBA-ve me qëllim për të kërkuar zgjidhje ndaj problemit izraelito-palestinez, numri i kolonëve hebrej në Bregun Perëndimor arriti në 184 mijë.

Bashkë me ndërprerjen e përpjekjeve të fundit në vitin 2014 për zgjidhjen e problemit izraelito-palestinez, numri i atyre që jetonin në njësitë e vendbanimeve në Bregun Perëndimor arriti në 371 mijë.

Pasi Donald Trump erdhi në pushtet në SHBA, edhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përshpejtoi ndërtimin e vendbanimeve hebraike.

Njësitë e vendbanimeve hebreje në Gaza

Shteti i Izraelit në vitin 1968 filloi të ndërtojë vendbanime hebreje në shumë pika strategjike në Gaza.

Izraeli ndërtoi 19 vendbanime hebreje mbi një territor prej 23 mijë km katrorë në Gaza, dhe këto vende i aneksoi nën emërimin si “territore të sigurta”.

Bashkë me rezistencën e armatosur që po rritej në Gaza, kryeministri i periudhës Sharon në vitin 2003 për herë të parë solli në rendin e ditës “planin e ndarjes” i cili parashikonte zbrazjen e vendbanimeve hebreje në rajon.

Izraeli i cili u përball me një rezistencë të madhe të armatosur në rajon, mbeti i detyruar të tërhiqej nga Gaza më 15 qershor 2005 i cili pas zbrazjes shembi njësitë e vendbanimeve hebreje të paligjshme në Rripin e Gazës.

Këndvështrimi i palëve ndaj “vendbanimeve hebreje”

Sipas palestinezëve, vendbanimet hebreje në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor, më shumë se vendbanime të zakonshme janë bërë si një sistem i plotë kolonial ku ndodhen rrugë, universitete, shkolla dhe institucioneve shëndetësore.

Për komunitetin ndërkombëtar vendbanimet hebreje që Izraeli ka ndërtuar mbi territoret palestineze konsiderohen të “jashtëligjshme” dhe një prej pengesave më të mëdha në rrugën që shkon drejt zgjidhjes me dy shtete që do të ndërtojë paqen me palëve. SHBA-të të cilët njoftuan ditë më parë se “i pranojnë të ligjshme” këto vendbanime, u bënë përjashtimi i vetëm i kësaj.

Ndërkohë Izraeli i cili ka mbyllur veshët ndaj thirrjeve për të mos ndërtuar këto vendbanime hebreje, i cilëson këto thirrje si “largimin e plotë të hebrenjve nga Bregu Perëndimor” dhe i përshkruan këto si thirrje për të bërë “spastrim etnik”.

Organizata për Çlirimin e Palestinës (PLO) thekson se vendbanimet hebreje të ndërtuara në territoret palestineze janë “pengesa më e madhe” në rrugën që shkon drejt zgjidhjes me dy shtete dhe se hapësirat e vendbanimeve në fjalë dobësojnë mundësinë për të arritur një paqe të përhershme dhe të drejtë në rajon.

Po ashtu në vendbanimet hebreje të ndërtuara në Kudsin Lindor dhe Bregun Perëndimor është e ndaluar që të jetojnë persona të cilët nuk janë hebrej.

Bisedimet e paqes mes Izraelit dhe Palestinës u ndërprenë në prill të vitit 2014 sepse Izraeli “nuk pranoi kufijtë e vitit 1967, të drejtën e kthimit të palestinezëve që iu nënshtruan migrimit të detyruar dhe ndalimin e ndërtimit të vendbanimeve të reja hebreje”.

Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, me një deklaratë të bërë më 18 nëntor njoftoi se tashmë ata nuk i vërejnë të paligjshme vendbanimet hebreje që ndodhen në Bregun Perëndimor nën pushtim./AA

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit