9.8 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

Vazhdojnë hetimet për vdekjen e Dino Asanajt

Më të lexuarat

Hetimet e nisura nga mesi i muajit të kaluar mbi ndriçimin e rrethanave në të cilat ndërroi jetë shefi i AKP-së, Dino Asanaj, ende nuk kanë marrë një epilog konkret. Për hetimet në të cilat u përfshi edhe FBI nuk flitet shumë. Të rezervuar në çdo informatë mbeten organet e hetuesisë, përfshirë dhe prokurorin Blerim Isufaj, i cili po i udhëheq hetimet në këtë rast.
Burime të përfshira në hetime kanë konfirmuar për RTK-në se shumica e ekspertizave në këtë çështje janë në përfundim e sipër. Ekspertizë e përfunduar konsiderohet edhe ekzaminimi grafologjik i letrës që kishe lënë pas Dino Asanaj.

Kjo ekspertizë ka vërtetuar se Asanaj e kishte shkruar me dorën dhe stilolapsin e vet përmbajtjen e letrës, e ku thuhej: “Remzi Ejupi, gazeta ‘Zëri’ dhe Abdurrahman Konjufca ma kanë shkatërruar jetën dhe familjen time dhe unë vendosa ta zbatoj ligjin duke vepruar kështu”.

Veç kësaj, burime të afërta me hetimin kanë konfirmuar se analiza e ADN-së në provat e vendngjarjes ka dhënë vetëm rezultatin e Asanajt.

Në ekzaminim ndërkaq vazhdon të mbetet kompjuteri personal i të ndjerit dhe hulumtimi i detajuar i mesazheve të viktimës të këmbyera me telefonat e tij mobilë, si dhe verifikimi i thirrjeve dhe kontakteve që ai ka pasur para se të ndërronte jetë.

Ndërkaq, është vërtetuar se dy testamentet që kishte lënë pas Asanaj kishin përmbajtje të njëjtë. Shumica e pasurisë së patundshme që posedonte shefi i AKP-së i është trashëguar bashkëshortes së tij dhe një pjesë familjarëve të tjerë.

Referuar procedurës, deri tani kanë dhënë deklaratat e tyre në cilësi të dëshmitarëve mbi 20 persona. Raportet e ekzaminimeve i janë bashkangjitur raportit të autopsisë të kryer nga mjekësia ligjore në Prishtinë e sipas të cilit Asanaj ishte vetëvrarë, ndërsa pritet edhe për të tjera.

Shefi i AKP-së, Dino Asanaj, u gjet i plagosur me thikë të enjten e 14 qershorit në zyrën e tij private në fshatin ndërkombëtar në Prishtinë. Ai nuk u mbijetoi plagëve dhe ndërroi jetë po atë ditë në QKUK.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit