6.8 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Vdekja e Rebekës dhe ne të gjallët

Më të lexuarat

Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm morëm lajmin e hidhur se ka ndërruar jetë Rebeka Rexhepi. Rebeka, ishte vajza e kreatores Xheraldina Rexhepi, e cila qe një kohë të gjatë po luftonte me kancerin. Megjithëse pas një kohe, sëmundja ishte zhdukur, ajo u kthye përsëri në një gjendje më të rëndë.
Përmes këtyre rreshtave, do të doja të ngushëlloja familjen e saj, miqtë dhe të gjithë njerëzit e afërt të saj, ndiejmë edhe ne dhimbje. Jo që kisha ndonjë njohje me të ose me familjen e saj, por ndiejë dhimbje për çdo njeri që është në fytyrë të tokës, se tek e fundit jemi vëllezër e motra në njerëzim!
Nga një kërkim në rrjetet sociale mbi atë se çfarë sot u tha mbi të, me të vërtet njeriu normal emocionohet e ndien dhimbje. Por nga vdekja ne të gjallët marrim edhe një meditim që duhet të na bëjnë të reflektojmë mbi jetën tonë, mbi idetë tona dhe me e rëndësishme të meditojmë më thellë mbi Krijuesin Absolut, i cili nuk vdes kurrë!
Në një thënie të Profetit Muhamed (paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të), bëhet një thirrje e madhe për të gjithë njerëzimin duke thënë: “Përkujtoni sa më shpesh atë që ua shkatërron çdo kënaqësi (përkujtoni vdekjen). ”
Përkujtimi i vdekjes është një nga motorët më të mëdhenj të jetës sonë për ti dhënë asaj kualitet, ashtu siç e vlerësonte edhe Steve Jobs kur thoshte se vdekja është shpikja më e mirë e jetës. “Askush nuk dëshiron të vdesë. Edhe njerëzit të cilët duan të shkojnë në parajsë, nuk duan të vdesin për të arritur atje. Vdekja ende është destinacioni që ne të gjithë e ndajmë. Askush nuk iu ka shmangur kurrë asaj. Dhe kjo është ashtu siç duhet të jetë, sepse vdekja me gjasë është shpikja më e mirë e jetës. Është agjensi i ndryshimit të jetës. Ajo e pastron të vjetrën për t’i hapur rrugën të rejës. Tani e reja jeni ju, por një ditë jo shumë të largët nga tash, ju do të bëheni gradualisht të vjetër dhe të do të largoheni. Më vjen keq që jam aq dramatik, por kjo është shumë e vërtetë.” – shtonte Jobs.
Një realitet që secilit i del para syve, ndërsa disa nga na vazhdojnë të dehen për të harruar vdekjen por ajo është një realitet i pashmangshëm. Me gjithë sukseset tona dhe arritjet e shohim se ne jemi të dobët para Krijuesit tonë, se asgjë nuk e ndal vdekjen me gjithë dëshirën, forcat e arritjet tona. “Kudo që të jeni vdekja do t’ju kapë, po edhe në qofshi në pallate të fortifikuara.”(Kuran 4:78)
Tjetra, që shumë thellë duhet ta mendojmë, vallë si janë raportet tona me njerëzit që janë afër nesh e rreth nesh. Sa i nderojmë, respektojmë, u japim dashuri atyre! Sa u kushtojmë kohë nga kjo jeta jonë që përbëhet prej minutave e viteve, se tek e fundit nga vdekja duhet ta kuptojmë se ai njeri që të kushton kohë, duhet të kesh nderimin më të madh në jetë!
Edhe një pikë tjetër e rëndësishme në reflektimin tonë duke menduar mbi vdekjen është të shikojmë se çfarë po bëjmë për njerëzimin, rrethin, shoqërinë, miqtë, të dashurit, familjen tonë! Çfarë kontributi po lëmë pas vete dhe çfarë emri po lëmë pas veti!
Jeta do të kalojë si me të mirë, si me të keq. Si me Zotin, si pa Atë! Ajo çfarë i Madhërishmi ka caktuar, Allahu Fuqiplotë do të ndodh, i bindur të jesh, andaj i dashur lexues mendoje në fund të këtij shkrimi, se si e ke lidhjen me Allahun, e pastaj mendojë si e ke lidhjen me njerëzimin! Mendo, reflekto, medito, mos lejo që vdekja të të mërzisë për jetën, por atë përdore si mjetin tënd për të jetuar çdo sekondë në kënaqësi të Zotit, e pastaj në shërbim të së mirës.

Nexhmedin Kalisi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit