Vari veten duke aktruar

0
57

Një aktor në Brazil ndërroi jetë në spital 17 ditë pasi vari veten në skenë, si pjesë e një roli të interpretuar prej tij në teatër.

27-vjeçari Tiago Klimeck u vetvar gjatë pjesës “Pasioni i Krishtit”, në ditën e Pashkëve. Ai luante rolin e Judës, që pasi tradhtoi Krishtin, vari veten në një pemë.

Një skenë e përsëritur në disa shfaqje të mëparshme, varja realizohej duke lidhur litarin rreth një qaforeje që pengonte në fakt rënien në kontakt të litarit me grykën, ndërsa pajisja shmangte edhe përqendrimin e peshës trupore rreth fytit, duke e shpërndarë atë mbi shpatulla ndërsa “Juda” qëndronte pezull.

Megjithatë, një keqfunksionim i qafores bëri që Klimeck të varej me të vërtetë dhe vetëm pas katër minutash, kur ai duhet të largohej nga skena, u kuptua që diçka kishte ndodhur.

Aktori i pafat u zbrit nga laku vdekjeprurës dhe u dërgua me urgjencë në spital, por minutat që qëndroi pa thithur ajër i shkaktuan dëmtime të parikuperueshme në tru. Pa asnjë shpresë për t’u rikthyer nga koma e thellë, në të cilën arrinte të qëndronte vetëm nëpërmjet pajisjeve që zëvendësonin rolin e zemrës dhe të mushkërive, 27-vjeçari u shua në spital pas kërkesës së familjes për të mos i zgjatur më vuajtjet, duke fikur pajisjet./expres/kohaislame